Ukshin Hoti

Ukshin Hoti kishte kërkuar një gjykim të prerë për veprim politik, i cili përmblidhej me formulimin: “Bëje ose vdis”

Në korrik të vitit 1993, mr. Ukshin Hoti, i burgosur politik dhe njëri ndër politikologët më të njohur të kohës sonë, fati i të cilit ende nuk dihet, opinionit shqiptar, apo inteligjencies së kohës i kishte dërguar një letër të gjatë, ku kishte shprehur mendimet dhe gjykimin e tij politik, shoqëror, duke i ndërlidhur edhe disa raporte familjare, në mënyrë që letra të ishte paksa e tërthortë dhe të mos bëhej  shkak për ndjekje penale nga pushtuesi, i cili e mbante nën vëzhgim të pandërprerë. Ishte i vetëdijshëm për të gjitha, andaj  asokohe  e kishte shfaqur krejt hapur qëndrimin e tij kritik, realist, të cilin nuk e përfillte  klasa intelektuale, apo inteligjencia e Kosovës, LDK-ja, por as partitë e tjera politike. Megjithatë, Ukshin Hoti, së bashku me simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe profesor, doktor Rexhep Qosen ishin tri  personalitete me shumë ndikim, të cilët politika pacifiste e Rugovës, i mbante në distancë dhe  nuk i honepste, për shkaqe, atëherë dhe tash, të njohura.

Konceptet e qarta politike, kalitja nëpër burgje, vizioni real dhe i mirëfilltë për ardhmërinë, diskurset realiste dhe pa ekuivoke, që shprehnin publikisht, Adem Demaçi Ukshin Hoti, Rexhep Qosja ishin larg më të emancipuara, më të përparuara, shumë më të stisura politikisht e kombëtarisht,  sesa ajo që dinte apo shprehte i pari i LDK-së, Ibrahim Rugova dhe  intelektualët-partiakë që ishin tubuar rreth tij.

Ukshin Hoti kishte formuluar një gjykim të prerë për veprim politik, i cili përmblidhej me formulimin: “Bëje ose vdis!”.  “Nëse e kemi shpallur Republikën, nëse i besojmë veprimit tonë, atëherë duhet të bëjmë atë, ose të vdesim!”. Rruga tjetër nuk shkon në favorin tonë, por vetëm e zgjatë agoninë tonë. Ky konstatim i pjekur politik, të cilin kanë pasur rast ta dëgjojnë të gjithë ata që kanë biseduar dhe kanë mbajtur kontakt me Ukshin Hotin, ishte tejet decidiv dhe atakonte, në radhë të parë pushtuesin serb dhe kreun politik të LDK-së, parti kjo që në opinion paraqitej si Lëvizje e përgjithshme shqiptare, por në esencë ishte parti politike, legale,  e regjistruar në Beograd, sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë komuniste, në procesin e shpërbërjes definitive.

Letra e gjatë e Ukshin Hotit drejtuar inteligjencies së Kosovës është një vepër e veçantë, është një manifest i mendimeve dhe  veprimeve politike të kohës, e cila duhet të studiohet me shumë kujdes, për ta ndriçuar në tërësi gjendjen politike të viteve ’90, por edhe jetën e tij në raport me familjen, shokët e burgut dhe intelektualët e Kosovës.

Veprën dhe jetën e  Ukshin Hotin ende nuk e njohim sa duhet. Pavarësisht se mos ndriçimi i fatit të tij, po na mbanë peng gjatë tërë kohës së pas luftës, vepra e tij është dhe do të jetë me ne dhe ajo është burim i shumë të dhënave dhe duhet të na shërbejnë sidomos tani kur Kosova po kalon përmes një presioni virulent ndërkombëtar, me qëllim të rehabilitimit të Serbisë dhe pranimit të saj në BE, duke diskredituar luftën e UÇK-së, madje edhe vetë intervenimin e NATO-s kundër Serbisë kriminale, jo vetëm të Milosheviqit.

Ai përveç shkollimit, arsimimit të lartë, i burgosur politik, politikan realist dhe i kalitur në të gjitha segmentet e jetës, është edhe një shkrimtar me një invencion shumë të pasur  dhe me një imagjinatë jashtëzakonisht të fuqishme krijuese e artistike.  Skicat e tij janë të lidhura përbrenda një tërësie të fuqishme meditative, gjithnjë realiste dhe gjithnjë të faktuara e të argumentuara. Ato janë krejtësisht origjinale, ndërsa  për nga përmbajtja e tematike krejtësisht të veçanta, të pashoqe në letërsinë tonë.

Si të tilla këto skica të shkruara në formë letre, përbëjnë një tërësi trajtimi të problemeve dhe shqetësimeve  të tij personale, si prind, në raport me familjen, djalin dhe bijat, bashkëshortet, familjen, kolegët e punës, ish dhe atëherë e tani,  partiakët, që nuk i shkuleshin pretendimeve për pushtet, madje as në podrume, ku i kishte futur regjimi kriminal i Serbisë së Milosheviqit.

Vrojtimi kompleks i realitetit nga autori i letrës, nuk ka si të mos na përkujtojë nganjëherë madje edhe rrëfimet fantazmagorike të Franc Kafkës. Letrat e Ukshin Hotit janë krijimtari e veçantë në letërsinë tonë, aq më tepër, sepse  janë letra që i ka shkruar vetë realiteti i kohës, dhembja, shqetësimi, malli dhe mbi të gjitha dashuria e zjarrtë për trashëgimtarët, për fëmijët e vetë e të tërë Kosovës, për jetën, lirinë e pavarësinë e vendit.

Në këto skica të thella artistike, në radhë të parë shprehet një nivel i lartë i humanizmit por edhe i intelektualit të përgjegjshëm, të vetëdijshëm për veprimet e tij. Ai nuk kishte qëndruar duarkryq, për të pritur se çka do të sjellë e nesërmja. Nuk ishte pajtuar me gjendjen ekzistuese, nuk ishte nënshtruar, ashtu sikur ishte nënshkruar klasa pacifiste e kohës. Kurrë nuk ishte pajtuar me padrejtësitë, qofshin ato kolektive, që iu bëheshin shqiptarëve,  apo individuale, që iu bënë atij nga klane të caktuara pacifiste. Kishte mbajtur qëndrimin e fortë dhe të palëkundur si qëndrimi burrëror i Sokratit, simboli unikat njerëzor i flijimit për drejtësi, për njerëzi, për mirëkuptim reciprok.

I ndeshur me botën tjetër, me logjikën dhe rezonin ndryshe, atij nuk i kishte mbetur tjetër por rezistencës, fjalës së lirë, shprehjes së kundërshtimit, pavarësisht pasojave, të cilat nuk e kursyen prej vitit 1981 e deri tani kur ende fati i jetës së tij ka mbetur pezull, ka mbetur peng i ish-regjimit okupator dhe i politikanëve  të mefshtë e të mjerë të Kosovës e të Shqipërisë, që nuk janë në gjendje, apo nuk kanë vullnet, natyrisht se nuk kanë as dobi materiale, që çështjen “Ukshin Hoti” ta trajtojnë në nivelet botërore, meqë kemi të bëjmë me një personalitet me përmasa kombëtare e botërore…   (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …