Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, ka vlerësuar se vendi ndodhet në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas vendosjes së masave nga ndërkombëtarët dhe ndalimit të dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prenkaj tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po shkel në vazhdimësi vijat e kuqe të përcaktuara nga partnerët strategjikë të Kosovës. “Kosova është në një pozitë të palakmueshme, përveç masave të vendosura nga Bashkësia Ndërkombëtare, tani ka edhe masa të reja nga SHBA, për tejkalimin e vijave të kuqe nga kryeministri Kurti,” tha ai. Prenkaj shtoi se heqja e këtyre masave do të jetë e vështirë dhe do të shoqërohet me kushte të rrepta për vendin. “Edhe nëse hiqen, do të ketë shumë kërkesa për t’u plotësuar. Qeveria në detyrë po shkel vijat e kuqe në vazhdimësi, dhe kjo do të sjellë kushte të vështira dhe të njëpasnjëshme për heqjen e masave,” theksoi ish-ambasadori. Ai paralajmëroi se situata aktuale tregon nevojën për kujdes dhe respektim rigoroz të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, për të ruajtur stabilitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
