Ylli Mece

YLLI MEÇE: AI ISHTE “ÇEÇUA” QË TA JEPTE NË LULET TË BALLIT …E JO QEMAL LAME, QË I KA PLASUR DHE DELLI I BALLIT !

Nuk është aspak për tu çuditur, që përse Qemal Lame nga një funksionar i shtetit të proletariatit e ktheu pllakën dhe u bë një sahan lëpirës i letyrave që i hedh borgjezia e re shqiptare. Në fund të fundit të dy ja kanë nevojën njeri tjetrit, sepse kjo borgjezi nuk vjen dhe kurrë s’mund të vinte nga revolucionarët e vërtetë që çliruan dhe ndërtuan Shqipërinë, por vjen nga soji dhe sorollopi i degjenerimit të pjesës më të shëmtuar të PPSH-se, asaj e cila kishte kohe që i ishte futur rrugës së tradhtisë.

Qemali i djeshëm, i duhet kapitalizmit të sotëm shqiptar për ta anatemuar socializmin, komunistet e vërtete, klasën punëtore dhe shoqërinë shqiptare te asaj kohe dhe nga frika që e pat zënë se mos një ditë do t’i ktheheshin ata të cilët i ishin kundërvënë pushtetit të popullit, apo familjet e atyre që ai dikur i pat venë në bankën e të akuzuarve, sikurse nga ana tjetër

Qemali i sotëm i duhet një pjese të “masmedias” për tu mbushur mendjen reaksionarëve të djeshëm dhe llumit të sotëm, se ai ka qenë me kohë një “disident i heshtur” dhe kundër regjimit, por ja që nuk ja mbante dhe i dridheshin këmbët para Enverit. Që i dridheshin këmbët para tij këtë e besoj, sikurse mund të besoj se njerëz të këtij kallëpi dhe mund të pshurrnin nga frika sepse janë tipa që i përshtaten thënies: Erdhi mbreti?…Atëhere : Rroftë mbreti ! Iku mbreti? Në djall dhe poshtë mbreti ! Çudi e madhe me këta nëpunësit burokratë, sepse Enveri rrinte i gëzuar e këmbëkryq mes popullit dhe populli bashkë me të kuvendonte aq lirshëm e aq çiltërsisht sa rrallë mund të gjeje udhëheqës kaq popullor në botë.

Ka kohë që ky biçim surrati thirret nga “Klani” ballist i derivateve të beut Neki Starova, i cili gjithë entuziazëm e kanalizon bisedën te mëkatet e komunizmit madje deri te përfaqësuesi më në zë i tij Enver Hoxha etj..etj. Sigurisht që për nga natyra e punës e sektorit të hetuesisë e sidomos në periudhën më inkandeshente atë të komplotit të grupit puçist, fjala dhe e një hetuesi të zakonshëm përpara ekranit të TV, do të ndiqej me kërshëri, sikurse për hir të së vërtetës kështu u ndoq dhe Qemali i ndarë në dy pjesë, në dy kohë , në dy pushtete dhe në dy gjysma “qemalër” ose më saktë në dy gjysmakër.

I çoroditur sa s’ka ku të vejë, me përgjigjet e tij kontraditore, duke harruar ky palo “birbo” se çfarë ka deklaruar më parë po me gojën e vet në ekranet televizive, për ironi të teleshikuesve qëndron si një manikin plastik apo buratin me telekomandë. Aq i paqartë është në mendimet e tij sa që ai hera herës hesht sikur mendohet “ta thotë… apo mos ta thotë” teksa në fakt nuk është ashtu. Ai mendon se si e në çfarë mënyre duhet të gënjejë publikun.

Frikacaku, i cili i pati mbushur poturet plotë, ashtu si dikur ballistët në pragun e çlirimit 1944, ashtu dhe ai në vitin 92 ja mbathi nga Shqipëria duke kërkuar azil politik, azil ky që ju dha nga Gjermania ( arratisje politike) dhe jo largim me valixhen e emigrantit të varfër që largohet për bukën e gojës.. Mos vallë deri në ato vite, nisur nga karakteri i tij, Qemali, mendoi se tashmë që në pushtet erdhën ata që ne kishim përmbysur, mua fakirin, do më pijë e zeza, sepse jam objektiv në shënjestrën e hakmarrjes klasore? Dhe për të “vërtetuar” se Qemali në fakt, ka qenë kundër disa praktikave në fund të fundit pse jo dhe kundër vijës, të punës në sektorin e tij të hetuesisë apo dhe kundër mendimeve subjektiviste të Enverit i cili dëshironte arrestimin e Kadaresë, (apo pse jo se dhe grupe puciste nuk ka pasur, sipas tij !!!..), por kanë qenë sajesa të mendjes së “diktatorit” etj si këto i ftuari i ekranit “Klan”.

Me këtë rast Qemali, kërkon të marrë kartën e pafajësisë jo vetëm nga individë të caktuar dhe familjet e tyre, por dhe nga klasa politike aktuale në pushtet e jashtë saj. Kështu që me historitë e sajimit të dosjeve, hedh në tregun mediatik të vjellat e tij të gëlltitura nga një lugë me supë të helmët, për të çoroditur por dhe për të helmuar ndërgjegjen e njerëzve. Dikur ky klloun të cilit dhe në ekran duket sikur i ka ikur gjaku nga fytyra si e lyer me llak marangozesh, ka deklaruar se nuk ka patur grup puçist, por më vonë indirekt ai e pranon atë pa dashjen e tij, e pranon kur drejtuesi i emisionit e pyet nëse ishte vrasje apo vetëvrasje akti i Mehmet  Shehut. Qemali, i jep mendimin e tij prej”experti” se nuk ishte vetëvrasje por vrasje. Po kush e vrau Mehmetin?…Dhe Qemali le të kuptohet se e ka vrarë Kadriu. Po mirë or Qemal, po Kadriu përse do e vriste, ja e supozojmë për karrierë, po si është e mundur që Mehmeti shkroi dhe një letër me disa faqe drejtuar Enver Hoxhës dhe nga analizat daktiloskopike letra është autentike e Mehmetit, ju këto përse nuk i thoni. Ju thoni se nuk ju ka rënë në dorë materiali sekret që kompromentonte M. Shehun si agjent britanik me pseudonimin “BAB 008”, po si i bëhet kur vet ambasadori amerikan Withers e ka deklaruar shkurt: Po M. Shehu ka qenë në shërbimin tonë”, madje këtë gjë e ka deklaruar në gjyq dhe vet Fiqirete Shehu.

Nëse ju thoni se Mehmetin e vranë atëherë duhet të arrestoheshin të gjithë ekspertët e kriminalistikes dhe mjekësisë ligjore të cilët në mënyrë unanime kanë firmosur raportin duke e cilësuar vetëvrasje. Nëse nuk kishte grup puçist dhe ti firmose aktet e fundit të mbylljes së hetimeve, duke i nxjerrë padrejtësisht fajtorë atëherë duhet të dënohesh ti madje dhe sot të dënohesh nuk është aspak vonë, sepse kemi të bëjmë me një krim personal nga një njeri i veshur me pushtet që me veprimet e tij ka marrë padrejtësisht jetë njerëzish.

Pra nga ana jote kemi të bëjmë me dosje dhe dëshmi të sajuara nga ti dhe ekipi yt.. Pse nuk i the Enverit që nuk janë fajtorë, sikurse bëre dhe me Kadarenë?! Nuk paskish në këtë ekip një njeri të ndershëm profesionalisht i cili të deklaronte të kundërtën, pra të vërtetën shkencore, mbi bazën e analizave të sakta të vërteta e të pakundërshtueshme? Hipoteza e juaj është e qëllimshme dhe gjithë opinionin tuaj e ngrini mbi bazë hamendësie si në filmat fantastiko shkencorë për fëmijët adoleshentë, duke e kanalizuar problemin me rëndësi kapitale, si një luftë bërrylash në Byronë politike se kush do t’i zinte poltronin e vendit dhe zyrën e Enverit mbas vdekjes.

Ja e supozojmë se ishte ashtu, po ç’lidhje na paska kjo ,me ndienjën e karrierizmit të dy- tre personave në byro. Çudi e madhe që në kohën kur dy – tre ant.. të byrosë ëndërronin poste vjen e futet nëndetësja amerikane në Gjiri e Vlorës, gati, gati 2 muaj para vetëvrasjes së Mehmetit në prag të Kongresit të 8 PPSH- se dhe mbas gjithë këtyre, si shpjegohet që në fundin e shtatorit 1982 vjen Xh. Mustafa me porosi të amerikanëve të vriste Enver Hoxhën? Si shpjegohet që luftanijet amerikane prej vitit 1981- 82 shkonin e vinin nëpër Adriatik deri në portet jugosllave?

Këto janë fakte dhe deduksione logjike dhe jo hamendësi si ato të tuat, që nga lepur që të dridheshin këmbët u bëre trim dhe një ditë të bukur the : Le të bëhet ç’të bëhet, qoftë dhe sikur ta paguaj me jetën time unë do e mbroj I. Kadarenë, sepse duhet të mbroj figurën dhe reputacionin e Enverit, ngaqë Ismaili e ka lartësuar artistikisht figurën e udhëheqësit në atë shkallë sa që po të arrestohej Kadareja , do i hiqnin dhe librin nga qarkullimi dhe për rrjedhojë ulej dhe figura e Enverit. Shumë e djallëzuar duket deri në kufijtë e pa besueshmërisë, sepse ishte po ai Enver që poemën e Kadaresë ” Në mesdite u mblodh byroja politike” ( që mbas vdekjes së tij ja ndërruan titullin duke e quajtur enkas “Pashallarët e kuq”) ai,pra Enveri kërkoi të hiqej nga qarkullimi. E dini ju Lame se pse? Enveri e hoqi, sepse nuk kishte nevoje për kult individi, sepse ne këtë poeme ( nëse e ke lexuar)i thurej himne Enverit dhe ngrihej ai në piedestalin djallëzor prej servili sikur ai të ishte “njëshi” pra “ koka e zeusit”….dhe që po të mos ishte ai, Partine e mori lumi pra në poemë del se Partinë e formon dhe shpeton njëshi. Vlera artistike e poemës nuk mund të mohohet, por është antifilozofike anti dialektike.

 Enveri ishte kundër rolit kryesor dhe përcaktues të “ njëshit të partisë”, sepse ishte për rolin e masës së gjerë të të gjithë komunistëve te ndershëm dhe organizatave revolucionare me komunistë të vërtetë. Por Kadare lajkatari donte të “ fitonte pikë” para Enverit me vargjet që thuri, por tregoi se ishte i paditur në fushën e filozofisë dhe rolin e individit në histori.. Kadareja dhe mund të ketë pat dijen apo me intuitën e njeriut që ka mizën në kësulë të ketë kuptuar diçka ndaj dhe ai me ndërgjegjie të plotë i shkroi Enverit letër denoncuese për motrën e tij që fliste mbarë e prapësht, ku ai ( me partishmëri të lartë) ja numëron gjithë mëkatet e saj anti socialiste. Përse e bënte Kadareja këtë? Sepse dhe ai ishte si puna e juaj frikacak i madh dhe për të shpëtuar lëkurën e tij denoncoi të motrën.

Faktet e më vonshme sidomos mbas viteve 90-të të “komunistit” Kadare vërtetojnë katërcipërisht idetë e tij kundër-revolucionare që janë si dy pika uji me të tuat. Ato tregojnë nga njëra anë servilizmin e pështirë, për t’ju përshtatur çdo lloj situate që mund të krijojë ndërrimi i pushteteve dhe nga ana tjetër metamorfozën e shpirtit tuaj të pashpirt. Ka patur si puna e juaj me dhjetëra e qindra militantë funksionarë partie e pushteti njerëz të ndershëm që detyrat i realizonin me përkushtim të plotë dhe të papajtueshëm me armikun . Ata qëndruan në atdheun e tyre duke marrë parasysh dhe pasojat. Disa i vuajtën dhe me burgime sikurse tre herë dënuari me vdekje Shefqet Peç labëria të cili ishte e mbeti në betejë komandant, i cili me nagant në dorë syri nuk ju drodh nga Kuçi në Vishegrad ( dy herë i dënuar me vdekje nga nazi – fashistët, herën e tretë nga neofashistet berishianë të cilët e morën me barele dhe e çuan në burg deri sa atje vdiq si një lapidar në burg). Po ai ishte “Çeçoja” që ta jepte në lule të ballit dhe jo Qemal Lame që i ka plasur delli i ballit. Ju pyes pse tani vini kaq lirshëm në Shqipëri dhe kush jua u dha fletë garancinë për jetën tuaj që “rrezikohej aq shumë”? Në krye të vendit, këtu e tre dekada kemi patur e kemi të njëjtën kastë sunduese . Kanë ndryshuar ata e janë bërë më paqësorë, apo dhe ti pak më me vonesë por u amnistove sikurse u amnistua Berisha ne 97-tën ?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …