Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, pa u certifikuar edhe zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve. Ai ka thënë se me Kurtin janë pajtuar në shumicën e temave, por që kanë mbetur edhe disa tema të hapura të cilat do të përmbyllën ndërmjet dy liderëve politikë. Kanë mbetur të hapura çështjet e dialogut që nuk janë diskutuar në këto nivele që duhet të diskutohen në nivel të liderëve politikë të LDK-së dhe VV-së. Ka mbetur çështja e marrëdhënieve me jashtë, që po ashtu korrespondon edhe me dialogun, por edhe me orientimet tona eurointegruese dhe euroatlantike. Ka mbetur çështja e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme. Unë tash po flas për një koalicion të mundshëm, nuk mund të flas për një koalicion të kryer, sepse ne jemi në fazën e dialogut dhe të bisedimeve, por për atë duhet të marrim vendim se a pajtohemi për të gjitha çështjet’, thotë ai.
