Për çfarë luftuan shqiptarët në vitin 1981: për një emërtim gjeografik apo për barazi kombëtare?
Një pjesë e ish-veprimtarëve të organizatave të rezistencës, të cilët fillimisht kanë qenë skeptikë ndaj kërkesës për Republikën, duke e parë atë si kompromis ndaj synimit për bashkim kombëtar, edhe sot vazhdojnë ta interpretojnë atë kryesisht si një çështje territoriale ose gjeografike.
Kjo, sipas mendimit tim, e lë në hije thelbin e kërkesës politike të vitit 1981.
Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk kishte të bënte me krijimin e një njësie të re gjeografike. Kosova ekzistonte si territor. Çështja ishte krejt tjetër: barazia politike, juridike, ekonomike, shoqërore dhe administrativo-territoriale e shqiptarëve si komb me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Prandaj kërkesa për Republikën nuk ishte një debat për emërtimin e Kosovës, por për subjektivitetin kushtetues të shqiptarëve.
Me fjalë të tjera, Republika nuk ishte qëllim në vetvete, por forma juridiko-kushtetuese përmes së cilës shqiptarët kërkonin të njiheshin si popull shtetformues, i barabartë me popujt e tjerë të federatës.
Thuhej shpesh se “nuk ka republika kombëtare”. Kjo nuk qëndron plotësisht.
Në praktikë, federatat socialiste të asaj kohe, përfshirë edhe RSFJ-në, ishin të organizuara mbi parimin e republikave që përfaqësonin kombet kryesore shtetformuese. Edhe gjashtë republikat jugosllave përfaqësonin, në thelb, kombet përkatëse shtetformuese: sllovenët, kroatët, serbët, maqedonasit, malazezët dhe, pas Kushtetutës së vitit 1974, edhe myslimanët e Bosnjës si komb i njohur kushtetues.
Ndërkohë shqiptarët, ndonëse ishin populli i tretë për nga numri në Jugosllavi, vazhdonin të trajtoheshin si “kombësi”, e jo si komb shtetformues.
Pikërisht këtu qëndronte thelbi i kërkesës për Republikën.
Prandaj nuk mendoj se është e saktë të thuhet se shqiptarët luftuan politikisht dhe më pas edhe me armë për një emërtim gjeografik. Ata luftuan për njohjen e subjektivitetit të tyre politik e kombëtar dhe për barazi kushtetuese me popujt e tjerë të federatës.
Ky është një dallim thelbësor, sepse pa e kuptuar këtë, edhe demonstratat e vitit 1981 rrezikojnë të interpretohen gabimisht.
Në këtë kuptim, kërkesa për Republikën nuk e mohonte domosdoshmërisht idealin e bashkimit kombëtar. Për një pjesë të rëndësishme të lëvizjes ilegale, ajo përfaqësonte etapën e domosdoshme për njohjen e shqiptarëve si subjekt kushtetues dhe politik, mbi bazën e së cilës mund të ushtrohej edhe e drejta e vetëvendosjes. Pikërisht për këtë arsye, shumë organizata që fillimisht kishin rezerva ndaj kësaj kërkese, më vonë e përqafuan atë si një kërkesë të drejtë dhe realisht të arritshme në rrethanat e atëhershme.
Edhe Ukshin Hoti e ka shpjeguar mjaft qartë këtë problem. Ai argumentonte se çështja shqiptare në Jugosllavi nuk reduktohej te territori i Kosovës, por te statusi kushtetues i shqiptarëve si komb. Në këtë kuptim, kërkesa për Republikën ishte kërkesë për barazi politike të kombit shqiptar brenda federatës, ndërsa për një pjesë të lëvizjes ajo shihej edhe si një etapë drejt ushtrimit të së drejtës së vetëvendosjes.
Pikërisht ky dimension kombëtar, politik dhe juridik është ai që shpesh anashkalohet në interpretimet e sotme, duke krijuar përshtypjen e gabuar se kërkesa për Republikën kishte të bënte vetëm me territorin ose me një emërtim administrativ. Në të vërtetë, ajo synonte barazinë kushtetuese të shqiptarëve si komb me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Prandaj, debati mbi demonstratat e vitit 1981 nuk duhet të përqendrohet te dilema artificiale “Republikë apo bashkim kombëtar”, por te kuptimi i vërtetë i kërkesës për Republikën si shprehje e përpjekjes së shqiptarëve për barazi, subjektivitet politik dhe dinjitet kombëtar. Vetëm mbi këtë bazë mund të zhvillohet një debat i drejtë, i dokumentuar dhe i çliruar nga keqkuptimet e trashëguara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
