Tefta Cami-Cani: KONTRIBUTI DHE KRIJIMTARIA E PROF. AHMET QERIQIT I SHËRBEN SHQIPTARISË

Tefta Cami-Cani: KONTRIBUTI DHE KRIJIMTARIA E PROF. AHMET QERIQIT I SHËRBEN SHQIPTARISË

Ngushëllime të përjetuara, znj. Arbana Qeriqi e dashur dhe gjithë familjes për ndërrimin e jetës të babait e familjarit tuaj të dashur e të shtrenjtë dhe të mikut e shokut tim më të shquar, të ndierit profesor Ahmet Qeriqi!
  Kam qenë me fat, që e kam njohur e kam biseduar dhe kam qenë e privilegjuar, që më ka intervistuar për herë të parë pas viteve ‘90-të në TV “Dielli” të RTV të Kosova e Lirë shumë i nderuari Ahmet Qeriqi!
  Kam njohur historinë e jetës së tij si një patriot të madh e të shquar me pjesëmarrjen e tij që në moshë të re në demonstradat e vitit 1981 të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe të të gjithë popullsisë shqiptare të Kosovës me parrullën “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, ku filloi armatosja e popullit për të fituar lirinë e pavarësinë nga pushtimi shekullor serb.
   I respektuari Ahmet Qeriqi përjetoi dhunën e terrorin serbomadh mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës; përjetoi teorinë e diferencimit dhe pushimin nga puna të shumicës të elitës së inteligjencës shqiptare në Kosovë e viset e tjera shqiptare në ish- Jugosllavinë; përjetoi burgun me shumë shqiptarë, që i arrestoi klika serbe e Kosovës me urdhët të Beogradit.
   Dhunën e terrorin e burgut, i ka përshkruar me shumë mjeshtëri e realizëm në romanin e tij “Burgu”, ku milicia serbe përdorte veglat e tyre të disa shqiptarëve të Kosovës, milicët shqiptarë, që e kishin shitur shpirtin tek pushtuesit serb, për të ushtruar dhunë ndaj të burgosurve shqiptarë të Kosovës. Kjo është histori e njohur e çdo pushtuesi, për të blerë shqiptarë, që të luajnë rolin e spiunëve midis shqiptarëve, apo për t’i patur si baza të sigurta të tyre për dhunë ndaj shqiptarëve, duke praktikuar përçarjen e vëllavrasjen midis shqiptarëve, siç i përshkruan me shumë detaje në romanin “Betimi i motrës”.
   Por serbët kanë praktikuar edhe vazhdimësinë e agjenturave të tyre në Kosovë e Shqipëri dhe në viset e tjera shqiptare, dmth, nga gjyshat tek djemtë e nipat dhe kështu me radhë….
   Me keqardhje e shkruaj, se nuk janë të pakët agjentët e Beogradit e të Athinës, që janë dënuar në Sistemin Socialist për dëmet që i kanë sjellë Shqipërisë, janë në listën e të persekutuarve, që shpërblehen nga shteti shqiptarë. Mesazhi është i qartë:”Kush tradhëton Shqipërinë, do të shpërblehet?!”
   Gjatë viteve të burgut mësoi hungarisht dhe përktheu në shqip romanin për Ali pash Tepelenën, sepse për të nuk mund të kishte vite të humbura.
   Shumë i respektuari, Ahmet Qeriqi ngriti Radion Kosova e Lirë në malin e Pashtrikut pranë SHP të UÇK-ës me pajisje që arritën t’i marrin nga Kumanova dhe kanë dhënë lajme reale për zhvillimin e luftës nga UÇK-ja e forcat e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe të divizionit Patkoi. Megjithëse selia e radios Kosova e Lirë  vazhdimisht është granatuar forcat ushtarake serbe sepse jepte lajme të sakta të luftimeve mbi fitoret e UÇK-së e të bombardimeve të NATO-s, ku ka pas të vrarë e të plagosur, ata nuk e kanë ndërprerë transmetimin. Por e kanë vazhduar transmetimin, duke u vendosur në një shpellë pranë një shkëmbi dhe Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-ës.
Pas luftës, Ahmeti instaloi në Prishtinë me një Seli të thjeshtë e modeste Radion Kosova e Lirë dhe TV Dielli, Shtëpinë botuese, që kanë qenë mjaft të suksesëshme në interes të Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë.
   E kam njohur nëpërmjet shkrimeve të shumta e të pandërprera në gazetën Kosova e Lirë si historian i shquar e objektiv dhe realist për pasqyrimin e historisë të të gjitha periudhave të shqiptarëve. Periudhën e socializmit në Shqipëri e të udhëheqësit Enver Hoxha, Ahmet Qeriqi i ka pasqyruar me një analizë objektive si arritjet e mëdha dhe disa gabime. Ndërsa nuk janë të pakët historianët në Shqipëri, që e nxijnë dhe e mohojnë periudhën e LANÇ e të Socializmit sikur nuk kanë ekzistuar 45 vitet e atij sistemi, duke shkatërruar e nëpërkëmbur gjithçka krijuese e realizuese nga sistemi e populli shqiptarë, duke mohuar e hequr periudhën e LANÇ-re e të Socializmit në Muzeun Historik Kombëtar, duke hequr yllin nga flamuri e librin në mozaikun në ballë të Muzeut, megjithëse përfaqësonte atë periudhë dhe është krijimtari e një grupi piktorësh. S’kishte arsye se pse të retushohej. Apo prishjen e tjetërsimin e ndërtimeve me karakter historik në Shqipëri. Një popull që nuk ruan e mbron traditat etnokulturore të vendit të tij, nuk ka të ardhme.
   E kam njohur botën e tij të madhe edhe nëpërmjet romaneve e tregimeve të shumta, si dhe vitin e kaluar nëpërmjet të dy romaneve me tituj “Guri i betimit” dhe “Betimi i motrës”. Të dy romanet janë historik, sepse trajtojnë subjekte me përmbajtje historike, sidomos romani me titull “Guri i Betimit”, që autori si poliglot ka bërë shumë studime shumëvjeçare të kohës së Mesjetës si të burimeve serbe e europiane, por edhe të burimeve turke, greke, raguziane, shqiptare, të kujtesës historike shqiptare të eposit të këngëve të Luftës së Kosovës të vitit 1389 dhe fragmente të letërsisë popullore e legjendave. Ky roman është një mesazh për historianët për ta lexuar e nxjerrë mësime për metodologjinë e studimit dhe të interpretimit të historisë shqiptare të periudhës së Mesjetës.
   Që në parathënie Ahmet Qeriqi shënon:”E kaluara shqiptare, sidomos periudha e Mesjetës, ende nuk është studiuar me një metodologji të përparuar shkencore, duke u mbështetur, sidomos në të dhënat e dëshmitë që i ka ruajtur koha. Përhapja e literaturës serbe e sllave përgjithësisht, e botuar dhe e shpërndarë në vendet e Evropës e më tej, në masë ka ngulitur të ashtuquajturën “të vërtetën serbe e sllave”, mbi Kosovën, e cila mbështetet kryesisht në mohimin dhe deformimin e së vërtetës, në krijimin e mitit e faktorit serb, përjashtimit e ekzistimit të popullatës shqiptare gjatë mesjetës në Kosovë dhe në viset e tjera, mohimin e autoktonisë ilire-arbëreshe-shqiptare, stigmatizimin e shqiptarëve në përpjekje për t’i paraqitur mbetje turke e aziatike, urrejtjen morbide, kolektive kundër tyre, edukimin e frymëzimin e brezave për asgjësimin e “arnautëve”, që më vonë ka rezoltuar me program shtetëror për shfarosjen kolektive të shqiptarëve, dëbim nga trojet, vrasje masive dhe pastrim etnik, dëbim të dhunshëm për në Turqi, mohim të çdo të drejte kombëtare e njerëzore, sidomos prej vitit 1912 deri në vitin 1941”. (F.5)
  “E vërteta shqiptare për Mesjetën e herëshme, për atë periudhë të errët të historisë, sikur është thënë zakonisht, ende është fragmentare, ndërsa historianët e Mesjetës, përveç dr. Muhamet Tërnavës, gati të gjithë përgjithësisht pranojnë variantin serb për Luftën e Kosovës, meqë ashtu e kanë mësuar e janë pajtuar, duke pretenduar se ajo çeshtje është e mbyllur përgjithnonë. Po ashtu pranimi i islamit nga shumica shqiptare, është një fakt tjetër i anashkalimit të kryetrimit shqiptar të mesjetës, Milush Kopiliqi, për shkak se kishte arritur të vrasë Sulltan Muratin e Parë, me 15 qershor të vitit 1389. Ky akt, gjatë shekujve ishte trajtuar si tradhëti, nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të konvertuar. Madje ka pretendime, nga disa historianë shqiptarë, që atë personazh ta paraqesin si martir, të cilin e kanë mbytur serbët, ose bijtë e tij, duke përjashtuar fare edhe ekzistencën e heroit shqiptar të Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi”. F.7)
   Personazhet përgjithësisht janë historik si ato shqiptarë edhe serb. Përshkruhen me toponiminë vendase shumë treva e fshatra, që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve. Jepen episode të grabitjes nga serbët të artefakteve shqiptare nga Kosova e viset e tjera shqiptare dhe dërgimi i tyre në Beograd.
  “Guri i Betimit”, është një histori e rikthyer në kujtesë për Motin e Madh, për Mesjetën, e cila në një kohë të caktuar, është bërë përpjekje të harrohet, por koha e ka rikthyer…. Koha edhe mënon, por kurrë nuk harron”. (Fl. 10)
  Gjatë përshkrimit të subjekteve historike të romaneve ai i përshkruan me realizëm e vërtetësi dhe me një gjuhë e metafora dhe figura të zgjedhura, si dhe me shumë shpreje e fjalor krijues mbi bazën e gjuhës shqipe.
  Ahmet Qeriqi mbetet i pavdekshëm me studimet e rëndësishme historike si një historian i shquar objektiv, si romancier i veçantë me krijimtarinë e tij me subjekte nga historia jonë kombëtare, si gazetarë e publicistë i madh, si përkthyes i përkryer të letërsisë së huaj me subjekte të heronjve të popullit shqiptarë, duke vërtetuar, se kombi shqiptarë është më i lashti dhe i vjetër sa vetë toka e historia. Ahmet Qeriqi gjatë gjithë jetës si misionarë i shquar i shërbeu kombit të vet dhe njerëzimit.
   Kur isha vitin e kaluar për vizitë në studion “Kosova e lirë e TV Dielli, mësova më me hollësi për sëmundjen e tij të rëndë. Por megjithëse ishte i sëmurë prej kohësh, dëshiroja dhe shpresoja të ndodhte një mrekulli dhe të rikthehej siç ishte plot energji e krijimtari në shërbim të mëmëdheut, Kosovës të lirë e të pavarur, që luftoi e sakrifikoi dhe në shërbim të kombit shqiptarë më të fuqishëm e të bashkuar në këtë shekull.
  Për të ndierin e shumë të nderuarin, Ahmet Qeriqi do të ndihet mungesa e nevoja për të nga i gjithë populli shqiptarë. Megjithëse ai ka përgatitur stafin e Radios Kosova e Lirë e TV Dielli dhe të Shtëpisë botuese si, pasardhësit e familjes e punonjës të tjerë për ta vazhduar punën në këto institucione.
  Ahmet Qeriqi për gjithë punën e kontributin e madh kombëtarë e meriton t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”!
  U prehtë në paqe në tokën e mëmëdheut, Dardanisë! 💐
Tefta Cami-Cani, ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, e enjte, 20 mars, 2025

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …