Në hapësirat e ish-Burgut të Prishtinës, të njohur si “Burgu i Idealit”, kujtesa e së kaluarës është sjellë në një formë të veçantë artistike përmes instalacionit konceptual të artistes Emine Jetishi, me titull “Ahmet Qeriqi – 8 vite të mbyllura, një kujtesë që nuk u mbyll kurrë”. Vepra i kushtohet ish-të burgosurit politik dhe profesorit Ahmet Qeriqi, duke sjellë përmes artit përvojën e tij të burgimit dhe gjurmët që ajo periudhë ka lënë në kujtesën individuale e kolektive. Me këtë rast, Radio Kosova e Lirë ka realizuar një intervistë me artisten Emine Jetishi, në të cilën ajo flet për konceptin e veprës, përzgjedhjen e figurës së Ahmet Qeriqit dhe mesazhin që synon të përcjellë përmes këtij instalacioni.
RKL: Çfarë ju shtyu që, në mesin e shumë figurave dhe historive, të zgjidhni Prof. Ahmet Qeriqin për ta përfaqësuar në këtë ekspozitë? Çfarë ju preku më shumë në figurën dhe rrugëtimin e tij?
Emine Jetishi: E zgjodha Ahmet Qeriqin edhe për një arsye shumë personale. Si artiste nga Shtimja, desha që në këtë ekspozitë ta përfaqësoja vendlindjen time përmes një figure të rëndësishme të saj. Ahmet Qeriqi është një nga njerëzit që lidhet ngushtë me historinë, kulturën dhe kujtesën e Shtimes, por njëkohësisht historia e tij shkon përtej një qyteti.
RKL: Një portret nuk është vetëm një fytyrë, por mund të jetë edhe një histori e tërë. Çfarë historie keni dashur të tregoni përmes portretit të Prof. Ahmetit dhe çfarë dëshironi të ndiejë vizitori kur e shikon atë?
Emine Jetishi: Më preku veçanërisht rrugëtimi i tij, 8 vitet e burgimit politik, qëndresa, shkrimet dhe kontributi i tij gjatë luftës. Prandaj desha të krijoj një vepër që të tregojë njeriun, historinë dhe gjurmën që ai la pas.
RKL: Kjo ekspozitë është ngritur në një hapësirë ku shumë njerëz kanë përjetuar burgun, dhimbjen dhe privimin e lirisë. Si ka ndikuar kjo hapësirë në mënyrën se si e keni konceptuar dhe realizuar veprën tuaj?
Emine Jetishi: Kjo hapësirë ka ndikuar shumë në mënyrën se si e kam konceptuar veprën. Nuk doja të krijoja një vepër që vendoset brenda një burgu, por një vepër që bëhet pjesë e vetë hapësirës. Muret, hekuri, qelitë dhe telat me gjemba e mbartin ende kujtesën e njerëzve që kanë kaluar këtu. Prandaj kam përdorur edhe televizorët, telat dhe fotografitë për ta krijuar ndjesinë e një kujtese të mbyllur, por që vazhdon të flasë.
Për mua, kjo hapësirë është pjesë e veprës dhe pjesë e historisë që ajo tregon.
RKL: Sa e rëndësishme ka qenë për ju njohja me historinë, veprimtarinë dhe kujtesën që lidhet me Prof. Ahmet Qeriqin para se ta realizonit portretin e tij?
Emine Jetishi: Ishte thelbësore. Para se ta realizoja veprën, u njoha me jetën dhe veprimtarinë e tij, me 8 vitet e burgimit, me shkrimet, angazhimin e tij dhe rolin që pati në Radio Kosovën e Lirë. Sa më shumë e njihja historinë e tij, aq më shumë kuptoja se një portret i zakonshëm nuk do të mjaftonte për ta treguar. Prandaj vendosa ta shndërroj portretin në një rrëfim vizual, ku fotografia, shkrimi, televizorët dhe telat bëhen pjesë e historisë së tij.
RKL: Çfarë keni dashur të përcillni përmes teknikës, ngjyrave dhe mënyrës së trajtimit të portretit? A ka ndonjë element në veprën tuaj që mbart një simbolikë të veçantë?
Emine Jetishi: Në këtë vepër, çdo element ka një simbolikë të veçantë. Pesë televizorët lidhen me zërin, transmetimin dhe kujtesën, ndërsa tetë fotografitë simbolizojnë 8 vitet e burgimit të Ahmet Qeriqit. Tetë shkrimet sjellin pjesë nga jeta, mendimi dhe veprimtaria e tij. Telat me gjemba janë simbol i kufizimit dhe burgimit.
Por ajo që kam dashur të theksoj është se mund të burgoset trupi, por jo fjala, mendimi dhe kujtesa. Prandaj televizorët vazhdojnë të transmetojnë dhe shkrimet vazhdojnë të flasin. Për mua, kjo është edhe thelbi i veprës: një zë që nuk u burgos kurrë.
RKL: Si artiste, çfarë ju frymëzon më shumë në krijimtarinë tuaj dhe cilat janë temat që dëshironi t’i trajtoni në veprat e ardhshme? A keni projekte ose ekspozita të reja në plan?
Emine Jetishi: Më frymëzon historia, kujtesa dhe sidomos njerëzit që kanë lënë gjurmë në historinë tonë, por që me kalimin e kohës rrezikojnë të harrohen. Si artiste, dua që përmes veprës ta kthej kujtesën në një formë që mund të shihet, të përjetohet dhe të përcillet te brezat e rinj.
Në projektet e mia të ardhshme dua të vazhdoj të trajtoj temat e luftës, sakrificës, kujtesës dhe identitetit, por gjithmonë duke kërkuar forma të reja të shprehjes përmes artit konceptual dhe instalacionit. Kam edhe projekte të reja në plan, të cilat lidhen me historinë e Kosovës dhe me njerëzit që e kanë përjetuar atë histori.
RKL: Në emër të stafit të Radio Kosova e Lirë, ju falënderojmë veçanërisht për përzgjedhjen e Prof. Ahmet Qeriqit, ish-drejtorit të radios sonë. Nëse do ta përmblidhnit në një mesazh atë që keni dashur të thoni përmes këtij portreti, çfarë do të dëshironit t’i mbetej publikut në kujtesë?
Emine Jetishi: Do të doja që publiku të mos shihte vetëm fytyrën e Ahmet Qeriqit, por të ndiente peshën e historisë së tij. Tetë vite burg nuk janë vetëm një numër. Pas tyre qëndron një jetë, një familje, dhimbje, qëndresë dhe një zë që vazhdoi të fliste.
Në fund, ajo që dua të mbetet është kjo: mund ta mbyllësh një njeri pas hekurave, por nuk mund ta mbyllësh kujtesën, fjalën dhe shpirtin e tij.
RKL: Një portret nuk është vetëm një fytyrë, por mund të jetë edhe një histori e tërë. Çfarë historie keni dashur të tregoni përmes portretit të Prof. Ahmetit dhe çfarë dëshironi të ndiejë vizitori kur e shikon atë?
Emine Jetishi : Kam dashur të tregoj historinë e një njeriu që u privua nga liria, por nuk u mposht shpirtërisht. Tetë fotografitë lidhen me 8 vitet e burgimit të tij, ndërsa 8 shkrimet sjellin pjesë nga jeta, veprimtaria dhe mendimi i tij. Përmes këtyre elementeve kam dashur që vizitori të mos shohë vetëm një portret, por të ndiejë peshën e një jete të kaluar nëpër burg, qëndresë dhe sakrificë.
Për mua, ky instalacion konceptual kushtuar Ahmet Qeriqit. Është një portret i kujtesës së tij, i dhimbjes së tij, por edhe i lirisë që ai nuk pushoi së kërkuari.
intervisten e realizoi Arbana Qeriqi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
