Gazetarja Rudina Xhunga solli në qendër të debatit publik një prej kapitujve më të ndritshëm të historisë shqiptare: shpëtimin e mbi 25 mijë ushtarëve italianë në shtator të vitit 1943, në ditët e kaosit të kapitullimit të Italisë dhe përparimit nazist. Me pyetjen e saj drejtuar kryeministres italiane Giorgia Meloni, Xhunga riktheu në dritë një histori të humanitetit të pastër, mikpritjes dhe guximit civil, ende e padekoruar sa meriton. Meloni e cilësoi këtë episod si një dëshmi të jashtëzakonshme miqësie mes dy popujve, duke konfirmuar se projekte për ta dokumentuar dhe nderuar këtë ngjarje janë duke avancuar. Ajo theksoi se Italia do të japë kontributin e saj për ta bërë të njohur këtë akt solidariteti, të cilin e quajti një nga shembjet më të bukura të dashurisë njerëzore dhe gatishmërisë për sakrificë. Edhe kryeministri Edi Rama vlerësoi lart rolin e shqiptarëve, duke e krahasuar këtë episod me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – një tjetër akt i madh humanizmi që e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion unik në historinë botërore. Rama theksoi se shqiptarët nuk i kanë parë kurrë italianët si armiq, por si njerëz në nevojë, të cilët u mbrojtën dhe u shpëtuan në një moment kur nazistët kërkonin kudo viktima. Me pyetjen e saj, Rudina Xhunga jo vetëm riktheu një të vërtetë historike, por i dha zë një kërkese të kahershme: që kjo faqe tjetër e artë e humanizmit shqiptar të nderohet, dokumentohet dhe të bëhet pjesë e kujtesës së përbashkët mes dy popujve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
