KEK
Fillimi / Lajmet / U mbajt Kuvendi i Parë Zgjedhor i Nismës për Kosovën
Fatmir Limaj

U mbajt Kuvendi i Parë Zgjedhor i Nismës për Kosovën

NISMA për Kosovën ka mbajtur të shtunën Kuvendin e I-rë Zgjedhor. Në këtë Kuvend prezent ishin 520 delagatë nga të gjitha degët e NISMA’s. Delegatët me votë të fshehur, për kryetar të NISMA’s kanë zgjedhur, z. Fatmir Limaj. Po ashtu janë zgjedhur edhe 101 anëtarët e Këshillit Kombëtar, të cilët për kryetar të Këshillit kanë zgjedhur, z. Jakup Krasniqi.

Delegatët kanë miratuar edhe Programin dhe Statutin e ri të partisë. Pas zgjedhjes kryetari Fatmir Limaj ka shpalosur vizionin socialdemokrat të NISMA’s dhe i ka falënderuar delagatët për besimin e dhënë. “Ju sot që jeni këtu, dhe qindra e mijëra aktivistë e përkrahës të Nismës, që nuk janë pjesë e këtij kuvendi, por janë pjesë e fuqishme dhe e pandashme e Nismës për Kosovën, më keni dhënë një nder dhe gjithashtu një sfidë të jashtëzakonshme për të udhëhequr këtë nismë politike.

Pozitën e liderit të kësaj partie, unë nuk e shoh si një titull, apo gradim; unë jam këtu për të vepruar dhe për të vënë një shembull, që do të mund ta ndjekin gjenerata të reja, që do vijnë pas meje”, ka thënë Limaj. Ai ka folur edhe për fillet e krijimit të NISMA’s për të cilën ka thënë se është  Nisma për Kosovën, u krijua si një domosdoshmëri për skenën politike të Kosovës. Limaj është shprehur se  NISMA, ka dëshmuar që politika nuk duhet të jetë sinonim i gënjeshtrës, i mashtrimit, i hipokrizisë, injorancës e arrogancës, ashtu siç perceptohet fatkeqësisht politika në Kosovë.

“Ne kemi arritur të sjellim në skenën politike, një qasje të re. Ne kemi dëshmuar që jemi në parlament dhe ekzistojmë si subjekt politik për të përfaqësuar interesat e vendit tonë, të qytetarëve tonë dhe në asnjë rast të ndonjë grupi njerëzish. Ne kemi dëshmuar për këto dy vite që vullnetin dhe votën e qytetarëve tonë nuk e delegojmë dhe nuk e tjetërsojmë asnjëherë.

Ne kemi dëshmuar që e MBAJMË FJALË, dhe që premtimet tona gjatë fushatës zgjedhore transformohen në punë dhe vepra konkrete. Kjo tashmë është dëshmuar në Komunën e Malishevës, aty ku Nisma për Kosovën ka pushtetin. Aty ku edhe përkundër bllokimit të vazhdueshëm të qeverisë, projektet e qeverisë lokale nuk ndalen, duke lehtësuar përditshmërinë e qytetarëve të asaj ane. Sepse ne i mbajtëm dhe po vazhdojmë t’i implementojmë premtimet tona’, ka shtuar ai. Limaj ka thënë se Plan-programi social-demokrat i Nismës për Kosovën është programi që është i domosdoshëm për këtë vend.

Ai ka theksuar se rrugëtimi i NISMA’s deri këtu nuk ka qenë i lehtë, dhe politik-bërja veçse po vështirësohet në Kosovë.

“Sido që të jetë këto vështirësi nuk do të lejojmë t’i pranojmë si pengesa. Nisma nuk është në Kosovë për t’ju frikuar të ardhmes, por për ta ndërtuar atë. Entuziazmi për punë, pasioni për ndryshim, dashuria për këtë vend, dhe profesionalizmi në punën tonë, duhet të jenë shtyllat kryesore të Nismës”, ka theksuar.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA’s, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhen ndryshime dhe ndryshimin mund ta sjellë vetëm një frymë e re, të cilën e sjell NISMA për Kosovën.  “Unë pres që të gjithë socialdemokratët me bindje progresiste që t’i bashkohen pa hezituar partisë sonë. Se vetëm socialdemokratët mund ta sjellin ndryshimin dhe progresin në shtetin më të varfër të Evropës. Kosovës i duhet shpejt, era e socialdemokracisë progresiste”, ka thënë Krasniqi.

 Në Kuvendin e parë zgjedhor të Nisma për Kosovën, është paraqitur edhe raporti i punës, për këto vite, të cilin e ka prezantuar sekretari i NISMA’s, Bilall Sherifi. Sherifi, gjatë fjalimit të tij ka përmendur edhe koalicionin qeverisës PDK-LDK, ku tha se që nga fillimi i instalimit të këtij koalicioni doli në shesh arroganca e bartësve të tij, e që arroganca e parë sic tha Sherifi u manifestua me deklaratat e Aleksandër Jabllanoviqit.Madje ai ka shtuar se populli i Kosovës është sovrani i këtij vendi, dhe se Nisma me vizionin e qartë për të mbrojtur interesat e popullit do të dalin fitimtar.

“Populli i Kosovës është sovran i këtij vendi dhe ne kemi bindje të fortë se të bashkuar, me vizion të qartë për të mbrojtur interesat e popullit, do të dalim fitimtar… Vërtet është një periudhë vetëm pak më shumë se dy vjet nga themelimi i NISMËS, por po ta shikojmë se çfarë dinamike dhe intensiteti kanë pasur zhvillimet e këtyre dy viteve të duket se kanë kaluar jo dy vite por dy dekada. Nisma për Kosovën u krijua me idenë që pas zgjedhjeve të shndërrohet në parti politike”, ka thënë Sherifi.

Në këtë Kuvend Zgjedhor fjalë rasti kanë mabjtur edhe deputetët Zafir Berisha, Valdete Bajrami, anëtarët e kryesisë aktuale, Muharrem Kuçi, Selvie Rexhepi, Shyqiri Bytyqi, si dhe disa nga delegatët e NISMA’s.

Kontrolloni gjithashtu

Boris Johnson

Kryeministri anglez, Boris Johnson, është shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale, me insistimin e BE-së

Në kohën kur kishte qenë Sekretar i Shtetit për Punë të Jashtme,  kryeministri i Britanisë ...