Abelard Tahiri

Tahiri akuzon Qeverinë Kurti për mungesë mbështetjeje ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar përmes një video-mesazhi në prag të protestës së sotme në Shkup, duke kritikuar Qeverinë Kurti për, siç u shpreh ai, mungesë mbështetjeje institucionale dhe financiare ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Tahiri ka deklaruar se kishte pritje që qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të ishte e para që do t’u dilte në krah ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke e cilësuar procesin gjyqësor si të padrejtë dhe politikisht të motivuar. Sipas tij, ndodhi e kundërta, pasi Qeveria Kurti zgjodhi heshtjen dhe indiferencën, duke mos ofruar mbështetjen e nevojshme për çlirimtarët, përfshirë edhe mbështetjen financiare për mbrojtjen e tyre juridike. “Kryeministri Kurti mund të përpiqet ta pengojë financimin e mbrojtjes për çlirimtarët tanë, por kurrë nuk do të mund ta pengojë lirimin e tyre. Sot jemi në Shkup, nesër kudo tjetër, deri në lirinë e plotë të heronjve tanë të luftës dhe të paqes!”, ka theksuar Tahiri. Deklarata e Tahirit vjen në vazhdën e reagimeve politike lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe në prag të protestës së paralajmëruar që po mbahet sot në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza: Të rinjtë janë forca e ndryshimit, prioriteti im do të jetë mirëqenia dhe perspektiva e tyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se …