KFOR jep detaje nga takimi me kongresistët amerikanë në “Film City”

KFOR ka bërë të ditur se komandanti i misionit, Özkan Ulutaş, ka pritur në takim dy kongresistë amerikanë në selinë e KFOR-it në kampin Film City. Sipas njoftimit, në takim morën pjesë Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, si dhe Suhas Subramanyam, anëtar i lartë i Nënkomitetit Mbikëqyrës për Punët e Jashtme dhe Ushtarake. Takimi u zhvillua në kampin “Film City” në Prishtinë, ku komandanti i KFOR-it prezantoi situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe ritheksoi përkushtimin e misionit për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. “Takimi i dha një mundësi Komandantit të përshkruante situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. Gjeneralmajor Ulutaş shprehu gjithashtu mirënjohje për kontributin afatgjatë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO. KFOR-i rikujtoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …