Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë intervistën e parë pas përfundimit të deklarimeve në procesin gjyqësor në Hagë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku ka trajtuar çështje që lidhen me të ardhmen e tij politike, procesin gjyqësor dhe zhvillimet në Kosovë. Në përgjigje të pyetjes së gazetarit Michael Martens për një rikthim të mundshëm në politikë në rast shpalljeje të pafajshme, Thaçi u shpreh se nuk e sheh më veten në garë politike, por jo edhe jashtë jetës publike. “E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit”, ka deklaruar ai, duke falënderuar qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen ndër vite. Sa i përket zhvillimeve politike në vend, Thaçi ka theksuar se interesat e qytetarëve duhet të vendosen mbi ato partiake, duke shmangur komente të drejtpërdrejta për bashkëpunime konkrete politike. Intervista e tij shënon një rikthim të vëmendjes publike mbi rolin dhe qëndrimet e ish-presidentit, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
