Veli Adem Nocaj (20.10.1968 - 23.4.1998)

Veli Adem Nocaj (20.10.1968 – 23.4.1998)

Veli Adem Nocaj, u lind me 20 tetor të vitit 1968 në fshatin Dujakë, komuna e Gjakovës. Mësimet e para i mori në shkollën fillore ” Ukshin Miftari” të Skivjanit, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Gjakovë, në gjimnazin “Hajdar Dushi”. Ishte nip i Haxhi Alisë nga Juniku. Atë gjithmonë e shoqëronte mendimi për jetën e rëndë që kishte pasur gjyshi, Haxi Alia, të cilin e kishin maltretuar brutalisht sidomos në Aksionin për grumbullim e armëve, në dimrin e vitit 1956, ku atë e mbysin në bunar të shtëpisë së vet. Veliu, udhërrëfyes për atdheun kishte dajën, Ukë Haxhi Miftari.
Prindërit, Adem e Nurije Nocaj, lindën e rritën bijtë e bijat: Mensurin, Nafijen, Gjylsimen, Zyrafeten, Veliun, Hidajeten, Afijeten.
Veliut, prindërit i punonin në Gjermani, ai shkon tek ata ku një kohë jetoi dhe punoi në mërgim. Pas disa kohe vendos të kthehet në Kosovë, por me rastin e ardhjes në vendlindje ai arrestohet dhe organet e policore serbe, dhe e dënojnë me një vit burg. Burgun e vuan në Dubravë, nga viti 1992 deri me 1993. Pasi lirohet nga burgu Veliu sërish merr rrugën e mërgimit.
Me të lëshuar kushtrimin UÇK-ja, Veliu len përfundimisht Gjermaninë dhe kthehet në Atdhe në mars të vitit 1998, por tani si ushtar i UÇK-së. Me 23 mars të vitit 1998, kyçet në Njësitin e Zonës Operative të Dukagjinit, te komandant Ramush Haradinaj. Pastaj merr pjesë në luftime edhe në Jabllanicë, në Lug të Baranit, në Junik në Jasiq, ku u dallua në kryerjen e shumë aksioneve guerile edhe në aksin rrugor Pejë – Deçan – Gjakovë.
Trimi i madh Veli Noci dhjetëra herë barti dhe armatime nga Shqipëria në Kosovë me krahët e njomë rinor por me vullnet të çeliktë, ishte burrë modest fjalë pak e atdhetar shembullor.
Nevoja për furnizim me armatim, Veliun, me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë e detyroi sërish të marrë rrugën e mundimshme për në Malësi të Tropojës. Grupi i parë prej 22 ushtarësh rekrutë u nis më 18 prill 1998. Grupi i dytë i luftëtarëve nga Sllupi, Vokshi, Batusha, Hereqi, e Nivokazi, prej rreth 100 luftëtarësh, niset të nesërmen, më 19 prill 1998. Pasi luftëtarët pajisen me armatim të mjaftueshëm, gjatë kthimit në Kosovë, në Koshare bien në pritë të forcave ushtarake serbe. Më 23 prill 1998 pas luftimeve të ashpra, çlirimtarët goditen nga armë zjarri dhe bien përjetësisht disa luftëtarë në tokën e shenjtë, si dëshmi e një kufiri të mallkuar që ndante trojet shqiptare në dy pjesë, e i cili nuk do të jetë më kurrë. Atë ditë u përjetësuan dëshmorët: Veli Noci e Blerim Jonuzaj nga Dujaka e Gjakovës, Tahir Mazrekaj, Selman Lokaj, Imer Lokaj, Hajdar Lokaj, e Beqë Lokaj, Xhemajl Mazrekaj, Bekim Mazrekaj e Bekë Mazrekaj dhe Astrit Hadërgjonaj, nëntë dëshmorë nga Hereqi.
Trupi i dëshmorit Veli Nocaj, është varrosur të nesërmen me nderime ushtarake në vendlindje, ku prehet në amshueshmëri.
Veli Nocaj, ishte i martuar me Dritën dhe ka lënë pesë bij e bija: Rajmondën, Kamerin, Kemajlin, Gjejronin dhe Tahirin, të cilët jetojnë në Gjermani.
Pas rënies dëshmorë Veli Nocajt i janë recituar poezi, i janë kënduar këngë, një ndër këngët është edhe kënga e përkushtuar dhe e kënduar me zemër e shpirt e kënduar nga e motra e tij, Hidajetja.
Familja e dëshmorit Veli Nocaj, është nderuar me shumë mirënjohje nga institucionet e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për gjakun e derdhur të birit të saj Veli Nocaj.
Në fshatin e tij të lindjes shkëlqen një pllakë modeste për Heroin Veli Adem Nocaj. (Fiknete Mazrekaj)

Kontrolloni gjithashtu

Kadri Hajrë Kuliqi (30.1.1951 – 10.6.1999)

Kadri Hajrë Kuliqi (30.1.1951 – 10.6.1999)

Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rajoni i Drenicës ka dhenë më së shumti …