Mbrojtja dhe siguria janë kombëtare, sepse ato nuk kanë të bëjnë vetëm me mbrojtjen ushtarake dhe forcat e armatosura, por me të gjitha administratat përgjegjëse për funksionet kryesore të shtetit ose për burimet kryesore të jetës së vendit, konkretisht, të rendit publik dhe të sigurisë civile, të marrëdhënieve me jashtë dhe të diplomacisë, të financave, të lëndëve të para, energjisë, ushqimit dhe prodhimeve industriale, të shëndetit publik, të transportit dhe të telekomunikacionit, të punëve publike, të sigurisë së sistemeve të informacionit. Në vetëdijen e tij, individi ka të nevojshme që, individualisht, të plotësojë disa nevoja që mundësojnë ekzistencë cilësore, mes tjerave edhe nevojën për siguri. Nga ana tjetër, siguria kombëtare është fokusuar në përpjekjet e vendit-komb për të dhënë siguri për të gjithë anëtarët e shoqërisë dhe t’i mbrojë ata nga kërcënimet e jashtme dhe ato të brendshme. Thelbi i sigurisë kombëtare është, padyshim, mbrojtja e vendit nga sulmet e forcave ushtarake të vendeve të tjera. Si term, është më i gjerë se kaq, por jo aq sa të përfshijë të gjitha interesat kombëtare. Fokusi i tij është në mbrojtjen e vendit dhe, në veçanti, të shtetit nga kërcënime dhe rreziqe që, në përgjithësi, por jo gjithmonë, janë të jashtme.
Siguria kombëtare konsiston në ruajtjen e ekzistencës së vlerave themelore të shteteve dhe të kombeve: si integriteti territorial, pavarësia politike, cilësia e jetës, si dhe të ashtuquajturat interesa jetikë kombëtarë. Siguria kombëtare përfshin mbajtjen e një force ushtarake të mjaftueshme për të parandaluar ose thyer sulmet ushtarake ndaj vendit, përdorimin e saj ligjor për kontrollin e trazirave të brendshme dhe ndërmarrjen e veprimtarive të tjera që mund të jenë në interes kombëtar. Sigurimin e të dhënave të mjaftueshme të zbulimit mbi kapacitetet dhe synimet e fuqive të tjera, kundërshtare dhe mike, për të informuar politikën e jashtme dhe veprimin ushtarak. Mjedisi i sigurisë është vazhdimisht në ndryshim, me aleanca dhe partneritete të ndryshueshme, me kërcënime kombëtare dhe ndërkombëtare që ngrihen e bien. Askund tjetër sfidat e sotme nuk janë më të dukshme se në sferën e sigurisë kombëtare. Megjithëse rreziku i luftës globale duket i largët, shumë rreziqe vazhdojnë të jenë të pranishme dhe po lindin me shpejtësi sfida të reja. Kërcënimet e konflikteve rajonale, armatosja e shteteve, rreziqet e terrorizmit ndërkombëtar dhe të krimit të organizuar, problemet e dështimit të shteteve, mundësitë e zhvillimit të sulmeve elektronike dhe informative, katastrofat natyrore dhe ndikimi i ndryshimit të klimës po karakterizojnë gjithnjë e më tepër botën e sotme. Globalizmi ka bërë të mundur zvogëlimin e luftës ndërmjet shteteve, por konfrontimi me aktorë joshtetërorë është bërë kohët e fundit forma më e përhapur e konfliktit. Megjithatë, mundësia për konflikte ndërmjet shteteve ekziston. Globalizimi, si një proces dinamik botëror i rritjes së shpejtë, i qarkullimit ndërkufitar të mallrave, të shërbimeve, të parave, të njerëzve, të teknologjisë, të ideve, të kulturave, të vlerave, të krimit dhe të armëve, do të vazhdojë të ketë një ndikim kryesor mbi rendin dhe sigurinë, duke thelluar ndërvarësinë, duke forcuar pozitat e disa aktorëve dhe duke dobësuar ato të disa të tjerëve. Për më tepër, ndikimet e tij, përfshirë terrorizmin dhe krimin e organizuar, do të vazhdojnë të bashkëveprojnë me rivalitetet rajonale dhe etnike, duke rritur rivalitetin dhe paqëndrueshmërinë në sistemin ndërkombëtar. Mjedisi i ardhshëm i sigurisë ka gjasa të karakterizohet nga konfliktet potenciale shtet me shtet, nga kërcënimet asimetrike gjithnjë në evoluim, nga aktorët joshtetërorë dhe shtetet e papërgjegjshme, si dhe nga problemet shoqërore, ekonomike, mjedisore dhe të burimeve që mund të çojnë në një gjendje të paqëndrueshme. Mund të themi se siguria kombëtare e shteteve të vogla, gjithsesi, është e kushtëzuar nga niveli i përgjithshëm i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, si dhe nga pozicioni gjeografik, në kuptimin gjeopolitik e gjeostrategjik.
Siguria kombëtare, sidoqoftë, është një vlerë politike në vetvete dhe është e përshtatur sipas aspiratave dhe interesave specifike sociopolitike, dhe sot siguria kombëtare është e mirë personale dhe politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
