Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin 2020,  veterani i arsimit dhe i UÇK-së, Ramadan Rizani nga fshati Krojmir i Drenicës, ka botuar dhe përmbledhjen me tregime:   “Loti që nuk shuhet kurrë”, me tematikë nga lufta e UÇK-së por edhe rrëfime të tjera.

Tani ai  nxori në dritë dy përmbledhje poetike:  “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”.

Poezia e Ramadan Rizanit është përkushtuese, e motivuar me dashuri për luftën e UÇK-së, dëshmorët e martirët dhe  kryesisht me  ngjarje e ndodhi të luftës, por nuk mungojnë as edhe poezi me motive  të pasluftës.

Në përmbledhjen poetike “Mos mi hap plagët e reja”  Ramadan Rizani  shkruan lirshëm, madje nganjëherë edhe shfrenueshëm, po gjithnjë me sinqeritet e atdhedashuri, gjithnjë në përpjekje për të  mbrojtur vlerat e luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat  janë atakuar dhe po atakohen nga  shumë drejtime.

Ramadan Rizani shkruan për Adem Jasharin, Adem Demaçin, Hamzë Jasharin për dëshmorët e martirët, për martirët  e Reçakut, u kushton poezi  katër dëshmorëve të Krojmirit, si dhe poezi për aktualitetin. Libri ka 78 faqe, botoi LENA në Prishtinë.

Përmbledhjen poetike “Ç’faj kam unë” e fillon me Masakrën që e kishin kryer ushtarët e policët serbë  në vjeshtë të vitit 1998, në fshatin Abri të Drenicës. Edhe poezitë e kësaj përmbledhjeje i përkasin motiveve të ndryshme, prej atyre të luftës deri te ato të përditshmërisë, qofshin kujtime të veçanta shoqërore, familjare, qofshin përkushtime, kryesisht të frymëzuara dh të motivuara nga jeta personale në raport me rrjedhat shoqërore. Libri ka 82 faqe, botoi LENA në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …