Smajl Latifi

Smajl Latifi: Drejtësi e vonuar, për më tepër, drejtësi e mohuar

Kur drejtësia përballet me fytyra nënash të përvuajtura e të djegura deri në palcë, me familjarë të të vrarëve e të masakruarve, asnjë verdikt a dënim nuk është i mjaftueshëm.

Ditë më parë  në Gjykatën Themelore në Prizren u dha verdikti për të akuzuarin për krime lufte dhe bartje të kufomave Darko Tasić, i cili u dënua me 22 vjet vuajtje dënimi dhe unë si udhëheqës i një komune që ka më së shumti të vrarë e të masakruar, e për më tepër, i njëjti akuzohet për krime lufte, përveçse në Krushë të Vogël, edhe për krimet makabre ndaj krushjanëve dhe djegien e kufomave në Krushë të Madhe, ndihem jo vetëm i prekur thellë nga kjo drejtësi e ky përfundim, por edhe shpreh pezmin tim për një dënim kaq të vogël ndaj një krimineli kaq të madh, ku bashkë me babain e vet, vëllaun e kriminelë të tjerë, veç tjerash dhunuan e i djegën viktimat e veta.

Fakti që qindra krime, masakra, krematoriume po shpërlahen me 22 vjet vuajtje dënimi është i paparanueshëm dhe indinjues sepse prek direkt në ndjenjat e atyre që humbën më të dashurit në luftë, na prek ne si pjesëmarrës aktiv në luftë dhe në shtetndërtim, kur dihet se të tilla krime kërkojnë përgjegjësi më të lartë morale, paanësi dhe dënim maksimal, që drejtësia të vihet në vend.

Shteti ynë duhet të këmbëngulë e të kërkojë drejtësi dhe ndëshkim për krimet e Serbisë në Kosovë të kryera nga kriminelët serb.

Kosova dhe Qeveria jonë duhet të vazhdojë me insistim e të kërkojë me ngulm nga autoritetet hungareze edhe ekstradimin në Kosovë të kriminelit Ljubisha Manjitashevic nga Hoça e Madhe, që ai të përgjigjet para drejtësisë për veprat e bëra, pikërisht këtu në vendin e krimit.

Krimineli Manjitashevic u arrestua ditë më parë në Hungari, ku padrejtësisht autoritetet atje paskan marrë vendim që kriminelin ta ekstradojnë në Serbi.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet hungareze, por Serbia po e bllokon me kërkesat e saj konkuruese të ekstradimit dhe po i mbron kriminelët. Ministri i Drejtësisë, z. Selim Selimi, sot përsëri ka kërkuar zyrtarisht që autoritetet e shtetit hungarez të rikonsiderojnë vendimin e ta kthejnë Manitasheviqin në Kosovë e jo ta ekstradojnë në Serbi.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …