Deputeti Eman Rrahmani, ka reaguar lidhur me rastin e Trainkos, pas raportimeve se ndërmarrja ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro për riparimin e vagonëve në Serbi. Në reagimin e tij, Rrahmani e ka vënë theksin te largimi nga puna i punëtorit që, sipas raportimeve, kishte ngritur shqetësime lidhur me këtë rast. Ai e ka cilësuar këtë si shembull të presionit ndaj personave që denoncojnë keqpërdorime. Sipas deputetit të PDK-së, punëtorët rrezikojnë vendet e punës nëse bëhen kritikë ndaj pushtetit ose publikojnë raste që ai i konsideron skandale, tenderë të dyshimtë apo punësime partiake. “Sot, e vetmja arsye pse ky pushtet të largon nga puna është nëse guxon t’ua zbulosh skandalet, tenderët e dyshimtë, punësimet partiake dhe keqpërdorimet”, ka shkruar Rrahmani. Ai u ka bërë thirrje punëtorëve dhe qytetarëve që të mos heshtin për rastet që i konsiderojnë keqpërdorime, duke e lidhur heshtjen me, siç e ka quajtur, forcimin e një pushteti autoritar. “Publikojeni çdo skandal, çdo mashtrim, çdo keqpërdorim dhe çdo padrejtësi”, ka shkruar ai. Rrahmani e përmbylli reagimin me paralajmërimin se asnjë pushtet nuk është i përhershëm: “Edhe ky do të shkojë!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
