Në Qendrat Komunale të Numërimit, ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike, është bërë i ditur konfigurimi preliminar i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje pritet të jetë subjekti më i madh parlamentar, me 56 deputetë të siguruar, në mesin e të cilëve janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Mimoza Kusari-Lila, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli-Dalipi, si dhe shumë emra të tjerë nga radhët e kësaj partie.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të përfaqësohet me 23 deputetë në Kuvend, përfshirë: Bedri Hamza, Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Ferat Shala, Bekim Haxhiu dhe Blerta Deliu-Kodra.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet t’i ketë 15 deputetë, me emra si: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Armend Zemaj, Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pritet të ketë gjashtë deputetë, të cilët janë: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Agim Çeku dhe Time Kadrijaj.
KQZ ka bërë të ditur se këto janë rezultate preliminare dhe se lista përfundimtare e deputetëve mund të pësojë ndryshime pas përfshirjes së votave të tjera dhe certifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
