Në intervistën e dhënë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar gjerësisht procesin gjyqësor në Hagë, duke theksuar se aktakuza ndaj tij dhe ish-liderëve të UÇK-së nuk përmban asnjë element që lidhet me pretendimet për trafikim organesh. Ai rikujtoi se krijimi i Dhomave të Specializuara u bë për të hetuar akuzat e ngritura në raportin e Dick Marty, por sipas tij, këto pretendime nuk janë përfshirë në aktakuzë. “Qëllimi ishte hetimi i këtyre akuzave, por në çështjen tonë nuk ka asnjë referencë për to. Pretendimet rezultuan të pavërteta dhe të padenja për hetim të mëtejshëm”, ka thënë Thaçi. Ai theksoi se Dhomat e Specializuara janë mekanizmi i katërt ndërkombëtar pas ICTY, UNMIK dhe EULEX, të cilat kanë trajtuar ngjarjet e viteve 1998–1999 në Kosovë. Në intervistë, Thaçi ka folur edhe për dhimbjen personale pas vdekjes së babait të tij, duke theksuar se pamundësia për të marrë pjesë në varrim është një plagë që do ta mbajë gjithë jetën. Ndërkohë, ai përmendi edhe dëshminë e gjeneralit Wesley Clark, i cili, sipas tij, i ka cilësuar pretendimet për trafikim organesh si dezinformim, duke shtuar se procesi duhet të sjellë të vërtetën dhe drejtësinë.
Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
