Viktor Malaj: Kanë 27 vjet që bëjnë rolin e grenzave, gjithmonë të inatosur, të zemëruar, zhurmëmëdhenj dhe punëpakë, fjalëshumë dhe mendjezbrazët…

Në të gjithë botën karakteri dhe morali i politikanëve lë shumë për të dëshiruar por vështirë të gjendet një vend tjetër si Shqipëria ku një grusht horrash dhe gangsterësh politikë, jo vetëm janë të tillë por kanë aq guxim dhe pafytyrësi sa të bëjnë pa pushim rolin e moralistit, avokatit të së drejtës dhe luftëtarit të së keqes, megjithëse janë përfaqësuesit më të denjë të imoralitetit politik, ligjshkelësit më të pandreqshëm të rendit kushtetues dhe adhuruesit këmbëngulës të banditizmit politik të “nënës parti”  dhe “atit politik” që iu përkasin.

Gjithmonë të inatosur, të zemëruar, zhurmëmëdhenj dhe punëpakë, fjalëshumë dhe mendjezbrazët, ata kanë 27 vjet që bëjnë rolin e grenzave. Ndryshe nga bleta punëtore, ata dinë vetëm të gumëzhijnë dhe të pickojnë cilindo që u rrezikon folenë, të helmojnë të sotmen nëpërmjet keqpërdorimit të së djeshmes, të shiten si progresistë ndërsa janë bartësit më të qartë të regresit. Të sprovuar disa herë në pushtet dhe po aq herë të dështuar dhe diskredituar, duke mos u udhëhequr prej kurrfarë idealesh dhe duke mos pasur kurrfarë ideshë dhe parimesh, ata, me këmbënguljen e të marrëve dhe pafytyrësinë e të ligjve, vazhdojnë prej tri dekadash të përdorin historinë si armë politike, jo historinë e vërtetë por sajesat, trillimet, shtrembërimet dhe keqinterpretimet e fakteve historike.

Duke qenë krejtësisht të paaftë të krijojnë shtet për popullin por mjaft të shkathët dhe të paskrupullt për të rrëmbyer pushtet dhe krijuar pasuri për vehte, kjo skotë dështakësh në shërbimin ndaj vendit e popullit rrëmbejnë shpatën e antikomunizmit sa herë e ndiejnë se kanë humbur besimin e popullit. Këtë fole grenzazh politike e përbëjnë kryesisht dy kategori social – politike: Të parët janë disa ish -” komunistë ” apo pasardhës të familjeve të tilla të cilët, pasi nuk lanë gjë pa bërë këto 27 vjet nën maskën e të djathtës në pushtet apo opozitë, tani i vërsulen cilitdo që nuk është me ta por që gëzon besimin e shumicës së popullit. Sipas moralit dhe formimit të tyre, nëse ke qenë antar i PPSH-së apo funksionar shtetëror i asaj kohe, edhe pse s’ke kryer asnjë krim, duhesh damkosur si kriminel dhe nuk duhesh lejuar të kesh asnjë funksion politik apo administrativ sot. Por, po sipas moralit të tyre, ti mund të jesh një horr, batakçi, hajdut, falsifikator, mashtrues dhe, madje, edhe vrasës e, megjithatë ke të drejtë të konkurosh dhe të drejtosh vendin sepse je antikomunist.

Kategoria e dytë janë disa pasardhës të ish – të persekutuarve të regjimit të para 1990 të cilët bëjnë çmos që paraardhësit e vet të na i shesin en block si intelektualë, atdhetarë, të pafajshëm, engjëj etj. dhe japin alarmin kur dikush që ka pasur çfarëdo funksioni para 1990 apo ndonjë pasardhës i tyre arrin të zgjidhet deputet apo të marrë detyra shtetërore sot. Megjithë respektin vetëm për të persekutuarit e pafajshëm, më duhet të them se këta individë nuk kanë kuptuar asgjë nga ndryshimet politike. Ata vazhdojnë të besojnë se ndërrimi i sistemit politik nga njëpartiak në shumëpartiak nuk do të thotë e drejtë e kujtdo për pushtet, mjafton që organet e drejtësisë të mos e kenë gjetur fajtor, por, sipas tyre, e drejta e pushtetit politik dhe e funksioneve shtetërore iu takon vetëm atyre që ” nuk kanë bo hajër ” para 1990. Po të trajtoheshin sot të gjithë duke u bazuar në biografitë e paraardhësve, radioskopia politike dhe morale do t’i nxirrte jo pak prej këtyre individëve me ” mushkëritë blozë ” si pasardhës të bashkëpunëtorëve të pushtuesve, spiunë të zbulimeve të huaja, agjentë dhe terroristë të klasit të parë, vrasës grashë, fëmijësh dhe njerëzish të pafajshëm.

Për të dyja kategoritë e lartpërmendura, antikomunizmi, si atëhere kur është i shtirë edhe kur është i vërtetë, nuk mund të shërbejë as si alibi dhe as si amnisti as për moralin dhe veprimet vetjake dhe as për moralin dhe veprimet e paraardhësve të tyre.

Të dyja kategoritë e individëve të lartpërmendur i fillojnë ligjëratat dhe mashtrimet me falsifikime, deformime dhe keqinterpretime të fakteve historike, të djeshëm dhe të sotëm. Përpiqen parreshtur të na bindin se ” PD përmbysi diktaturën ” (A. Patozi dhe të tjerë) megjithëse PD u krijua pasi diktatura lejoi paqësisht pluralizmin. Pra, pluralizmi politik, që do të thotë rënia de jure e sistemit diktatorial, nuk erdhi si pasojë e betejave të PD-së por PD-ja vetë ishte produkt i fshehtë dhe i hapur i makinacioneve të një pjese të elitës drejtuese komuniste që lejoi pluralizmin politik. Sipas falsifikatorëve të historisë në shërbim të politikës, pluralizmi dhe sistemi ” demokratik ” u vendosën kur fitoi PD-ja pushtetin dhe jo më parë. Aspekt i këtyre mashtrimeve është edhe rasti më i fundit i zgjedhjes së z. Gramoz Ruçi në detyrën e Kryetarit të Parlamentit Shqiptar. Si gjithmonë, në krye të sharlatanizmit politik do të shfaqet ai, kryebanditi politik i këtyre 27 viteve, Sali Berisha i cili tha se ” Dita e sotme ishte dita më e zezë në tërë historinë e pluralizmit shqiptar “. Sipas autorit të dhjetëra krimeve monstruoze ndaj vendit dhe popullit gjatë këtyre 27 viteve, zgjedhja e një ish – drejtuesi partie rrethi periferik si kryetar Parlamenti është ” ditë zie kombëtare ” por zgjedhja si kryetar partie, deputet, President dhe Kryeministër i një tjetër drejtuesi partie me emrin Sali Berisha i cili është autori kryesor i dhunës verbale dhe fizike të këtyre 27 viteve, frymëzuesi dhe drejtuesi i akteve kriminale të djegieve të qyteteve shqiptare në 1990 – 1992, i falsifikimeve dhe dhunimeve të proceseve zgjedhore, i dhunimit e burgosjes së gazetarëve dhe djegies së redaksive të gazetave, i inicimit të luftës veri – jug, vrasjeve në Vlorë, Përmet etj. dhe dërgimit të ushtrisë kundër popullit në 1997, i dhunimit të institucioneve dhe marrjes me dhunë të pushtetit në 1998, i dhënies së pjesëve të territorit shqiptar fqinjëve, i kontrabandës së naftës me vrasësit e popullit të Kosovës dhe frymëzuesi e avokati i vrasjeve të 21 janarit 2011 etj., zgjedhja e këtij individi, pra, duhet konsideruar fatbardhësi kombëtare.

Në vazhdën e moralit të “Babës ” u shpreh edhe një grenzë politike, tashmë e papërfillur nga foleja e vet, e cila, jo vetëm i ka pas shprehur besnikërinë e përjetshme ” Babës ” së lartpërmendur por e ka pas fajsuar ” pse nuk iu dha plumbin protestuesve të marsit 1997 ” dhe i bënte thirrje popullit shqiptar në 2016 të rrëmbente armët ( dihet pse përdoren ato ). Kjo tha se ” …opozita votoi simbolin e komunizmit “. Një tjetër grenzë që s’i lejohet hyrja në folenë e zhurmshme, A. Patozi e quajti Ruçin ” Ministri i tmerrshëm i diktaturës ” ndërsa një ish – i persekutuar i djeshëm dhe i papërfillur i sotëm me emrin T. Alizoti u shpreh se ” G. Ruçi ka qenë Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Sigurimit Kriminal të Shtetit “.

Individët e mësipërm dhe dhjetëra sharlatanë të tjerë nuk duan t’ia dinë për të vërtetat historike pasi ata kanë zgjedhur ta sajojnë historinë në shërbim të keqpërdorimit të saj për nevojat e veta. Ata bëjnë sikur s’e dinë se G. Ruçi, nga një mësues, në fund të viteve ’80 ishte bërë drejtues i PPSH-së për Tepelenën dhe në këtë pozitë e gjeti viti 1990 kur ra sistemi politik. Ata nuk duan t’ia dinë se Ruçi u vu Ministër i Brendshëm në 23 shkurt 1991 dhe shërbeu aty vetëm për dy muaj. Në atë kohë as që mund të flitej për diktaturë ashtu siç nuk mund të flitej as për demokraci, për të cilën nuk mund të flitet as sot. Ruçi nuk ka qenë asnjëherë Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe si i tillë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fajet që ka bërë Sigurimi kur ai s’kishte lindur apo s’kishte kurrfarë lidhjesh me të. Njerëzit nuk mund të mbahen përgjegjës për postet që kishin apo kanë por për veprimet që kanë bërë apo bëjnë.

Në fillim të këtij shkrimi kam cituar dy herë njërin prej figurave më qesharake dhe më të paskrupullt të politikës shqiptare, drejtuesin më të pavlerë dhe të rremë të opozitës kryesore shqiptare. Ky bufon politik e quan zgjedhjen e Ruçit të turpshme dhe e bën përgjegjës për ngjarjen e 2 prillit 1991. Duhet të jesh i zhveshur tërësisht nga çdo skrupull moral, nga çdo ndjenjë përgjegjësie qytetare dhe publike, pa dinjitet dhe integritet vetjak që, ndërsa ke qenë vetë Ministër i Brendshëm dhe i pranishëm në vendngjarje kur janë vrarë katër protestues të pafajshëm në mes të kryeqytetit dhe është vërtetuar nga sistemi i drejtësisë se autorët ishin vartësit e tu dhe se ishin fshehur provat filmike dhe ti vetë as ke denjuar të paraqitesh në prokurori dhe gjykatë për të dëshmuar rreth ngjarjes, tani të akuzosh Ruçin për një ngjarje për të cilën ai ka dëshmuar në të gjitha fazat e procesit penal dhe ” drejtësia ” e pushtetit dhe e ” babait ” tënd politik as e ka gjetur të vërtetën dhe vetë Ruçin e ka shpallur të pafajshëm, kjo do të thotë se je përfaqësuesi më ekstrem i pafytyrësisë qytetare dhe i ligësisë politike.

Mirëpo, çfarë mund të presësh tjetër nga një individ politik i cili, jo vetëm s’ka kurrfarë kontributesh në të mirë të shoqërisë shqiptare por, në të gjitha postet e larta politike që e kanë katapultuar ka kryer krime për të cilat nuk ka dhënë llogari dhe as është paraqitur në gjykim por i ka mbyllur proceset penale duke përdorur pushtetin e lartë politik. Ky individ, trashëgimtar i denjë i padenjësisë politike berishiste, i padëshiruar nga shumica e partisë së vet, duhet që së pari të fitojë besimin e familjes së vet politike dhe pastaj të shkojë në Mekë çdo vit dhe t’i lutet Allahut ta falë për mëkatet që ka bërë e, pasi t’i sjellë popullit shqiptar një ” Dekret Faljeje ” nga Perëndia, të pretendojë të na japë leksione morali dhe të drejtojë vendin. Mirëpo, unë besoj se edhe po të fusë si ndërmjetës Papën e Romës dhe gjithë Krerët e Fesë Islame të botës nuk do të mund ta sigurojë një dekret të tillë. Nën shembullin dhe me frymëzimin e themeluesit të ” shkollës politike “, të cilës shpall me krenari se i përket, ai nuk përfill as historinë, as të vërtetën, as drejtësinë por vetëm interesat e veta politike dhe materiale. Siç thotë populli shqiptar, ai kërkon të jetë ” Vetë Ali e vetë kadi “.

Gjithë zhurma e paskrupullt dhe imoraliteti me të cilin e kanë shoqëruar ngjarjen e 2 prillit PD dhe drejtuesit e saj kryesorë më kujton një emision të dhënë para disa vitesh nga kanali televiziv i historisë (History Channel ). Pas vrasjes së një adoleshenteje në një qytet të vogël amerikan në vitet ’90 qindra banorë dhe të afërm të viktimës dolën në një protestë paqësore kundër krimit në rrugët e qytetit. Një oficeri policie i veshur civil dhe që qëndronte midis turmës i ra në sy një burrë rreth të dyzetave i cili, jo vetëm ishte më agresiv se të tjerët por demonstronte edhe sjellje të çuditshme që nuk përputheshin as me turmën dhe as me misionin e protestës. Pasi iu afrua individit në fjalë, e pyeti se a kishte lidhje gjaku apo shoqërore me viktimën. Përgjigjja e ” të revoltuarit të veçantë ” ishte: Jo, nuk e kam njohur viktimën por nuk e duroj dot krimin dhe kërkoj siguri për qytetin dhe banorët e tij. Oficeri i policisë iu prezantua dhe i kërkoi dokumentin e identifikimit. Pasi mbaroi protesta dhe shkoi në zyrat e policisë, oficeri në fjalë konstatoi se rekordet e policisë e tregonin ” protestuesin e veçantë ” si individ me precedentë penal dhe si kontigjent i policisë. Pas një investigimi, gjurmimi dhe hetimi tre mujor rezultoi se ” protestuesi i zemëruar ” ishte autori i vërtetë i vrasjes së adoleshentes.

Duke konsideruar ngjarjen e 21 janarit 2011 dhe akuzat e Sali Berishës dhe bandës së tij për vrasje të protestuesve nga vetë protestuesit apo organizatorët e protestës dhe pastaj faktin që u provua shkencërisht nga drejtësia se autorët ishin vartësit e akuzuesit, nuk ka fare çudi që shqiptarët të bëjnë paralelizmin me ngjarjen e 2 prillit 1991 dhe akuzat e PD-së, Berishës dhe këtij laros së fundit dhe keqpërdorimin e pafund të ngjarjes prej tyre, dhe pastaj të arrijnë në përfundimin se kush gënjen një herë – gënjen përherë, kush akuzon të tjerët një herë për krimet e veta i ka të gjitha gjasat që këtë gënjeshtër ta përsërisë papushim, në të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen.

Nëse zgjedhja e Ruçit në krye të Parlamentit qenka “e turpshme” dhe “dita më e zezë e pluralizmit shqiptar”, atëhere mosqenia në burg e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për shumë krime monstruoze me pasoja mbarëkombëtare është një akt i padrejtë antipopullor, antinjerëzor dhe antikombëtar dhe përbën ” dekadën më të zezë të pluralizmit shqiptar “.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …