leoni

Xhevat Haxhi Demaku (22.10.1974 - 7.4.1999)

Xhevat Haxhi Demaku (22.11.1974 – 7.4.1999)

Përveç fshatrave, tanimë të njohur në historinë tonë më të re të rezistencës heroike kundër okupatorit serb, sikur janë Prekazi, Gllogjani, Reçaku, Rezalla, Likoci, një kontribut tejet të çmuar luftës për çlirimin e Kosovës i ka dhënë edhe djalëria trime e fshatit Abri. Luftës së UÇK-së Abria e Epërme i ka dhënë rreth100 dëshmorë e martirë.

Familja Demaku e këtij fshati, qysh heret ishte përcaktuar për luftë kundër okupatorit. Në luftën heroike të qëndrestarit të Drenicës, Shaban Polluzha, kanë marrë pjesë edhe shumë luftëtarë nga Abria, në mesin e tyre, në logun e luftimeve asokohe, ka rënë trimërisht Zeqir Selman Demaku, gjyshi i dëshmorit Xhevat Demaku, ndërsa nga kjo familje, luftës së UÇK-së iu bashkua, po thuajse e tërë djalëria e aftë për armë. Në mesin e tyre shquhen: Xhevat Demaku, dëshmor i kombit; Jahir Demaku, komandant i pikave luftarake Guri 1, 2, 3; Fadil Demaku, Musli Demaku, dëshmorët: Bedri Demaku, Driton Demaku, Vesel Demaku e të tjerë.
Xhevati lindi më 22.11.1974, në Abri të Epërme. Babai, Haxhiu dhë nënë Qamilja, në jetën e tyre bashkëshortore, lindën dhe rritën shtatë bij e bija. Mësimet fillstare, Xhevati i mori në shkollën Shote Galica të fshatit. Duke qenë se ishte i zgjuar, mësimet i mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollën e mesme, drejtimin e shkencave shoqërore të gjimnazit, e kreu në Qendrën shkollore Skënderbeu në Drenas, po kështu me sukses meritor.
Në vitin shkollor 1996 – 1997, Xhevat Demaku regjistrohet në fakultetin ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, meqë asokohe në Kosovë kishte filluar stina e armëve çlirimtare, i ndërpret studimet dhe fillon rrugën e pakthim drejt lirisë së trojeve të robëruara të atdheut.
Aktiviteti luftarak i djalërisë trime të Abrisë kishte filluar qysh në vitin 1995. Vëllai i Xhevatit, Jahir Demaku, mbante lidhje me luftëtarin e mirënjohur të Drenicës, Musa Jashari, kushëriri i legjendarit, Adem Jashari. Grupi atdhetar militant i kësaj pjese malore të Drenicës, asokohe përbëhej prej Rasim Kiçinës, Jahir Demakut, Muharrem Xhemajlit, Imer Xhemajlit, Fadil Demakut, Valdet Xhemajlit, Sokol Ramës, Zejnë Demakut, Jahir Hajdarajt nga Dobrashevci, Isa Xhemajli, Sabit Lladrovci e të tjerë. Xhevat Demaku ishte caktuar nga vëllai, Jahiri, të bënte sigurimin e grupit, në kohën kur bashkëluftëtarët mbanin tubime dhe hartonin plane për luftën e ardhshme çlirimtare. Ky grup militant, që askohe përfshinte rininë atdhetare të fshatrave Abri e Epërme dhe Abri e Ulët, Tërdec e Baicë, veproi në drejtim të sigurimit të armatimit, për nevojat e celulave të para të UÇK-së.
Në kohën e paraqitjes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, grupi i UÇK-së në Abri të Epërme kishte sistemuar edhe pikat e mundshme vepruese, të cilat më vonë do të emërtohen Guri 1, Guri 2 dhe Guri 3. Pas betejës heroike në Qirez dhe në Likoshan të Drenicës, luftëtarët e Abrisë të njësiteve Guri fillojnë zgjerimin e radhëve edhe në Bjeshkët e Kozmaqit. Më 4 mars të vitit 1998, një ditë para fillimit të luftimeve titanike të legjendarit Adem Jashari, luftëtarët e formacionit Guri, dalin publikisht dhe vendosin pika kontrolli në vende të caktuara.

Prej marsit e deri në korrik të vitit 1998, Kulla e Haxhi Demakut, babait të Xhevatit, ishte vendstrehim i sigurt për luftëtarët e këtyre pikave luftarake. Në këtë odë të trimërisë shekullore drenicare kanë qëndruar në kohën e luftës: Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Rasim Kiçina, Besim Malaj, Valdet Xhemajli, Mehedin Morina, Gani Paçarizi, Gani Kastrati, Mujë Krasniqi, Ismet Jashari, Ilaz Kodra, të gjithë eprorë dhe luftëtarë të mirënjohur, tani dëshmorë të kombit. Në këtë kullë kanë qëndruar edhe krerët ushtarakë dhe politikë të luftës, si: Sami Lushtaku, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Imri Ilazi e shumë të tjerë.
Njësite guerile luftarake Guri kanë marrë pjesë edhe në zënien e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj 1998. Në mesin e luftëtarëve pjesëmarrës në zënien e kësaj gryke, përveç njësiteve Lumi dhe Pëllumbi, nga njësitet Guri marrin pjesë Xhevat Demaku, Muharrem Xhemajli, Fadil Demaku, vëllai i dëshmorit Xhevat Demaku, Imer Xhemajli e shumë të tjerë. Po atë ditë u plagos edhe xhaxhai i Xhevatit, Musli Demaku.
Xhevati mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Grykën e Llapushnikut më 29 maj 1998, me ç’rast forcat serbe kishin bërë përpjekje për ta marrë nën kontroll Grykën. Në luftimet e asaj dite plagoset vëllai i Xhevatit, Fadil Demaku.
Barrikadini i Grykës së Llapushnikut ndikoi në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Forcave serbe iu kishte ndërprerë arteria më strategjike për depërtim në zonën e kufirit dhe për furmizimin e pikave ushtarake me ushtarë, policë dhe municion. Kjo barrikadë e luftës çlirimtare forconte moralin e luftëtarëve liridashës të të gjitha trojeve të robëruara.
Xhevati, së bashku me shumë luftëtarë të formacioneve Guri ka marrë pjesë edhe në mbrojtjen e Grykës së Llapushnikut, me rastin e ofensivës serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998. Asokohe në mbrojtje të kësaj barrikade, nga pikat Guri, përveç Xhevat Demakut kanë marrë pjesë edhe Rasim Kiçina, Jahir Demaku, Zejnë Demaku, Imer Demaku, Fadil Demaku etj.
Nën përkujdesje të vëllait, Jahirit dhe të bashkëluftëtarëve, Xhevati, stërvitet në përdorimin e granatëhedhësit të dorës tip 500. Ishte tërë shend dhe ngazëllim kur godiste caqet e armikut. I gatshëm kurdoherë për sulm, Xhevati nuk ndalonte vetëm në zonën e pikave Guri. Ai, së bashku me Ragip Halilajn, merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në gusht të vitit 1998, në vijën e frontit: Marinë-Rezallë-Likoc. Prej datës 12 deri më 22 shtator 1998, Xhevat Demaku, së bashku me vëllanë Nexhatin, me Fehmi Ramën nga Likoci e shumë luftëtarë të tjerë, merr pjesë në luftimet që asokohe u zhvilluan kundër forcave serbe, të cilat bënin përpjekje të depërtonin në Likoc. Gjatë asaj periudhe të luftimeve plagoset vëllai i Xhevatit, Nexhati. Prej 22 deri më 26 shtator të po atij viti, Xhevati merr pjesë në mbrojtje të fshatrave Baicë e Abri, së bashku me Rasim Kiçinën, Afrim Kiçinën e shumë të tjerë. Më 25 shtator 1998, bie në altarin e atdheut, Afrim Kiçina, bashkëluftëtar i dëshmorit Xhevat Demaku.
Me rastin e ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Drenicës krijon katër brigada, të cilat mbulonin zonën e Drenicës. Xhevat Demaku, duke qenë luftëtar i zellshëm dhe i sprovuar në beteja, sistemohet në Brigadën 111 Adem Jashari, me ç’rast caktohet komandant toge.
Më 10 nëntor të vitit 1998, së bashku me Rasim Kiçinën dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë merr pjesë në sulmin mbi stacionin policor në Drenas. Xhevati kishte goditur pikën policore me armën e tij të preferuar dhe shumë të dashur, granatëhedhësin 500.
Në periudhën kohore prej janarit deri në mars të vitit 1999, Xhevat Demaku merr pjesë në shumë luftime që u zhvilluan në zonën e Drenicës qendrore. Mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në fshatin Negroc, më 16 janar të vitit 1999. Ka marrë pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar në Zonën Operative të Shalës, së bashku me vëllanë, Jahir Demaku dhe me bashkëluftëtarët Ragip Halilaj, Murat Tahiri e të tjerë. Asokohe, Xhevati plagoset, gjatë një sulmi kundër forcave armike, në Lagjen Lushtaku të Prekazit.
Më 23 mars të po atij viti, Xhevat Demaku me “zollën” e tij, në fshatin Kryshec godet një automjet të forcave policore, në kohën kur pjesëtarët e atyre forcave po bënin përpjekje ta tërhiqnin pjesëtarin e tyre të plagosur.
Më 27 mars 1999, Xhevat Demaku, së bashku me bashkëluftëtarët: Ferid Berisha, i mbiquajtur Shkupi, pastaj me Zeqir Demakun, Murat Tahirin, Besim Vrellakun e të tjerë, merr pjesë në sulmin kundër forcave serbe në fshatin Plloçicë. Me armët e tij, granatahedhësin 500 dhe zollën, Xhevati deri në atë kohë kishte goditur dhe asgjësuar 13 automjete e blinda të forcave armike.
Në ditët e fundit të marsit, së bashku me vëllanë, Jahirin, epror i lartë i UÇK-së në zonën e Drenicës, Xhevati merr pjesë në tërheqjen e të plagosurve nga fshati Abri në Gradicë.
Më 6 prill 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmarrin ofensivë në relacion Makërmal-Likoc, në drejtim të fshatrave Abri e Epërme-Abri e Ulët. Luftimet e pandërprera zhvillohen gjatë tërë ditës, në të gjitha vijat e frontit. Atë ditë forcat serbe nuk arrijnë të hyjnë në Abri.
Te nesërmen më 7 prill, serbët avancojnë deri në hyrje të fshatit Abri e Epërme. Ata, sipas të dhënave të publikuara asokohe, patën dhjetëra të vrarë e shumë më tepër të plagosur. Atë ditë serbët pozicionohen në Lagjen Xhemajlaj të Abrisë. Xhevat Demaku me disa bashkëluftëtarë të togës së tij, iu shkon në ndihmë forcave çlirimtare. Serbët u ndodhën të rrethuar, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe shumë të plagosur. Në kohën kur Xhevati po bënte përpjekje të likuidonte serbët që ishin futur në shtëpinë e Hajdar Xhemaljit, duke hyrë brenda, e godet me armë militar serb i plagosur. Bashkëluftëtarët e Xhevatit hapin zjarr, me qëllim të tërheqjes së trupit të tij. Në përpjekje për ta tërhequr Xhevatin bie dëshmor edhe luftëtari, Imer Shala, nga Miradia e Epërme. Po atë ditë plagosen edhe luftëtarët, Xheladin Xhemajli, Besim Vrellaku dhe Driton Rama. Duke qenë se forcat serbe ishin ripozicionuar, komandanti, Jahir Demaku, urdhëron tërheqjen e luftëtarëve, duke qenë se serbët kishin epërsi në këmbësori. Po atë ditë bie dëshmor te lagjja Demaku edhe Bedri Demaku, në përpjekje për t`i tërhequr të plagosurit.

Duke qenë se forcat serbe kishin pësuar humbje të shumta, në shenjë hakmarrjeje godasin me armë artilerie në mesin e popullatës së zhvendosur në fshatin Qabiq, me ç’rast martirizojnë 10 civilë. Nga arma vrastare e armikut po atë ditë martirizohet edhe motra e Xhevatit, Fatimja dhe djali i saj, Mirgeti, katërvjeçar, ndërsa me rastin e atij sulmi barbar, merr plagë të rënda edhe Drenusha pesëvejeçare, bija e Fatimes, motrës së Xhevatit, e martuar për Agim Gashin nga fshati Qabiq. Në pamundësi për ta shëruar, mjekët e ambulancës ushtarake të Krojmirit, Drenushës ia amputojnë.
Në mbërmje, Sabit Halilaj shkon në Baicë për të lajmëruar prindërit e Xhevatit, babë Haxhiun dhe nënë Qamilen, se djali kishte rënë dëshmor.

I qoftë hallall mundi, thotë nënë Qamilja dhe shton, -kur ka arsye serbi me ardhë dhe me vdekë në vendin tonë, pse mos me vdekë për këtë dhe djemtë tanë. Nënë Qamilja nuk kishte nxjerrë lot. I fortë dhe stoik qe treguar edhe babë Haxhiu edhe pse kishte humbur djalin, bijën e martuar, nipin e vogël dhe kishte mbetur pa dorë mbesa e vogël, Drenusha.
Xhevati ka lënë prindërit: Haxhiun dhe Qamilen, vëllezërit: Zeqirin, Jahirin, Fadilin e Nexhatin.
Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e tij trimërore për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë, mirënjohje familjes së dëshmorit i ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së; Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Kuvendi komunal i Drenasit.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit kanë dëshmuar dhe kanë shkruar bashkëluftëtarët: Haki Xhemajli, Afrim Osmani, Agron Spahiu, Avni Tifeku, Avni Vrellaku e të tjerë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …