Albert Prenkaj: Jokoordinimi mes Presidentes dhe Qeverisë ka futur Kosovën në ngërç me SHBA-në

Ish-ambasadori i Kosovës, Albert Prenkaj, ka kritikuar ashpër jokoordinimin mes presidentes dhe udhëheqësve institucionalë gjatë vizitave të tyre në Nju Jork, duke thënë se ky qasje jo vetëm që dëmton imazhin e vendit, por edhe e zhbën politikën e jashtme të Kosovës. Sipas tij, takimet e realizuara në ShBA nga udhëheqësit kosovarë kanë qenë të fragmentuara dhe pa asnjë harmoni shtetërore. “Sivjet kemi një jokoordinim në mes të përfaqësuesve më të lartë të shtetit – presidentes, kryeministrit dhe ministres. Si rezultat kemi takime të ndryshme, të cilat nuk janë të koordinuara. Kjo lë një shije të hidhur për politikën e jashtme të Kosovës, për të cilën unë them që, për sa kohë që Kosova nuk ka politikë të jashtme, do të mbetemi në këtë situatë”, tha Prenkaj. Duke folur për raportet me ShBA-në, ai paralajmëroi se vizitat në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk sjellin asnjë ndryshim thelbësor. Përkundrazi, sipas tij, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së, ndërsa nga Uashingtoni ka ardhur mesazhi më i ashpër deri tani. “Kosova tashmë është nën sanksione nga Brukseli zyrtar. Ambasada e ShBA-së ka dërguar një letër që tregon pezullimin e dialogut strategjik. Madje kemi edhe një letër tjetër ku thuhet se Kurti ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe. Unë nuk pres ndonjë zbutje nga qëndrimet e ShBA-së pas këtyre vizitave, pasi ato janë zhvilluar në margjinat e OKB-së dhe jo në Uashingtonin zyrtar”, theksoi Prenkaj.

 

Kontrolloni gjithashtu

Serbia nën dyshim për shkelje ajrore me dronë – KFOR mohon, Kosova kërkon vigjilencë

Pretendimet e institucioneve të sigurisë në Kosovë për futjen e dronëve nga territori i Serbisë …