RKL

Veteran është ai që ka luftuar gjatë tërë kohës sa ka zgjatur lufta e jo vetëm një natë apo një ditë

Çështja e veteranëve dhe kategorive të tjera të luftës, që në fillim ka hyrë në rrugë qorre dhe nuk e vënë dot në rrugë të drejtë, ata që i kanë kontribuar stërkeqjes, deformimit dhe abuzimit, me qëllim përfitimi  të klaneve dhe grupeve të interesit.

Duke qenë pjesë e luftës, që në periudhën e hershme, ndërsa pjesë e Lëvizjes Kombëtare prej vitit 1964, marr përsipër të reagoj me fakte e argumente lidhur me kategoritë e luftës, lidhur me qasjen anti humane pse jo edhe antikombëtare,  që iu ka bërë tërë procesit, i cili tanimë ka  degraduar në pozitë të pazgjidhshme.

Fillimisht duhet pasur para sysh faktin se në luftën e UÇK-së nuk ka pasur më shumë se 18.000 veteranë, brenda dhe jashtë Kosovës. Përcaktimi i numrit të saktë të veteranëve ka qenë dhe ende është i mundur, sikur të aplikoheshin kritere rigoroze, të bazuara në fakte e dëshmi relevante, që lidhen me strukturat organizative të UÇK-së, duke filluar nga njësitë, togjet, batalionet dhe brigadat. Të gjitha zonat operative të luftës kanë pasur shënime për luftëtarët dhe për të gjithë  ata që e kanë ndihmuar materialisht. Më vonë, pas luftës TMK-ja ka pasur regjistrin e plotë të pjesëmarrësve në luftë dhe të pjesëtarëve të saj aktivë she rezervë. Në të gjitha konsultimet dhe bisedat që janë zhvilluar mbi numrin e pjesëmarrësve  në luftën e UÇK-së, ka qenë evidente e dhëna se numri sillet prej 16.000 deri në 18 mijë, duke përfshirë edhe logjistikën,  shtabet civile-ushtarake, Sektorin e Shëndetësisë, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe strukturat të tjera të organizuara në Kosovë, Shqipëri dhe mërgatë.

Mirëpo e keqja, që e bën të pamundur këtë problematikë janë mujsharët dhe profiterët e luftës, ata që gjatë tërë kohës së luftës treguan kujdes të madh të ruhen, madje as të mos gërvishten, dhe në fund të marrin frerët, jo për vetë luftën e çlirimin e Kosovës nga robëria, por për kthimin e vlerave të luftës  në kapital politik, tregtar, ekonomik dhe shoqëror. Pleksja e politikës në shoqatat e luftës ka përçarë veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve. Dhe kulmi ndodhi kur 15 vjet pas luftës, Qeveria formoi një komision dhe shpalli konkurs për kategori të luftës, me të drejtë aplikimi të cilido qytetar të Kosovës, qoftë edhe atij që ka thënë një gotë ujë, qoftë atij që ka shërbyer vetëm një ditë në UÇK, atij që ka spiunuar për njërin apo klanin tjetër dhe të gjithë të interesuarve për të marrë një status të caktuar të veteranit, pjesëtarit, pjesëmarrësit, invalidit, etj.

Është gjë krejt e natyrshme që në konkurset publike të aplikojnë njerëzit, meqë ishte propaganduar se paga mujore do të kalonte 200 euro dhe rezultati i këtij aplikimi ishte katër fish më i madh.

Po të ishte kërkuar verifikimi fiktiv i veteranëve, sa për vërtetim moral, në shërbim në kombit atdheut, e them me përgjegjësi se nuk do të kishin aplikuar as 15 mijë prej tyre, por fakti se ishte paraparë që ata do të merrnin pagë mujore, vuri në lëvizje tërë një makineri mashtruesish, matrapazësh, parazitësh që kanë penguar luftën, mijëra nga ata që kishin dezertuar dhe pas luftës morën uniforma të reje e të hekurosura në Shqipëri e Maqedoni  dhe hynë “triumfalisht” në Kosovë, mijëra  faqezi që e kanë sharë dhe e shajnë luftën dhe tërë një soj-sorollop që nuk lënë gur pa lëvizur për të zhvatur, për të përfituar, për të ndukur diçka, gjithnjë duke u ankuar, gjithnjë duke u paraqitur viktimë,  si të papunë  apo të  varfër.

Komisioni Qeveritar për Verifikimin e kategorive të luftës kishte qenë i detyruar të pranonte çdo aplikacion, me qëllim për të verifikuar statusin dhe në fund doli se gjysma e atyre që kishin aplikuar të shpalleshin veteranë. Më vonë u shpallen edhe 20 mijë të tjerë të cilët ishin refuzuar. “Suma sumarum”, të gjithë aplikantët na dolën veteranë e invalidë. U shtua edhe numri i dëshmorëve nga 1930, sa ishte në fund të luftës në më shumë se 2300.  Numri i invalidëve u trefishua, nga rreth 1400 sa ishin evidentuar pas luftës, tani numri arriti në 4500.

  Kush mbanë përgjegjësi për këtë dështim, për këtë degradim fatal të vlerave luftës?

Kush mbanë përgjegjësi për shpalljen veteranë të mijëra dezertorëve, që cilët ikën nga lufta dhe u kthyen fitimtarë pasi mbaroi ajo, pasi  NATO-ja hyri në Kosovë?

Dihet fare mirë se në Dukagjin me rastin e dezertimit të Tahir Zemës, në verë të vitit 1998 Ramush Haradinajt i kishin mbetur vetë 60 ushtarë besnikë. Nuk mund të fajësohen të gjithë ata që ikën me urdhër, sepse disa pa vonuar edhe u kthyen, por një shumicë syresh erdhi në Kosovë pas mbarimit të luftës. Jo vetëm në Dukagjin ka ndodhur kështu. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Zonën e Pashtrikut, pas intervenimit të NATO-s kundër makinerisë serbe në prill të vitit 1999 kur disa brigada të kësaj zone, të cilat në pamundësi për t’ i rezistuar makinerisë serbe kishin kërkuar nga ushtarët t’ia mbathin ku të mundnin, ndërsa disa syresh kishin shpëtuar duke ikur në Shqipëri.

Si ndodhi që Zona e Llapit pesëfishoi numrin e veteranëve?

Si ndodhi gara mes Zonës së Drenicës dhe Dukagjinit për të shpallur sa më shumë veteranë?

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për shpalljen veteran të atij që  ka qenë vetëm njëherë në zonat e luftimeve?

 Nëse një i tillë ditën e kyçjes në UÇK është vrarë, ai është i shpallur dëshmor apo martir.

A fitohet apo humbet kredibiliteti dhe vlerat e luftës duke rritur artificialisht  numrin e pjesëmarrësve në luftë?

Një digresion

Pas luftës së Dytë Botërore, kur komunistët e Fadil Hoxhës morën pak  pushtetin vasal të Beogradit e Titos në Kosovë, me qëllim për ta rritur numrin e partizanëve, që ishte tejet i vogël, ishte marrë vendimi që me dy dëshmitarë të caktuar të shpallej pjesëmarrja në Luftën Nacionalçlirimtare, Antifashiste. Zhbiruesit dhe hafijet e asaj kohe, ata që kishin spiunuar  herë te ballistët, herë te ata pak partizanë shqiptarë, u shpallen luftëtarë dhe morën pensione jetësore, jo sa vlera e sotme 170 euro, por më shumë se 600 apo 700 euro, po të kemi parasysh vlerën e dinarit të asaj kohe.  Pastaj partizanët e Fadil Hoxhës bënë përpjekje ta shkruajnë monografinë me emrat e dëshmorëve partizanë në  edicionin: “Flaka e revolucionit”. Sapo arritën në numrin e shtatë, e ndërprerën botimin, sepse nuk u dolën më shumë se 160 dëshmorë dhe shumica syresh ishin serbë e malazezë të Kosovës. 

E njëjta po ndodh edhe me veteranët e UÇK-së. Tani regjistrohesh veteran  jo me dy dëshmitarë, si në kohën e Fadil Hoxhës, por vetëm me një nënshkrim të një komandanti të papërgjegjshëm, apo të blerë me para. Me nënshkrimin e dy mjekëve të luftës shpallesh invalid, pa qenë kurrë në luftë, ose pa pësuar asnjë gërvishtje.

Nuk ka mbetur tjetër, pos për një çast të përkujtojmë shkrimtarin dhe poetin e madh, Ali Asllani, i cili duke iu referuar mujsharëve të kohës së tij kishte shkruar: Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakejve, hani, pini e rrëmbeni, është botë e maskarenjve. Deri këtu ka arritur degradimi i luftës së UÇK-së dhe krejt kjo është bërë me udhëheqjen e një politikë tinëzare e perfide, me qëllim për të degraduar vlerat e vërteta të luftës sonë çlirimtare dhe me qëllim të krijimit të bindjes se nuk dihet kush ka luftuar, apo a ka pasur fare luftë, përderisa është lejuar të barazohet tradhtari me heroin, luftëtari me dezertorin, ai që ka luftuar më shumë se 1o vjet, të barazohet me atë të ka qenë vetëm një natë në UÇK. Krejt kjo fushatë po bëhet me qëllim që kur të fillojë punën Gjykata Speciale kundër UÇK-së,  të degradohet përfundimisht koncepti i luftës çlirimtare. Lufta e UÇK-së nuk i hëngri bijtë e saj, por bijtë e saj shkapërdarë po e hanë dhe po e degdisin në humnerë. Të shpresojmë se një pjese të mujsharëve, nga ata që janë dëshmitarë të mbrojtur të Tribunalit, dhe që mjerisht kanë vepruar nën uniformën e UÇK-së,  të ua zë frymën gjaku i derdhur rrëke për liri, sepse ai gjak kurrë nuk do të zbehet nga memoria kombëtare. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …