rkl vala loja shperblyese
driloni com
muqa 900
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Muhamet Nuredin Malësori (4.10.1955 – 4.12.1998)
Muhamet Nuredin Malësori (4.10.1955 - 4.12.1998)

Muhamet Nuredin Malësori (4.10.1955 – 4.12.1998)

Muhamet Malësori, intelektual, luftëtar e rapsod i njohur, bashkëpunëtor i ngushtë i profesor Ukshin Hotit, themelues i Këshillit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fshatin Krushë e Madhe, bashkëluftëtar i Xhelal Hajdës-Tonit e i Selajdin Mullabazit-Micit, bën pjesë në plejadën e personaliteteve më të njohur e më të rëndësishëm për organizimin e rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit e më gjerë.
Është i lindur në fshatin Krushë e Madhe, në familjen e Nuredin Malësorit, jo larg oxhakut dhe konakut të Hotëve që tradicionalisht ishin të lidhur me krerët e rezistencës së armatosur dhe të luftës kundër çdo pushtuesi. Shkollën fillore Meti, siç e quanin kur ishte çapkën, e mbaroi në vendlindjen e Bajram Currit, në shkollën që me dekada mban emrin e patriotit të madh të lindur në këtë fshat të Anadrinit. Plaku Nuredin Malësori me etje e dashuri të madhe që i biri t’i bëhet si Ukshin Hoti, vendosi ta ndajë prej punëve bujqësore dhe e regjistron në vitin e parë të gjimnazit në fshatin Rogovë të Hasit e pastaj e dërgon për ta vazhduar gjimnazin në Prizren. Pas përfundimit të gjimnazit regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Filozofi-sociologji dhe studion nën përkujdesjen e profesor Ukshin Hotit e krahas studimeve merrej edhe me punë hulumtuese-shkencore e më vonë edhe me publicistikë. Gjatë studimeve bashkëvepron me shokët e idealit të cilët nuk dijtën se sa mjafton të kontribuosh për Kosovën, për lirinë e saj, për shtetësinë dhe për bashkimin e trojeve shqiptare. Ishte i pandashëm me Mensur e Osman Zyberajn, me Bedrush e Fehim Gashin dhe me Jetë Hasanin, dëshmor i kombit, veçanërisht me Jetën, me të cilin qëndron në Shqipëri më vitin 1996.
Edhe pse kishte prirje për punën shkencore, shpirti ia donte më shumë artin e sportin, veçanërisht këngën popullore, por njëherit shquhej edhe si sportist i dalluar i Anadrinit lojtar i KF ,,Bashkimi”. Gjatë qëndrimit në Prishtinë si student, anëtarësohet në Shoqërinë Kulturore-artistike ”Ramiz Sadiku” pranë Qendrës Universitare e më vonë kalon si solist në shoqërinë ”Bajram Curri” të Prishtinës ku shquhet si rapsod i fuqishëm për të kënduarit solo, rapsodi solistike. Si artdashës themeloi Shoqërinë Kulturo-artistike ”Bajram Curri” në Krushë të Madhe. Bashkëpunon me Arif Vladin, Enver Shëngjergjin dhe Kolë Susajn dhe më 1991 publikon një album këngësh që karakterizohen me begati motivore në tekste e me laryshi melodike. Këndonte për Grykën e Kaçanikut, për Idriz Seferin, për Sefë Kosharen, për Dibrën e për Lumën, publikon kasetën ,,Dibër e Lumë janë çue në këmbë”.
Më vitin 1981 merr pjesë aktive në organizimin dhe përgatitjen e demostratave. Merr pjesë në krye të demostruesve dhe arrestohet, mirëpo në mungesë të fakteve, lirohet prej përgjegjësisë, por pushteti serbokomunist nuk e lë të qetë edhe pas ”lirimit” prandaj përherë është i fokusuar, veçanërisht pas burgosjes së parë të profesor Ukshin Hotit, të cilin e kishte idol Muhamet Malësori.
Në maj të vitit 1989 Muhamet Malësori shtrin aktivitetin nëpër fshatrat e Anadrinit, ndërsa në janar të vitit 1990 gjendet në Demostratat e Flakës së Janarit dhe përballon vdekjen heroike të dëshmorëve të parë të Anadrinit të cilët ishin nisur prej Krushës së Madhe në drejtim të Rahavecit dhe binë nën breshërinë e policisë jugosllave në Grykën e Brestosit, veçanërisht e dobësoi rënia e Nesimi Elshanit me Agron Fetahun, Halim Hotin dhe Hilmi Krasniqin. Por edhe pas kësaj ngjarje ndër më të rëndësishme në historinë e rezistencës për fshatrat e Anadrinit, Muhameti nuk ndalet, zgjeron veprimtarinë kah Drinasi (ish-Ratkofci) që të lidhet me smajl Latifin dhe kah Qëndresa (ish-Randubrav) që të lidhet me Nahit Hasanin, të cilët i çmonte sa edhe prof. Ukshin Hotin e Jetë Hasanin.
Policia serbe i bjen sërish në gjurmë dhe fillojnë ndjekjet edhe më të mëdha ndaj Muhamet Malësorit, mirëpo çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare ia merrnin anën, prandaj Muhameti nuk ndalet asnjëherë së vepruari. Më 1997, duke udhëtuar për në Besianë maltretohet dhe rrahet keq nga policia serbe, mirëpo lirohet në mungesë të provave. Në mars të vitit 1998, me të dëgjuar krismat e Jasharëve në Prekaz të Drenicës, Muhameti kërkon udhë e shteg që të shkojë në Gllogjanin e Haradinajve pasi që nëpër fshatrat e Anadrinit flitej se aty gjendet Xhelal Hajda -Toni i Rahavecit. Bëri 2-3 përpjekje për të depërtuar në Gllogjan mirëpo nuk arrin që të takohet me Tonin, prandaj përpiqet që me çdo kusht ta gjejë Mensur Zyberajn. Pas kontaktit të parë më 28 prill të vitit 1998, Muhamet Malësori merr detyrë që t’i bashkojë grupet e armatosura të veprimtarëve nëpër fshatrat e Lugut të Brestosit dhe të formohejë një kompani, ndërsa vetë të qëndrojë në krye të Këshillit koordinues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e kryen së bashku me Ismet Gashin dhe Ragip Hotin. Me ardhjen e Tonit e të Micit në fshatin Drenoc të Anadrinit, Muhametit i konkretizohen detyrat dhe kështu Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë të shtrihej prej Drenocit kah Gardhishi në drejtim të Hasit dhe prej Drenoci kah Rahaveci në Drejtim të Therandës dhe të fshatrave të Anadrinit. Tani Muhamet Malësori ndjente mungesën e prof. Ukshin Hotit dhe të veprimtarit Nahit Hasani. Në marrëveshje me Xhelal Hajdën-Tonin, Muhameti donte që këto mungesa t’i kompensonte me Smajl Latifin e Drinasit dhe Dervish Çadrakun e Malësisë së Anadrinit. Bërthama e armatosur e Krushës së Madhe funksiononte sipas instruksioneve të Shtabit Operativ Rajonal të Anadrinit që vepronte në Drenoc ndërsa Muhamet Malësori i koordinonte veprimet rreth shtrirjes dhe zgjerimit nëpër fshatrat: Brestos, Hoçë e Vogël, Nagac, Celinë, Fortesë, Xërxë, Qëndresë, Reti, Apterushë. Çdo gjë i funksiononte sipas planit të hartuar me kohë dhe të aprovuar në këshillin koordinues, mirëpo Beteja e Rahavecit, shkaktoi tronditje të mëdha në fshatrat e kjo u hetua edhe në fshatrat e Anadrinit, prandaj Muhamet Malësorit iu imponua nevoja që të merret me strehimin e banorëve që kishin braktisur Rahavecin dhe qenë vendosur përreth Krushës së Madhe.
Vepronte në ngritjen e moralit të popullatës së dëbuar prej Rahaveci dhe ushqente me informata Shtabin Operativ Lokal të Batalionit të Rahavecit. Ditët e fillimit të gushtit Muhamet Malësori është së bashku me Xhelal Hajdën-Tonin e me Selajdin Mullabazin-Micin. Merr pjesë në hartimin e planit të ridepërtimit të luftëtarëve të Rahavecit sërish në Rahavec por prej pjesës jugore; prej Celinës, prej Fortesës, prej Brestosit apo edhe prej Hoçës së Vogël për në destinacionin Rrihjet e Rahavecit. Mirëpo lodhja nga njëra anë dhe dobësimi i logjistikës në anën tjetër e detyrojnë Xhelal Hajdën -Tonin të depërtojë në Shqipëri duke e lënë Muhamet Malësorin me tërë Këshillin Koordinues që si profesor, njeri me ndikim të veprojë në mobilizimin e të rinjve; të bashkëveprojë me fshatrat Nagac e Celinë dhe t’i vendose nëpër konaqet e Anadrinit luftëtarët e lirisë që shkonin për armatim në Shqipëri apo që ktheheshin prej Shqipërie. Më 22 shtator në fshatin Piranë të Anadrinit Muhameti takohet sërish me Xhelal Hajdën -Tonin dhe Selajdin Mullabazin-Micin e së andejmi të tretë depërtojnë në Krushë të Vogël e pastaj në Krushë të Madhe për t’i gjetur konaqet ku do të vendosen luftëtarët e lirisë që kishin ardhur prej Shqipërisë.
Për t’i strehuar të gjithë luftëtarët e lirisë Muhameti zgjedh shtëpinë e Malësorëve e të Gashëve në Krushë të Madhe por edhe të Haxhi Nuredin Gashit në fshatin Nagac, prandaj edhe pranimi i luftëtarëve të rinj nuk i ”bënte kasavet”, dëshironte që sa më shpejt Anadrinin ta mbulojë me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë dëshirë Muhameti shpreson ta realizojë pasi që sërish në fshatrat e Anadrinit kishin arritur Toni e Mici, të cilët vendosen në fshatrat Nagafc, Hoçë e Vogël dhe të gjithë batalionet e Brigadës 124 ”Gani Paçarizi” kazermohen në fshatin Reti shumë afër forcave serbe të vendosur në Hoçë të Madhe e Rahavec.
Së bashku me Tonin e Micin, sipas projektit të Ramadan Gashit të Nagacit, mori pjesë në realizimin e ngritjes së një kazerme nëntokësore në Malet e Qilave të Nagacit sepse prof. Muhameti kishte shumë shënime për Qilat, për pozicionin, për shtrirjen, për konfiguracionin dhe për mundësitë që ofronin Qilat për t’u lidhur me Nagacin, Qëndresën, Hoçën e Vogël e Retinë, sidomos për mundësitë të ofronin Qilat për daljen në aksin rrugor Prizren-Gjakovë. Muhamet Malësori kontaktonte me popullatën dhe me personat që kishin ndikim të veçantë për organizimin e rezistencës së armatosur, karakterizohej me aftësi të mëdha komunikative ”kishte gojën e bilbilit por edhe zemrën e luanit”, thoshin pleqtë e fshatrave të Anadrinit.
Muhamet Malësori njihej si njeri i gojës, burrë i fjalës i këngës, por edhe i pushkës. E njihte mirë Anadrinin prandaj me çdo bisedë nëpër odat e fshatrave të Anadrinit ishte bindës, operativ dhe racional. Pasi që e donte shumë këngën dhe mblidhte tekste për Adem Jasharin e Luan Haradinajn, pasi që kishte punuar tekste këngësh për dëshmorët e Betejës së Rahavecit dhe për djelmoshat e Ukshin Hotit që ranë në Lakun e Dëshmorëve, në Brestos, me urdhërin e komandant Tonit shkon në Shqipëri që atje ta incizojë e xhirojë një audio-kasetë me këngë e videokasetë me ”malet e bukura të Shqipërisë e me lisat e gjatë” e të kthehet pastaj për t’ua emituar kasetat luftëtarëve të lirisë. Përveç kësaj kishte për detyrë që të takohet me Fehmi Hotin, veprimtar nga Krusha e Madhe që asokohe jetonte dhe vepronte në Tiranë. Kolonel Toni ia lejon udhëtimin dhe profesor Muhameti niset në javën e parë të nëntorit.
Udhëton së bashku me kompaninë ”Stuhia” të cilës i printe Xhavit Elshani-Leopardi, por nuk kthehet me ”Stuhinë” për arsye se kishte mbaruar vetëm gjysmën e punëve me të cilat e kishte ngarkuar Xhelal Hajda-Toni. Detyrat që i kishte marrë për t’i kryer së bashku me Fehmi Hotin, i kishte përfunduar dhe kanë arritur në duart e Tonit, por të tjerat që kishte për t’i kryer me Arif Vladin, Enver Shëngjergjin dhe Kolë Susajn, vazhdonte për t’i mbaruar dhe partitura e përgatitur iu gjetë prapë trupit të pajetë, si simfoni e pambaruar.
Lajmi për rënien e Xhelal Hajdës-Tonit, Selajdin Mullabazit-Micit, Hamdi Hajrizit, Bektesh Halitit dhe Nezir Ymerit, te Kryqi i Apterushës më 6 nëntor të vitit 1998, i tronditi të gjithë luftëtarët e lirisë, prandaj edhe Muhamet Malësorit në Shqipëri nuk i zihej vendi. Dëshiron që me çdo kusht të kthehet në Kosovë, në Krushën e Madhe, t’i bashkojë luftëtarët e rinj me bërthamën e dikurshme të rezistencës dhe të sajohet një frontë edhe më i fortë, edhe më unik.
Përpjekjet për të depërtuar në Kosovë ishin maksimale por mundësitë shumë të kufizuara pasi që Pashtriku ishte bërë gardh, pasi që forcat serbe e kishin mbuluar çdo shkurre e çdo shkëmb dhe kështu Fehmi Hoti nuk kishte mundësi që ta lidhëte profesor Muhamet Malësorin me ndonjë grup që duhej ta thente Pashtrikun. E ky ishte dhjetori, Dhjetori i Krushës së Madhe, Dhjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dhjetori i Pashtrikut të Egër, kur çdo gjë ishte e mbuluar me borën e bardhë, por edhe me të zezën në Lugun e Zi të Pashtrikut. Maja e Kunorës ishte e mbuluar me dëborën e bardhë, e e Zeza në Krushën e Madhe. Atë ditë për t’iu kthyer Anadrinit ishte nisur profesor Muhamet Malësori me Skënder Hamelin e Hasit e me Hysni Durakun, me Sedat Hotin, me Isak Hotin, me Ismet Hotin, me Hida Hotin, me Sinan Hotin, të gjithë të një zjarri, me etër vëllezër. Të gjithë studentë nga Krusha e Madhe, madje nga gjiri familjar i prof. Ukshin Hotit. Të gjithë ishin nisur me këngë në gojë, kallasha në krah e indeksa në xhepa, me shpresë se në Kosovën e Lirë do t’i përfundojnë studimet. Dhe në Lugun e Zi fillojnë pritat për djelmoshat e Krushës së Madhe e të gjithë e kënduan këngën e tyre të sprasme por të hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, e në Krushën e Madhe u hapën plagët e tetë nënave, të tetë palë motrave, të tetë palë tezeve e hallave e vetëm për tetë konaqe afër, pak ditë pas rënies së Tonit e të Micit e pak ditë para rënies së Mujë Krasniqit me dyzetë shokë ndërsa Beqir Gashi e Muhamet Malësori ia këndonin ”Ani moj Shqipni mos thuj mbarova!”.
Sot, në fshatin Krushë e Madhe të Anadrinit, në vendlindjen e Bajram Currit e të titanit të politikës shqiptare mr. Ukshin Hotit, rron krenare bashkëshortja e prof. Muhamet Malësorit, rapsod e luftëtar që mori përjetësinë bri Lugut të Zi të Pashtrikut. Kjo është zonja Miserete Malësori me Fatosin ekonomist të diplomuar të cilit kjo nënë ia mundësoi studimet edhe pas rënies së të et, nënë kjo që me punë dore rriti dhe shkolloi edhe Visarin, tash student dhe pret ta punësojë Hyrmetin, ekonomiste e diplomuar. E tërë kjo bashkësi modeste familjare me dy vëllezër e 3 motra të dëshmorit Muhamet Malësorit rritet e shtohet me krenari për të vëllanë, për bashkëshortin dhe për prindin i cili me kohë e kuptoi se ”o tash, o kurrë!” e thërriste Kosova, e thërriste zëri i Adem Jasharit në Prekazin legjendar, e thërriste zëri i Luan Haradinajt.
Trupi i dëshmorit Muhamet Malësori pushon në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Krushë e Madhe, aty ku më 27 janar qe vendosur Halim Hoti, e tash Muhameti së bashku me Hysni Durakun, Sinan Hotin, Hyda Hotin, Sedat Hotin, Isak Hotin, Ismet Hotin, Isamil Gashin, Bekim Gashin, Dalip Behrën, Enver Durakun, Fitim Durakun, Agim Nallin, Xhemali Hotin, Shukri Hotin, Ragip Hotin e Sami Nallin me shumë dëshmorë e martirë të këtij fshati të shënuar në faqet më të ndritshme të historisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në amëshim e Përjetësi presin ditët më të mira për Kosovën dhe tërë Shqiptarinë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Selajdin Hamid Mullabazi - Mici (6.5.1970 - 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi – Mici (6.5.1970 – 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi-Mici është i lindur në Rahavec më 6 maj të vitit 1970. Hamid ...