Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar vendimin për zgjatjen e mandatit të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) deri më 14 qershor 2027. Ky vendim ndryshon vendimin e mëparshëm të vitit 2023, që e parashihte përfundimin e misionit në qershor të vitit 2025. Sipas dokumentit zyrtar të publikuar të enjten, zgjatja e mandatit vjen pas një rishikimi strategjik të funksionimit të EULEX-it, ndërsa Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së ka dhënë mbështetjen për vazhdimin e misionit për edhe dy vite të tjera. Zyrtarja e lartë e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, gjatë një vizite në bazën e EULEX-it në Mitrovicë më 23 maj, kishte paralajmëruar këtë vendim, duke vlerësuar lart punën e misionit dhe duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë për mbarë kontinentin evropian. Për zbatimin e mandatit të ri, Bashkimi Evropian ka ndarë një buxhet prej 170.866.980 euro, nga të cilat 64.492.980 euro janë të dedikuara për operacionet në Kosovë, ndërsa 106.374.000 euro do të përdoren për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar të BE-së, përkatësisht për punën me Gjykatën Speciale në Hagë.
