Zeqir Brahim Rexhepi: Pas pjesëmarrjes në Betejën e Qirezit e të Likoshanit, deri në qershor 1999 kam vepruar e luftuar, në Qyqavicë

Zeqir Brahim Rexhepi: Pas pjesëmarrjes në Betejën e Qirezit e të Likoshanit, deri në qershor 1999 kam vepruar e luftuar, në Qyqavicë

Zeqir Brahim Rexhepi është vëlla i dëshmorit Beqir Rexhepi dhe nip i Rexhep Rexhepit, po ashtu dëshmor i kombit.

Familja e njohur tradicionale për besë, burrëri e trimëri e Ajet Qirezit, në vazhdimësi kanë lënë trashëgimtarë, të cilët i kanë dalë zot Atdheut në momentet vendimtare të historisë, gjithnjë duke i qëndruar rojet kombit e atdheut nga kohët e kaluara, veçmas  nga invadimi sllav, qysh prej vitit 1912 e deri në vitin 1999.

Ajet Qirezi ishte njëri ndër bashkëluftëtarët e ngushtë të Komandantit të luftës së Drenicës të vitit 1945, Shaban Palluzha dhe i shumë bashkëluftëtarëve të tij.

Amanetin e babait për t’ i dalë zot Atdheut në çdo rrethanë kur të kërkohej e vazhduan bijtë e tij Brahimi dhe vëllai i tij, Rexhep Ajet Rexhepi, tani dëshmorë.

Edhe brezi i tretë i çlirimtarëve të kohës të Epokës së Adem Jasharit, përjetësuan amanetin e gjyshin dhe trimave të Drenicës. Në luftë për çlirimin e Kosovës, në Betejën e njohur të Qirezit e Likoshanit të 28 shkurtit të vitit 1998, ka rënë dëshmorë, Beqir Brahim Ajeti, ndërsa ka luftuar trimërisht deri në çlirimin e Kosovës, Zeqir Brahim Rexhepi me shumë bashkëluftëtarë nga fshati e më gjerë.

Brahim Ajet Rexhepi, mes tjerash para dhe gjatë luftës ishte reflektues i krejt këtyre lidhjeve, një burrë largpamës, i drejtë dhe i sinqertë  që e ka mbajtur me mençuri e mirësjellje  familjen, miqtë e farefisin dhe ka qenë në mesin e luftëtarëve një koordinator i pazëvendësueshëm.

Zeqir Brahim Rexhepi, në emisionin Bisedë në studion e TV-Diellit ka shpalosur kujtimet e periudhës dhe angazhimeve të para luftës, ndërsa është ndalur dhe ka shpjeguar deri në detaje, Betejën e 28 shkurtit të vitit 1998 në Qirez dhe Likoshan, ku policët serbë kishin pësuar gjatë luftimeve dhe mllefin e egërsinë e tyre fashiste e kishin derdhur mbi familjet e këtyre fshatrave, duke vrarë e masakruar popullatën civile.

Gjatë viteve 1996-1997, merr pjesë në shumë aksione kundër stacioneve policore serbe, të cilat i kishte komanduar e udhëhequr kryetrimi i Drenicës, i Kosovës dhe i mbarë kombit, Adem Jashari me trimat e tij. Me rastin e rrethimit të dytë të Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, Beqiri katër ditë qëndroi në Prekaz me detyrë të rojës në rast të rifillimit të luftimeve. Me rekomandimin e Musë Jasharit, ditën e pestë nga Prekazi kthehet në familjen e tij në Qirez.

Asokohe në radhët e UÇK-së së bashku me vëllanë tim, Beqirin dhe xhaxhanë Rexhepin, isha edhe unë. Shtëpia jonë nën kujdesin e shtuar të babait tim Brahimit ishte bërë një bazë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rrëzë Çiçavicës. Në atë kohë forcat serbe e kishin intensifikuar praninë e tyre në disa vende të Drenicës. Ato, përmes lidhjeve që kishin vendosur me disa bashkëpunëtorë të tyre,  ishin vënë në dijeni të veprimeve tona. Duke qenë se patrullimet e tyre në relacionin Drenas – Likoshan, Qirez – Polac, ishin shpeshtuar sidomos pas Rrethimit të Dytë të Jasharëve në Prekaz, komandant Adem Jashari kishte urdhëruar që të pamundësohej përqendrimi i patrullave serbe nëpër fshatrat e Drenicës. Kështu që më 27 shkurt të vitit 1998, në mbrëmje, një njësit luftarak i komanduar nga Musë Jashari dhe Rasim Kiçina ndodhej në shtëpinë tonë, në Qirez. Përveç tyre, atë natë në odë ishin edhe Xhemë Kodra, Beqir Meha, Isë Ferat Beqiri, Skënder Gjeli, babai im Brahimi, xhaxhai, Rexhepi, tani dëshmor dhe vëllai im Beqiri, po ashtu dëshmor”.

 Herët në mëngjesin e 28 shkurtit, Musë Jashari me disa luftëtarë nga Qirezi ishte nisur në drejtim të bazës komanduese. Beqir Rexhepi me disa bashkëluftëtarë, me xhaxhanë  dhe vëllanë e tij kishin mbetur në odë. Pasi që parashihej të kthehej Musë Jashari, Beqiri së bashku me axhën e tij, Rexhepin, nisën në drejtim të arave për ta vëzhguar më mirë terrenin dhe për të përcjellë lëvizjet e mundshme të policisë serbe. Ndërkohë, ishin  dëgjuar krisma në drejtim të Likoshanit dhe përnjëherë të dy kthehen në odë, i marrin armët dhe së bashku me luftëtarët e pranishëm, në mesin e tyre edhe Zeqiri, vëllai i Beqirit, nisen në drejtim të Likoshanit.

Sapo dalin në rrugë, në vendin mes lagjeve të Ahmetajve dhe të Gjelajve, në Likoshan, hasin në patrullën e policisë serbe. Në atë moment fillojnë luftimet ballë për ballë. Sulmi kishte qenë i furishëm, sidomos nga ana e luftëtarëve të lirisë në krye të të cilëve ishte Beqir Rexhepi. Edhe policët serbë, sado që ishin zënë në befasi, kishin arritur të qëllojnë në drejtim të çlirimtarëve. Patrulla e policisë ishte asgjësuar në tërësi, por gjatë dyluftimit një plumb vdekjeprurës e kishte goditur axhën e Beqirit, Rexhep Rexhepin, i cili bie në altarin e atdheut. Bashkëluftëtarët ua marrin armët policëve serbë dhe trupin e dëshmorit e tërheqin në drejtim të Qirezit.

 Zeqir Rexhepi ka shpjeguar në vazhdim deri në hollësi pozicionet e luftëtarëve të lirisë dhe sulmin e rrufeshëm në vendin e quajtur “Te Lisat Gjashtënjakë”, në Likoshan, ku një patrullë tjetër e policisë asgjësohet nga Musë Jashari, Rasim Kiçina, Jahir Hajdari, Sabit Lladrovci dhe bashkëluftëtarët e tyre. Forcat policore dhe ushtarake serbe kishin filluar të pozicionoheshin drejt Likoshanit dhe Qirezit. Mbi këto dhe fshatra të tjera përreth kishin filluar të patrullonin edhe helikopterët e policisë serbe. Duke qenë se serbët kishin dislokuar dhjetëra tanke, pizgauerë, autoblinda dhe kamionë të shumtë, luftëtarët e lirisë ishin tërhequr drejt maleve. Beqir Rexhepi gjatë luftimeve ishte tërhequr drejt lagjes së Prekazëve të Qirezit, në familjen Sejdiu. Në luftime ishte plagosur edhe luftëtari Sabit Lladrovci, të cilin e tërheqin Musë Jashari dhe Rasim Kiçina me bashkëluftëtarë. Vëllai im Beqiri kishte luftuar deri në mbrëmje, kur papritmas goditet me një breshëri plumbash nga forcat armike. Bie heroikisht në vendin e quajtur “Lugu i Kronit të Vekshit”, më 28 shkurt të vitit 1998, rreth orës 19 e 15 minuta. Trupin e tij, të përshkuar me shtatë plumba, bashkëluftëtarët e tërheqin nga vend-beteja dhe e varrosëm, në Qirez.

Ai ka folur edhe fushatën që kishte ndërmarrë policia e ushtria serbe kundër fshatrave Likoshan e Qirez, duke i bombarduar e rrënuar shtëpitë, duke i plaçkitur paraprakisht e pastaj duke i  shkatërruar e djegur.

Zeqir Rexhepi, në studion e TV-Diellit ka shpalosur edhe kujtimet të shumta gjatë luftës. Ka përshkruar sidomos zhvillimet luftarake të njësiteve të UÇK-së në Malet e Qyqavisë, ku e kishte pasur bazën e tij dhe  kur edhe kishte ndërmarrë e aksione me bashkëluftëtarët e tij deri në fund të luftës, duke koordinuar veprimet e Zonës së Drenicës me fshatrat e Artakollit të cilat ishin në Zonën Operative të Shalës. Po ashtu ka folur edhe mizoritë që serbët u kishin bërë disa familjeve shqiptare duke u mbytur gratë në puset e shtëpive.

“Liria nuk erdhi vetë, atë e sollëm ne me ndihmën e NATO-s, por në ditët e para nuk e kam ditur si do ta  përjetoj. Fshatrat ishin shkatërruar, ishte i madh numri i dëshmorëve e martirëve, një pjesë e popullatës  konsiderohej e zhdukur. Flitet për 40o varreza masive. Ishte periudhë e vështirë, por duhej t’ i dilnim zot edhe realitetit të ri. Me disa nga bashkëluftëtarët e mi kam punuar në sigurimin e objekteve me rëndësi vitale, meqë  në muajt e parë pas luftës ishte një gjendje e rëndë e anarkisë”, ka thënë, mes tjerash Zeqir Brahim Rexhepi nga Qirezi i Drenicës.    Ai ka shprehur ankesa në qeverisjet e pas luftës, sepse mendon se po të kishte pasur mirëkuptim, bashkëpunim, solidarësi e pajtim,  shumëçka do të kishte shkuar në një rrugë më të mirë për të ardhmen e Kosovës e të shqiptarëve përgjithësisht.

Ndihet i pa pajtuar  me themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së e cila sipas tij është e papranueshme, meqë po bën përpjekje për të barazuar krimet e forcave pushtuese serbe kundër shqiptarëve që janë mbrojtur, të shtëpitë e tyre, në atdheun e tyre  dhe kanë zhvilluar luftë çlirimtare.

Zeqir Rexhepi aktualisht  është zyrtar i Policisë së Kosovës, në Skënderaj. Ai përkujdeset edhe për familjen e vëllait dëshmor, Beqir Brahim Rexhepi.

(Bisedën në studion e TV-Diellit me Zeqir Rexhepin e zhvilloi, Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios-Kosova e Lirë dhe kryeredaktor i TV-Diellit)

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …