Brickos

Hamdi Qamil Hajrizi (13.5.1973 - 6.11.1998)

Hamdi Qamil Hajrizi (13.5.1973 – 6.11.1998)

Familja Hajrizi nga fshati Strofc i komunës së Vushtrrisë ka nxjerrë breza luftëtarësh të çështjes kombëtare. Sa herë që pjesa e robëruar e popullit tonë është mobilizuar për t’i shkëputur prangat e robërisë, burrat e kësaj dere i janë përgjigjur kushtrimit duke flijuar për çështjen e atdheut.

Më 1921, në mbrojtje të lirisë e të nderit të Kosovës, në afërsi të Zhilivodës ishte ekzekutuar nga hordhitë pushtuese serbe, Zymer Hajrizi. Në fillim të viteve ’60, nga regjimi i Titos dënohen me burgim të rëndë i biri i Zymerit, Zeneli, dhe kushëriri i tij, Zeqiri, si pjesëtar të Lëvizjes së rezistencës kombëtare. Në ballë të demonstratave të vrullshme të vitit 1981, nga forcat policore të regjimit kriminal të Beogradit, në Prishtinë vritet Naser Hajrizi dhe po atë vit, për shkak të veprimtarisë së organizuar kundër robërisë, arrestohen dhe dënohen me shumë vjet burg, axha i tij Mehmeti dhe djali i axhës tjetër, Jahiri.

 Më 1998, në fushën e nderit bie Hamdi Hajrizi, pjesëtar i denjë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hamdi Hajrizi ka lindur më 13 maj të vitit 1973 në Strofc. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen në Obiliq.

Në vitet ’90, një kohë ka qëndruar në trevën e Preshevës, ku kishte shkuar me pretekstin e kërkimit të punës dhe aty kishte rënë në kontakt me karatistin e njohur Bekim Ajeti, nga i cili u stërvit. Atje, së bashku me vëllanë, Samiun, dhe me kushërinjtë, Musën e Izetin, anëtarësohet në klubin e karatesë, ku, pas stërvitjeve të udhëhequra nga Bekim Ajeti, përsos shkathtësitë e tij fizike. Duke pasur pasardhës të brezave, që te njëri-tjetri e kishin përcjellë traditën e edukatës çlirimtare (Hamdiu kishte gjysh Zenelin, kurse stërgjysh Zymerin), Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund të mos kishte në radhët e saj djem sokola si Hamdiu. Pas daljes së UÇK-së në log beteje, në Llaushë, më 28 nëntor të vitit 1997, ai shkon në Prekaz për t’u rekrutuar në UÇK. Më 11 dhjetor të atij viti, pas kontaktit me komandantin Ilaz Kodra, në Prekaz, anëtarësohet në radhët e UÇK-së. Atye tutje zemra e këtij trimi rrah për UÇK-në.

Rrethimi i kullës së qëndresës të familjes heroike Jashari në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, dhe zbrapsja me turp e forcave serbe nga Komandanti legjendar me bashkëluftëtarë, ndikoi fuqishëm në ndjenjat e Hamdiut. Disa ditë më pas, së bashku me të atin, Qamilin, ai niset për në Kullën e Qëndresës, me qëllim të informimit për rrjedhat e mëtejme në mënyrë që angazhimin e tij ta koordinojë në përputhje me këto rrjedha. Mirëpo, rrugën për në Prekaz nuk mundi ta vazhdojë më tej për shkak të lëndimit që pëson në këmbë në një rast rrëshqitjeje gjatë ecjes nëpër borë. Në Prekaz arrin vetëm babai, Qamili, ndërsa Hamdiu ndalon në fshatin Kollë, ku kontakton dhe konsultohet me Nazmi Sheqirin, shok i kamandantit Adem Jashari.

Epopeja e Jasharëve në fillim të muajit mars, do të shtojë edhe më shumë impulsin e ndjenjës atdhetare të Hamdiut. Pas shpërthimit të luftës frontale shkon në Likoc, ku ndodhej selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Likoci bëhet edhe pika e parë ushtarake ku do të stërvitet ushtarakisht Hamdiu. Atje do të marrë edhe instruksione të caktuara nga udhëheqësit ushtarakë Ilaz Kodra e Rexhep Selimi, për vëzhgimin e patrullave të policisë serbe në fshatrat e Artakollit. Nga Rexhep Selimi, autorizohet për shtrirjen e organizimit ushtarak dhe për rekrutime të reja edhe në fshatrat e zonës së përtej Çiçavicës. Në përputhje me udhëzimet e marra në Likoc, disa javë më pas, Hamdiu, i vëllai Samiu dhe kushëriri, Musa, në Strofc formojnë njësitin e parë të UÇK-së në zonën e ardhshme operative të Shalës. Brenda një kohe të shkurtër, njësite ushtarake formohen edhe në fshatrat e tjera të Artakollit, ndërkohë që shtëpia e Hamdiut në Strofc bëhet bazë e fortë dhe shtab rajonal i UÇK-së. Në radhët e saj tashmë ishin inkuadruar vëllezërit, kushërinjtë dhe shumë bashkëluftëtarë të Hamdiut, si Jashar Jashari, Bektesh Haliti, Habib Mustafa, Mehmet Aliu, Izet Hajrizi, Zekë Hajrizi, Xhevat Hajrizi, Sami Hajrizi, Afrim Hajrizi e të tjerë. Hamdiu ishte emëruar komandant skuadre, në kuadrin e brigadës së ardhshme 142 të Zonës Operative të Shalës. Nëna e tij, Mirishahja, gatuante bukë për ushtarët dhe pastronte rrobat e tyre.

Hamdiu me njësitin e tij kryen aksione të shumta kundër forcave të pushtuesit, duke iu shkaktuar atyre humbje të ndieshme. Njësiti i përbërë nga Hamdi Hajrizi, Sami Saraçi, Brahim Tahiri e luftëtarë të tjerë, i komanduar nga Jashar Jashari, i quajtur komandant “Duraku”, më 11 qershor të vitit 1998, në fshatin Hamidi, kundër forcave serbe kryen aksionin, i cili konsiderohet si konfrontimi i parë i UÇK-së me forcat pushtuese në fshatrat e kësaj zone. Në këtë rast ishin vrarë disa militarë serbë, të cilëve u ishte marrë edhe armatimi personal.

Hamdiu ishte shquar me guximin e tij në shumë aksione të tilla, të kryera kundër forcave serbe edhe në Prilluzhë, Novolan, Bruznik, Gurikuq (ish-Gllavotin), Mihaliq, Burim, (ish- Bivolak), Zhilivodë, Strofc, Beçuk, Dërvar, Grabofc, Bardhi i Madh e të tjera. Ky guxim ishte dëshmuar edhe në rastin e kryerjes së kontrollit në ish-fabrikën “Polet” në fshatin Prilluzhë. Ky fshat ishte çerdhe e njohur e çetnikëve serbë. Gjatë muajve të verës së vitit 1998 ishte përhapur informata se në këtë fabrikë, forcat serbe kishin grumbulluar sasi të madhe armatimi, i cili do të shfrytëzohej në luftimet kundër UÇK-së në këtë zonë. Ndonëse forcat serbe ndodheshin të stacionuara te ura e lumit Sitnicë, Hamdiu me bashkëluftëtarë arrin të depërtojë në Prilluzhë, duke kaluar lumin nëpër ujë.

Hamdiun e preokuponte vazhdimisht çështja e cilësisë së armatimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai synonte ta përmirësonte edhe pajisjen ushtarake personale. Gjatë periudhës të të ashtuquajturit armëpushim të shpallur midis UÇK-së dhe forcave të pushtuesit, ai kishte planifikuar ta shtrinte veprimin e armatosur edhe në qytet, në formë të aksioneve guerile. Prandaj, për këtë qëllim i duhej armatimi përkatës. Për ta siguruar skorpionin e adhuruar prej tij, në gjysmën e dytë të muajit tetor, udhëton për në Republikën e Shqipërisë, në radhët e shumë pjesëtarëve dhe rekrutëve të UÇK-së.

Udhëtimi në këtë kohë vjeshte kishte zgjatur mbi dy javë. Kthimi i këtyre luftëtarëve, që kishin shkuar për të sjellë armatim në Kosovë, u bë në dy grupe. Hamdiu po kthehej me grupin e dytë. Së bashku me të ndodheshin edhe Bektesh Haliti nga Gurkuqi (ish-Gllavotin), Kujtim Saraçi, nga fshati Burim (ish-Bivolak) e Lulëzim Imeri nga fshati Liqej.

Për të kaluar nga zona e Pashtrikut në atë të Drenicës, ata po i shoqëronin ushtarët “Toni” e “Mic i ” . Në rrugë e sipër, në fshatin Apterushë të komunës së Rahovecit, më 6 nëntor, forcat serbe i sulmojnë nga prita dy veturat ‘me ushtarë të UÇK-së. Megjithëse çlirimtarët ishin kundërpërgjigjur, në këtë pritë bien Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti, “Toni” dhe “Mici”, ndërsa plagosen Kujtim Saraçi e Lulëzim Imeri. Trupat e dëshmorëve, vrasësit serbë i dërgojnë në morgun e qytetit të Prizrenit. Dy ditë më vonë, trupi i dëshmorit Hamdi Hajrizi tërhiqet nga morgu dhe sillet në fshatin e lindjes.

Më 9 nëntor, varrimi i tij u bë me nderime të larta ushtarake. Hyrja e tij në përjetësi u shënua me të shtëna armësh të nderit në ajër. Rënia e Hamdiut nuk i dobësoi familjen, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij. Ditën e varrimit të tij, babai Qamili e deklaroi anëtarësimin e vet në UÇK. Armën e Hamdiut të rënë, automatikun, tashmë do ta ngjesh i ati, ndërsa pas datës 16 prill të vitit 1999 edhe vëllai më i ri i dëshmorit, Ruzhdiu do të veshë uniformën e UÇK-së Shembulli i tij, më vonë, ndiqet nga vëllau tjetër, Afrimi, edhe në frontet e luftës në trojet etnike shqiptare nën Maqedoninë.

Te vendi i rënies së Hamdiut dhe të bashkëluftëtarëve të tij, i quajtur Kryqi i Apterushës, sot qëndron e zbuluar pllaka përkujtimore, si dëshmi e gjakut të derdhur për liri. Shtabi i Zonës Operative të Shalës, ushtar i së cilës kishte qenë, dëshmorit i ka dhënë dekoratë dhe pllakë të galvanizuar me ar. Ndërsa, familja e dëshmorit Hamdi Hajrizi ka marrë Nderim nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, si dhe “Mirënjohje” nga Kuvendi komunal i Vushtrrisë.

Dëshmori Hamdi Hajrizi ka mbetur shembull i ndritshëm i luftëtarit që çon në vend amanetin e të parëve për ta shporrur pushtuesin nga trojet tona. Ai ishte betuar edhe para babagjyshit të tij, Zenelit, i cili nga kjo jetë po ndahej me pengun që nuk po ia kthente edhe një herë pushkën shkjaut, se këtë peng do t’ia hiqte ai. “Kjo tokë nuk e duron shkjaun”, – shprehet ai gjatë demonstrimeve dhe stërvitjeve ushtarake, bashkë me shokët e armës, nëpër malet rrëzë Çiçavicës, në pranverë të vitit 1998, të cilat janë gjiruar dhe sot ruhen si një dokumentar i çmueshëm për jetën ushtarake të dëshmorit Hamdi Hajrizi.

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …