Tema të tjera...
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka vlerësuar se rezultatet e sivjetme të Testit të Arritshmërisë dëshmojnë mungesë të progresit në cilësinë e arsimit parauniversitar në Kosovë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Në reagimin e tij, KOMF thekson se arritshmëria mesatare e nxënësve prej 48.35 për qind për vitin 2026 është tregues i qartë se sistemi arsimor nuk ka arritur të sigurojë përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit. Sipas koalicionit, rezultatet e viteve të fundit dëshmojnë një prirje shqetësuese në performancën e nxënësve, pasi mesatarja ka rënë nga 50.75 për qind në vitin 2022, në 52.1 për qind gjatë viteve 2023 dhe 2024, në 48.8 për qind në vitin 2025 dhe në 48.35 për qind këtë vit. KOMF vlerëson se fakti që nxënësit arrijnë mesatarisht më pak se gjysmën e kërkesave të testit ngre shqetësime serioze për përvetësimin e njohurive dhe kompetencave të përcaktuara në kurrikulat arsimore. Koalicioni kërkon një analizë të thelluar të faktorëve që ndikojnë në cilësinë e arsimit, si dhe hartimin e politikave dhe masave të bazuara në evidencë për përmirësimin e rezultateve të nxënësve. Po ashtu, KOMF thekson se rezultatet tregojnë dallime ndërmjet komunave, shkollave dhe kategorive të ndryshme të nxënësve, duke nënvizuar nevojën për politika më të targetuara që adresojnë nevojat e shkollave dhe nxënësve me performancë më të ulët. Sipas këtij koalicioni, arsimi parauniversitar në Kosovë vazhdon të përballet me sfida të shumta strukturore, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e sistemit arsimor dhe në rezultatet e nxënësve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
