Time Kadriaj: Aleanca nuk kërkon pushtet, presim garanci konkrete nga Kurti

Deputetja e Aleancës Time Kadriaj, ka deklaruar se qëndrimet e AAK-së në zhvillimet e fundit politike nuk kanë pasur për qëllim marrjen e pushtetit apo bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, por mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Kosovës. Kadriaj ka thënë se Aleanca i ka bërë të qarta parimet dhe kërkesat e saj, ndërsa deri tani nuk ka parë ndonjë deklaratë konkrete nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për çështjet e ngritura nga partia e saj. “Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona dhe parimet tona. Nuk kanë qenë qëndrime për ndonjë pushtet, e as për të qeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje. Kanë qenë qëndrime për interesin e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kadriaj. Ajo ka theksuar se AAK-ja pret që Kurti të dalë publikisht dhe të japë garanci për kërkesat e saj, duke insistuar se këto nuk duhet të mbeten vetëm në nivel të komunikimeve me përfaqësuesit e partisë. “Nëse z. Kurti del dhe jep deklaratë për pikat tona dhe na jep garanci, por jo vetëm t’ua thotë përfaqësuesve, atëherë mund të flasim”, ka thënë ajo. Ndër kërkesat e përmendura nga Kadriaj janë gazi amerikan, ndërtimi i një termocentrali, si dhe çështje që lidhen me infrastrukturën dhe mbështetjen për bizneset e vogla.  “Ne asnjëherë s’jemi prononcuar. S’kemi propozuar kandidat. Neve s’na ka interesuar emri”, ka përfunduar Kadriaj.

Kontrolloni gjithashtu

Dirk Schuebel merr detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë, kërkon formimin e shpejtë të institucioneve

Dirk Schuebel ka marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, Shef i …