vipa
driloni com
vala – old
mbpzhr
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Musa Selman Begu (19.10.1969 – 17.9.1998)
Musa Selman Begu (19.10.1969 - 17.9.1998)

Musa Selman Begu (19.10.1969 – 17.9.1998)

Në familjen Begu të Kaqanollit, që ishte e njohur për trimëri jo vetëm në Shalë por edhe më gjerë, u lind dëshmori i kombit, Musa Selman Begu. Gjyshi i Musës, Bekteshi ishte burrë trim e bujar, i cili çdo herë regjimit të okupatorit i ndejti karshi dhe asnjëherë nuk u pajtua me të. Bekteshi ishte ndër bashkëluftëtarët më trima të Ahmet Selacit. Për këtë ai gëzonte simpati te bashkëluftëtarët dhe bashkëvendësit por edhe te trimi, Ahmet Selaci.
Në këtë familje, më 19 tetor të vitit 1969 u lind dëshmori i kombit, Musë Selman Begu. Babai i tij Selmani ishte martuar me Feride Sinanin nga Revuçi i Llapit dhe kishin pesë djem e dy vajza: Musanë, Nuhiun, Dautin, Bekteshin, Ahmetin, Ajshjen dhe Hatixhen.
Shkollimin fillor e kreu në Kaqanoll, dy vite të shkollës së mesme në Trepçë, kurse dy vitet e fundit, drejtimi i xehetarisë, i mbaroi në Mitrovicë.
Qysh si i ri Musës i interesonte të dijë sa më shumë për historinë kombëtare dhe shpesh interesohej të dinte për trimat e Shalës, por edhe të Llapit, sepse edhe andej kishte lidhjen me dajat.
Në shumë protesta dhe demonstrate që u organizuan kundër okupatorit ai ishte pjesëmarrës i tyre, gjatë kohës sa ishte nxënës në shkollimin e mesëm por edhe më vonë. Ai ishte parë të marrë pjesë në protesta si në Mitrovicë, Vushtrri dhe Besianë. Nuk ishte pengesë largësia dhe me dëshirë shkonte nga Kaqanolli në këto qytete, ku e dinte se ka ndonjë manifestim që organizohej kundër okupatorit. Edhe pse jo me dëshirë, ai shërbimin ushtarak e kreu në Negotin, ku mori mësime për artin luftarak dhe armët e ndryshme që më vonë iu nevojitën t’i zbatojë kundër forcave serbe si pjesëtarë i UÇK-së.
Lufta e UÇK-së dhe e komandantit legjendar Adem Jashari, Musën e shtynë që të interesohej, që sa më parë të bëhet pjesëtar i UÇK-së duke dhënë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Posa filloi organizimi i UÇK-së, në Shalë të Bajgorës pikërisht në Zabërgjë, Musa pa hezitim shkoi dhe u paraqit vullnetarisht që të rreshtohet në radhët e UÇK-së.
Ai kontaktoi me Asllan Istrefin, Emin Musën, Hajzer Istrefin etj., të cilët në atë kohë filluan të përgatisin të rinjtë e Shalës për luftën që do të niste së shpejti. Meqë ata e panë se Musa kishte njohuri të mjaftueshme dhe nuk kishte nevojë për ato përgatitje fillestare që bëheshin, e këshilluan që të kthehej në shtëpi dhe të jetë i gatshëm që kur të paraqitet nevoja ta thërrasin. Përpos gatishmërisë që ai tregoi për t’u radhitur në radhët e UÇK-së e që kishte edhe armën e vet personale ai UÇK-së i dha edhe një pjesë të armatimit dhe municionit që do të përdorej në ofensivën e parë në këtë anë, në shtator të vitit 1998. Musa herë pas here kontaktonte dhe lajmërohej në Brigadën 141 “Meh Uka” të ZOSH ku konsultohej gjithnjë duke treguar gatishmërinë e tij për luftë. Ushtarakët e ZOSH vazhdonin përgatitjet me ushtarët e rinj duke i mësuar ata për artin luftarak dhe përdorimin e armëve, por në rast nevoje llogarisnin edhe në Musën e shokët e tjerë që ishin paraqitur vullnetarë por që nuk kishin nevojë për ato mësime fillestare sepse kishin një përvojë në këtë drejtim.
Në mëngjesin e hershëm të 15 shtatorit 1998 posa zgjohet, Musa sheh se në rrugën e asfaltuar Besianë-Llapias lëviznin shumë forca të armikut dhe menjëherë vëhet në vëzhgim të lëvizjes së tyre. Vëllai, i tij Bekteshi, thotë: “posa dolëm në rrugën që shpie për Llapias, vrejtëm se andej po shkojnë forcat serbe Musa më tha unë patjetër duhet të shkoi në Kaqanuell se sigurisht këta për atje janë nisur të sulmojnë pikën në Qafën e Kaqanollit, aty ku gjendeshin ushtarët e Llapit dhe Shalës. E luta të shkoj edhe unë me te, por ai më tha, jo. Tani po shkoj unë e më vonë të shohim. Ma mori pallton, sepse ai në atë shpejtësi kishte dalur pa të dhe u nis për atë rrugë. Kjo ishte hera e fundit që ishim bashkë me Musën dhe më për së gjalli nuk e kam parë” rrëfen Bekteshi.
Që nga Besiana shkoi këmbë deri në Revuçë, rrugë të cilën e bëri bashkë me Besim Kadriun, ushtar i UÇK-së në pikën e Revuçit, të cilët nxitonin që sa më parë të arrijnë tek shokët e tyre. Edhe pse atë e lutën që të ndalet në Revuçë atë ditë derisa të shihet mundësia më e lehtë e depërtimit për në Kaqanoll, ai nuk pranoi kishte vendosur, që të arrij atje sa më parë. Musa mori këtë rrugë të vështirë, ku terreni ishte përplot forca të armikut, që kishin mësyrë pozicionet e UÇK-së. Të kota ishin përpjekjet edhe të njerëzve tjerë ta ndalin Musën në atë rrugë të cilën ata nuk mendonin se ai mund ta kalojë dhe të arrijë deri në Kaqanoll. Duke kaluar për fshatin Revuçë, ishin munduar edhe dajtë ta bindin se nuk mund të kaloi se shumë forca të armikut ishin pozicionuar në shumë vende dhe se popullata e kësaj ane kishte filluar të lëvizte drejtë Besianës pasi në çdo moment pritej që edhe ata të sulmohen. Jo thoshte Musa atje më presin shokët,më pret arma e përgatitur kaherë për këtë ditë. Dhe patjetër sot atje duhet të arrijë.
Nuk bënë assesi të mos jem te shokët, u thoshte të gjithëve Musa dhe nxitonte sa më shumë. Ushtarë, policë e paramilitar serbë e mercenarë nëpërmes të fshatit Gegaj nga ana e Llapit kishin filluar rrugëtimin drejtë Kaqanollit, por edhe forca tjera të shumta nga drejtimi i Mitrovicës, sulmonin pozicionet e UÇK-së. Ata kishin qëllimin që në Kaqanoll këto forca armike të bashkohen dhe të shpartallojnë pozicionet e UÇK-së e në popull të fusin frikën e të mos thyhet miti se ushtria serbe është e pathyeshme.
Forcat serbe granatonin nga largësia nga fshatrat e Llapit, drejt pozicioneve të UÇK-së, në Qafën e Kaqanollit ndërsa Musa me këmbëngulje çante nëpërmes maleve të Revuçit, drejt Kaqanollit atje ku dëgjoheshin krismat e armëve të shokëve të tij të cilët u kundërpërgjigjeshin atyre serbe. Dhe ende pa u ofruar forcat e armikut të pozicionet e UÇK-së, Musa arriti tek shokët, mori armën dhe bashkë me shokët u pozicionua në vijën e frontit me vendosmërinë që kishin që të mos lejojnë armikun të depërtonte në këto anë.
Luftohej në të gjitha drejtimet nga Shala dhe Llapi. Armiku kishte drejtuar makineri të madhe luftarake, por edhe ushtarë, policë, paramilitarë dhe mercenarë, të cilët hetoheshin në kontakt me qytetarët, sepse flisnin gjuhë të ndryshme. Shumë nga njerëzit që e kishin takuar Musën në këtë rrugëtim nuk kishin besuar se nëpër atë flakë lufte do t’ia dal që të kalojë kodrën që lidhë Llapin me Shalën e t’u bashkëngjitet shokëve. Arritjen e tij e vërteton edhe dëshmia e ish-komandant, Nuredin Ibishi-Leka, i cili pas kësaj beteje i kishte dhënë familjes një fletë dëshmi për kohën kur Musa ka arritur te shokët dhe aktivitetin e tij të çmueshëm në këtë betejë. Gjatë ditës së parë të betejës, më 15 shtator 1998 Musa ishte në pikën e UÇK-së në Kodër të Kaqanollit, i pozicionuar në anën e majtë të frontit në vendin e quajtur “Kobillaqë”.
Gjatë natës së 15 shtatorit Musa shkoi deri në lagjen Lupç, ku ishte edhe një pikë e UÇK-së dhe nga atje solli edhe një pjesë të armatimit dhe municionit që ishte mjaft i nevojshëm për të nesërmen. Atje mori edhe një mitrolez -84. Po ashtu edhe të nesërmen ka vazhduar të luftojë në këtë pikë bashkë me ushtarët e tjerë, ku shumica ishin nga ana e Llapit, të komanduar nga Agroni. Në këtë betej, Musa ka treguar trimëri dhe heroizëm të rrallë, këtë e dëshmojnë më vonë edhe shokët e luftës: Abdyrrahman Hasani e Xhelil Mehana si dhe shokët e tij që luftuan bashkë.
Në ditën e tretë të kësaj beteje grupi i luftëtarëve të lirisë të ZOLL marrin urdhën që të tërhiqen në drejtim të Potokut, ku edhe atje kishin mësyrë forcat serbe, ndërsa Musa me një grup tjetër të luftëtarëve të lirisë, mbeten në Kaqanoll, fshat i cili sulmohej nga të gjitha anët si nga Llapi ashtu edhe nga Shala. Musa gjatë një tërheqje taktike vëren se një grup i ushtarëve, rreth 12 sish, të cilët nuk e njihnin mirë terrenin donin të kalonin rrugës së asfaltuar dhe kështu mund të rrezikoheshin, që të bien të gjallë në dorën e armikut. Ai, me një shpejtësi vepron dhe i tërheq ata në drejtim të lagjes së Lupçit, e për të kaluar në anën tjetër të lumit të Kaqanollit, me qëllim për t’u pozicionuar në vendin e quajtur “Qukë” ku luftojnë pa u ndalur deri në rënien e tij heroike.
Musa në këtë vend luftoi deri në fishekun e fundit dhe nga këtu ai kundër forcave të armikut luftonte edhe me minahedhës. Siç u kishte thënë plaku i fshatit, Arif Haziri, familjarëve të tij, më 17 shtator 1998, e kishte takuar Musën me armatim të madh. Kur e kishte pyetur atë, ai i është përgjigjur se në këto ditë të luftimeve kishte vrarë shumë armiq, për këtë është shumë i kënaqur. Në ato momente kur Musa kishte biseduar me Arifin, kishte marrë disa mbulesa najloni për të mbuluar armët, që të mos lagen sepse kishte filluar të bjerë shi.
Pas përfundimit të kësaj beteje, Musa bashkë me Ramadanin nuk ishin gjetur për disa ditë. Ata kishin rënë bashkë në fushën e nderit në vendin e quajtur “Qukë”, ku kishin luftuar deri në fishekët e fundit dhe shihej se kanë luftuar edhe nga afërsia, sepse ata kishin hedhur edhe shumë bomba dore. Pas disa ditësh janë gjetur dhe janë varrosur bashkërisht në Kaqanoll afër shkollës së fshatit, buzë rrugës së asfaltuar, ku më vonë i është ngritur një lapidar. Për trimërinë dhe heroizmin e Musës janë botuar shkrime në revista dhe gazeta si dhe përmendet në këngët që këndohen për trimat e Shalës. Pas luftës familja e Musës është nderuar me “Mirënjohje” nga SHP i UÇK-së. (M. K.)