NA DUHET NDRYSHIM I KUSHTETUTËS, NA DUHEN LIGJE TË REJA, NA DUHEN PROTOKOLE ZYRTARE!
Do të flas vetëm për protokolet;
Pse na duhen protokolet?
Tani, në kohën moderne, duhet të sillemi sipas rrethanave të kohës!
Me norma dhe protokole që duhet të jenë të formuara dhe të aprovuara nga Parlamenti dhe të zbatueshme nga populli!
Tani nuk mund të thirremi sipas kodeve dhe normave kanunore, pasi janë tejkaluar shumë kohë më parë dhe koha i ka flakur jashtë përdorimit.
Por nuk guxojmë të lëmë zbrazëti (vakum) dhe të sillemi sipas tekeve tona, duke menduar se po veprojmë drejt, pa e kuptuar se nuk është e drejtë!
Prandaj na duhen protokole dhe norma zyrtare!
Duke filluar nga festat shtetërore e fetare, ceremonitë e pritjeve dhe të përcjelljeve të personaliteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, dhënien e gradave, dekoratave dhe të mirënjohjeve e nominimeve.
Në festa lokale dhe ngjarje historike, promovime, punime shkencore e akademike.
Tubime përkujtimore dhe akademi, përkujtime në përvjetore e nderime të dëshmorëve.
Nderim të dëshmorëve dhe shpalosje të ngjarjeve historike të luftës, si Dita e Çlirimit, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, Dita e themelimit të ushtrisë, të policisë, të mësuesisë, data e aprovimit të aktit më të lartë ligjor e shtetëror, Kushtetuta, si dhe ngjarje të tjera të nivelit shtetëror qendror e lokal!
Deri te dasmat, ahengjet, si dhe rastet mortore!
Duhet të jenë të shkruara, të koduara dhe të zbatohen sipas protokolit të caktuar nga shteti!
Duhet të dihet mirë kush nënshkruan dhe kush mund ta zëvendësojë, si dhe kush duhet të urdhërojë!
Kush është urdhëruesi e kush zbatuesi në çdo situatë, duke i paraparë edhe ato të jashtëzakonshmet!
Dikush mund të thotë se shumë nga këto i kemi me ligje e protokole, të tjerat kuptohen ose vetëkuptohen!
Nuk duhet të jemi në mendje që t’i lëmë të vetëkuptohen!
Shpeshherë mbeten në vullnetin e matrapazëve dhe të atyre pa ndërgjegje!
Nëse Qeveria e merr në patronazh një akademi apo përkujtim të një beteje apo të rënies së dëshmorëve, mirë është që e merr përsipër organizimin, por jo edhe të caktojë protokol të rastit sipas tekeve të atij kryeministri apo ministri, pasi që nuk e ka të paravendosur me normë apo protokol!
Kështu që e degradon ngjarjen komplet, sepse ia atribuon të drejtat vetvetes. Flet ministri i financave që nuk ka qenë fare në luftë, ky flet për heroin, ky që nuk ka aspak heroizëm, mund të mos jetë as shqiptar, po ashtu kryeparlamentari, kryeministri — të gjithë këta mund të mos kenë qenë asnjëri protagonist i asaj ngjarjeje e situate, mund të mos kenë pasur asnjë lidhje as informacion! Dhe pa fije turpi del dhe e shtjellon atë ngjarje, duke mos i përfillur rrethanat e kohës dhe kushtet dhe situatat kur dhe si ka ndodhur ngjarja!
Derisa protagonistët dhe kompetentët e kohës kur ka ndodhur ngjarja janë aty prezent, as që përshëndeten, e lere më t’u jepet fjala — kjo është turp i kësaj kohe!
Kjo stërkeqje dëmton historinë dhe vlerat reale. Pse ndodh kështu? Sepse me të marrë kompetencën e organizimit, i marrin të gjitha kompetencat pa i merituar fare!
Në këto raste organizatori duhet të merret vesh me atë kategori që ka pasur atëherë kompetencë dhe protagonizëm; kjo kategori duhet të bëjë skenarin!
Për shembull, kur është fjala për dëshmorët, kryetari i familjeve të dëshmorëve në nivel qendror është kompetent.
Kur kjo ndodh në nivel lokal, kryetari i dëshmorëve në nivel dege është kompetent, prandaj duhet me kohë përzgjedhja e kompetentëve dhe të merituarve në këto funksione!
Kur është fjala për Ditën e Çlirimit në nivel qendror, Kryetari i Shtetit, apo në nivel lokal kryetari i komunës, me të drejtë duhet të përshëndesë dhe të falënderojë çlirimtarët, por në këso raste kryetari mund të mos ketë qenë luftëtar; edhe nëse ka qenë, mund të ketë qenë vetëm ushtar apo ndonjë komandant i rangut të ulët!
Duhet të këshillohet me komandantin e nivelit më të lartë, të pyetet për ceremoninë, skemën e organizimit, si dhe për folësit sipas niveleve dhe protagonizmit të ngjarjeve!
Tash për tash shkojnë mbrapsht!
Organizimin e bën ai që ka mundësi ekonomike dhe skemën e bën me ata matrapaz si vetë ai, dhe zhvillohen ngjarjet deri në degradim total!
Kur bëhet fjalë për daljen publike të UÇK-së, duhet protagonistët; në mungesë të tyre flasin themeluesit e UÇK-së!
Jo të gjithë ta quajnë veten njëri ndër themeluesit, dihet kush janë saktë dhe kush kontribuoi; jo të gjithë dolën hapur përnjëherë!
Dihet që tre ishin që e proklamuan UÇK-në.
Jo gjithkush të prezantohet e ta prezantojnë si komandant i UÇK-së, si ai i batalionit, i brigadës, si komandant i zonës apo komandant i përgjithshëm — të gjithë kanë nivele e rangim, pra duhet cekur rangu (niveli)!
Komandant i UÇK-së ishte vetëm një!
Këtij në të shumtën e rasteve po i thonë komandant i Shtabit të Përgjithshëm, gjë që nuk është e drejtë!
Dihen strukturat e shtabit, dihen strukturat e zonës e të brigadës!
Shkelja më e ulët bëhet nga vetë vartësit që duan të jenë të parët, të paraqiten me një rol që t’u japë imazh sikur qenkan dikushi!
Ai apo ajo mund të marrë autorizim nga eprori dhe pastaj ta luajë atë rol.
Por kur të tillët vetë paraqiten, ata nuk paraqesin ngjarjen, por promovojnë veten, e mbushin me vlera që nuk i kanë dhe për një kohë mashtrojnë popullin me pseudo-vlera!
Ata janë mediokër — mediokriteti sjell dëmin më të madh në shoqëri, duke i shfaqur gjërat në favor të promovimit të tyre, zënë vendin e të diturve, si dhe duke e shtrembëruar realitetin historik, i shkatërrojnë vlerat!
Kryetarët, drejtorët, nga kryetari i fshatit deri te Kryeministri, duhet ta dinë vendin e tyre në raport me ngjarjet e luftës dhe të historisë!
Për këtë mendoj se protokolet, rregullat e normat e aprovuara e të sakta me ligj, i ndërgjegjësojnë edhe të pandërgjegjshmit!
Mbajtja në anarki totale pa ligjin e vlerave të luftës dhe pa protokole, për 28 vite ka dëmtuar vlerat dhe vërtetësitë, sa që edhe e pavërteta e zë vendin e së vërtetës!
Absurditete pa fund: flet dikush për Akademinë e Jasharajve, për Epopenë e UÇK-së — jo vetëm që nuk ka qenë protagonist apo përgjegjës në atë ngjarje, por krejt kundër asaj ngjarjeje ka vepruar!
Flet tjetri në emër të Shtabit të Përgjithshëm, jo vetëm që nuk ka qenë anëtar i Shtabit, por as Shtabin nuk e ka parë kurrë!
Flet për zonën nga një zonë tjetër, që nuk i ka takuar kurrë asaj zone!
Flet në emër të zonës pa asnjë autorizim, pa qenë në stafin e zonës; i mjafton që ka qenë komandant kompanie apo batalioni!
Flet për komandantin e zonës, heroin Tahir Sinani, e ky folës as që e ka takuar ndonjëherë në luftë; folësi duhet të ishte i rangut të tij ose një bashkëluftëtar i pandarë, jo vetëm që e përfaqëson një shoqatë!
Flet ai që u vesh me pushtet apo edhe me grada pas lufte, e nuk ishte fare protagonist dhe me asnjë nivel në ngjarjen e zhvilluar për të cilën bëhet fjalë — turp për matrapazët e vetëpromovimeve, llaskucët e pacipë!
Në rastet mortore të një zyrtari apo të një ushtari, polici apo ish-luftëtarëve, mirë që e kemi togën ceremoniale të FSK-së dhe kjo togë ka protokolin e vet!
Edhe këtu përzihen familjarët edhe më përtej tyre hoxhallarët!
Kur varroset i vdekuri me ceremoni ushtarake, aty hoxha mund të jetë vetëm pjesëmarrës si çdo tjetër, s’ka ndonjë rol fetar apo ceremonial.
Kur mbahet fjalë lamtumirëse, i vdekuri duhet të jetë i pa varrosur, pa u mbuluar me dhe, e jo pasi të mbulohet!
Pasi mbulohet me dhe, më nuk flitet, përveç se vendosen lule mbi varr ose nderim me breshëri armësh, nëse ka rënë për atdhe!
Për krejt këto dhe shumë të tjera që këtu nuk u thanë, duhen norma, ligje e protokole, për të qenë shoqëri e dinjitetshme njerëzore!
30 prill 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
