Bedri Hamza: Çdo votë duhet të numërohet me kujdes dhe të respektohet vullneti i qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas mbylljes së vendvotimeve, duke vlerësuar procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Hamza theksoi se qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe një herë kulturë demokratike, përgjegjësi dhe besim në fuqinë e votës. Ai falënderoi votuesit për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar Hamza. Kreu i PDK-së ka theksuar se faza e numërimit është po aq e rëndësishme sa vetë votimi, duke kërkuar që çdo votë të trajtohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve. “Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund”, ka shkruar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Gjini falënderon votuesit, kërkon korrektësi gjatë numërimit të votave

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, …