Marmara Guri: Shtëpia nuk është vend, është një ndjenjë që e mban me vete

Ajo kishte krijuar një jetë të re. Ishte martuar, kishte ndërtuar një familje, kishte një shtëpi tjetër, një prag tjetër ku hynte çdo mëngjes dhe një oborr ku dëgjonte zërat e së tashmes. Por, në thellësinë e shpirtit të saj, ekzistonte gjithmonë një derë që nuk ishte mbyllur kurrë. Ishte dera e shtëpisë ku kishte lindur, aty ku hapat e parë i kishte hedhur mbi tokën e lagur të mëngjeseve të fshatit.

Ajo e dinte se shtëpia nuk ishte vetëm muret, çatia apo dritaret. Shtëpia ishte era e dheut pas shiut, zëri i ujit që rridhte pranë, kënga e zogjve në agim, hija e drunjve ku dikur pushonte fëmijëria e saj. Shtëpia ishte ajo ndjenjë e papërshkrueshme që e kthente përsëri vajzë të vogël sa herë që shkelte në atë tokë.

Kishte njerëz që e shihnin fshatin e saj vetëm si një vend me rrugë të vështira, me mundësi të pakta ekonomike dhe me shumë mungesa. Por për të, ai vend ishte parajsa. Nuk e maste bukurinë e tij me pasurinë, as me ndërtesat e mëdha, as me komoditetet e jetës moderne. Ajo e gjente pasurinë në malin që ngrihej mbi shtëpitë e vjetra, në fushat që merrnin ngjyrë sipas stinëve, në pemët që kishin parë breza të tërë të rriteshin nën hijen e tyre.

Ajo e donte tokën e saj. E donte ujin që kishte pirë kur ishte fëmijë, gurët e rrugicave ku kishte vrapuar zbathur, erën e barit të kositur dhe heshtjen e mbrëmjeve kur fshati mbulohej nga qetësia. Çdo cep i atij vendi mbante një kujtim. Çdo pemë dukej sikur kishte një histori për t’i treguar.

Por mbi të gjitha, ajo e donte atë vend sepse aty preheshin eshtrat e babait të saj. Që kur ai ishte në amshim, mali, fusha dhe shtëpitë e fshatit kishin marrë një kuptim tjetër. Ajo e ndiente sikur Babai i saj qëndron aty, si një rojtar i heshtur i atij vendi të shenjtë. Sikur nga lartësia e malit të shikonte familjen e tij, shtëpinë ku kishte rritur fëmijët dhe tokën për të cilën kishte punuar gjithë jetën.

Sa herë kthehej në fshat, ajo nuk ndiente se po vizitonte një vend. Ajo ndiente se po kthehej te vetja. Te rrënjët e saj. Te zëri i nënës, te duart e babait, te ditët e pafajshme të fëmijërisë. Atje nuk ishte thjesht një vajzë që vinte nga larg; atje ishte përsëri ajo vajza e vogël që njihte çdo shteg, çdo gur dhe çdo pemë.

Sepse njeriu mund të ndërtojë shumë shtëpi gjatë jetës, por vetëm një vend e quan me të vërtetë shtëpi. Ai vend ku zemra ndihet e qetë, ku kujtimet marrin frymë dhe ku shpirti gjen prehje.

Shtëpia nuk është një adresë në hartë. Nuk është vetëm një vend ku jeton trupi. Shtëpia është një ndjenjë që e mban me vete gjithë jetën. Dhe për të, ajo ndjenjë kishte emrin e fshatit të saj, të malit të saj, të tokës së saj dhe veçanërisht të babait që ende i dukej se i bënte roje nga përjetësia.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI

Albert Z. ZHOLI: Historia legjendë e Qafës së Thanës

Ishte një mëngjes i freskët mali, kur një gjysh me nipin ndaluan në majë të …