Disa njerëz e jetojnë jetën duke kërkuar siguri; të tjerë, në momente të caktuara të historisë, e kuptojnë se koha kërkon prej tyre më shumë se zakonisht. Shefqet Sabit Zeka i përkiste brezit të të rinjve shqiptarë të Kosovës që, përballë dhunës dhe luftës, nuk pranoj të mbetej vetëm dëshmitarë i ngjarjeve. Për të, lufta nuk ishte një ide e largët dhe as një fjalë që dëgjohej vetëm nëpër oda e tubime. Ajo u bë realitet atëherë kur ai pa me sytë e tij pasojat e luftës mbi popullsinë civile dhe kuptoi se Kosova kishte hyrë në një udhë nga e cila nuk mund të qëndrohej mënjanë.
Shefqet Sabit Zeka u lind më 8 gusht 1977 në Prishtinë. Mësimet e para i kreu me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën “Asim Vokshi”, ku u dallua për zgjuarsi, sjellje të mirë dhe gatishmëri për t’u ndihmuar shokëve, si gjatë mësimit, ashtu edhe në aktivitetet jashtëshkollore. Pas përfundimit të tetëvjeçares, vendosi të vazhdonte shkollimin teologjik në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Për shkak të kushteve ekonomike, ai u detyrua t’i ndërpriste mësimet, por ndërprerja e shkollimit nuk e ndërpreu formimin e tij. Në vitet që pasuan, Shefqeti do ta dëshmonte se te ai po formohej një njeri me ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj familjes, shoqërisë dhe atdheut. Ishte pjesë e një brezi të ri shqiptarësh të Kosovës që u formua në një periudhë të jashtëzakonshme historike, kur gjendja nën okupimin serb po rëndohej dita-ditës, kur përkatësia kombëtare, besimi, padrejtësia politike dhe aspirata për liri po ndërthureshin fuqishëm në jetën e përditshme. Në Medresenë “Alauddin” të Prishtinës mori një pjesë të formimit të tij shpirtëror, moral dhe kombëtar, ndërsa jashtë mureve të Medresesë përballej me realitetin politik të Kosovës dhe me çështjen e pazgjidhur kombëtare. Në këtë formim, mësimet fetare për drejtësinë, qëndresën, mbrojtjen e të pafajshmit dhe sakrificën mund të bëheshin pjesë e ndërgjegjes së një të riu që po rritej në një shoqëri të privuar nga liria e plotë shoqërore. Në traditën profetike thuhet: “Mos dëshironi të përballeni me armikun; kërkoni prej Zotit mirëqenie. Por, kur të përballeni me armikun, qëndroni të palëkundur.” Për një brez që po shihte padrejtësitë ndaj popullit të vet, kjo frymë e qëndresës merrte një kuptim të veçantë. Ajo nuk e kthente luftën në qëllim, por e ngrinte në vlerë morale gatishmërinë për të mbrojtur atë që njeriu e konsideronte të drejtë dhe të shenjtë: lirinë. Kështu u formua edhe Shefqet Zeka. Te ai, besimi dhe vetëdija kombëtare nuk duket se qëndronin si dy botë të ndara. Përkundrazi, ato u ndërthurën në një periudhë kur Kosova po kalonte nga protesta dhe rezistenca politike në një përballje gjithnjë e më të drejtpërdrejtë me dhunën. Ai ishte ende i ri kur në Kosovë nisën të shfaqeshin shenjat e një konflikti të armatosur, por zhvillimet e viteve 1997–1998 e shtynë brezin e tij të përballej me pyetjen se çfarë mund të bëhej përballë dhunës dhe rrezikut që i kanosej popullsisë shqiptare. Nga ai çast, rruga e Shefqet Zekës do të vazhdonte drejt frontit dhe drejt Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Më 22 shtator 1998, ai do ta vuloste me jetën e tij atë që kishte shprehur me fjalë, me veprim dhe me bindje: se liria nuk kërkohej vetëm me dëshira, por edhe me gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka për të. Shefqeti nuk arriti në Drenicë rastësisht dhe as nga një vendim i çastit. Rruga që e çoi deri në vijën e parë të frontit kishte nisur shumë më herët. Ajo ishte formuar gradualisht përmes edukimit, përvojave jetësore, përballjes me realitetin e Kosovës dhe, mbi të gjitha, përmes tronditjes që përjetoi nga lufta në Likoshan e Qirez. Formimi i tij në Medresenë “Alauddin”, edhe pse i ndërprerë për shkak të kushteve ekonomike, kishte lënë gjurmë në botëkuptimin e tij shpirtëror e moral, ndërsa realiteti politik dhe kombëtar i Kosovës e kishte bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj shoqërisë dhe atdheut.
Ngjarjet e 28 shkurtit 1998 në Likoshan dhe Qirez do të bëheshin pika e kthesës në këtë rrugëtim. Më 3 mars, kur mori pjesë në varrimin e viktimave dhe dëshmorëve, Shefqeti nuk pa vetëm pasojat e një përleshjeje të armatosur. Ai pa shkatërrimin, viktimat, familjet e thyera dhe dhimbjen e një popullsie të tërë. Por pa edhe diçka tjetër: pa njerëz që, përballë një force shumë më të madhe, kishin zgjedhur të qëndronin. Kur u kthye në Prishtinë nga varrimi, Shefqeti nuk ishte më i njëjti. Pamjet që kishte parë në Likoshan e Qirez, qëndresa e luftëtarëve të UÇK-së dhe terrori i ushtruar ndaj popullsisë civile kishin lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e tij. I prekur nga ajo që kishte parë me sytë e vet dhe i bindur se përballë dhunës nuk mjaftonin më vetëm protestat dhe fjalët, ai tha: “Duhet të angazhohemi, të përgatitemi… pashë me sytë e mi se atje ishte zhvilluar një betejë e vërtetë.” Këto fjalë shënuan kthesën vendimtare në rrugëtimin e tij.
Që nga ajo kohë, Shefqeti kërkonte me këmbëngulje mundësinë për t’u mobilizuar në radhët e UÇK-së. Pas shumë përpjekjesh, arriti të vendoste kontakt me komandantin Fehmi Lladrovci. Mungesa e armëve e pengoi të bashkohej menjëherë me luftëtarët, por këmbëngulja e tij nuk u shua. Pas insistimit të vazhdueshëm, komandanti i premtoi se, sapo të sigurohej armatimi, Shefqeti do të thirrej për t’u radhitur në luftë. Deri atëherë, ai nuk qëndroi duarkryq. Me traktorin e tij udhëtonte drejt zonave ku zhvillohej lufta dhe ndihmonte në sigurimin e ushqimeve, veshmbathjeve dhe nevojave të tjera për luftëtarët dhe popullsinë e goditur nga lufta. Ndërkohë, krahas punës në Prishtinë, rritej edhe angazhimi i tij për të informuar familjen, miqtë dhe rrethin shoqëror mbi atë që po ndodhte në Drenicë. Ai përpiqej të thyente heshtjen, të largonte dyshimet dhe të kapërcente përçarjet politike që rëndonin mbi shoqërinë shqiptare në atë kohë. Për Shefqetin, lufta çlirimtare nuk ishte më vetëm një ngjarje që po zhvillohej diku larg; ajo ishte bërë pjesë e ndërgjegjes dhe e përgjegjësisë së tij personale. Prandaj, krahas përgatitjes për t’u bashkuar me UÇK-në, ai e ndiente të domosdoshme të fliste, të bindte dhe të ndërgjegjësonte të tjerët për nevojën e përkrahjes së saj. Këtë ndryshim të tij e dëshmon më së miri letra që e shkroi më 26 gusht 1998. Ajo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e mënyrës se si mendonte një i ri shqiptar i Kosovës në kulmin e luftës. Në të shihet se e ndiqte me vëmendje situatën politike ndërkombëtare, qëndrimin e Shteteve të Bashkuara e ne pergjithesi te Bashkësisë Ndërkombëtare. Për të, çështja e Kosovës nuk ishte më një konflikt i zakonshëm politik; ajo ishte një përballje ku popullsia shqiptare po paguante me jetë dhe ku diplomacia ndërkombëtare, sipas tij, po vonohej përballë tragjedisë. Në letrën e tij, fjalët “Kosova digjet flakë” dhe “Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjta se jeta!” shprehnin jo vetëm emocionin e një të riu të përfshirë në luftë, por edhe shkallën e bindjes së tij. Ai kërkonte nga subjektet politike shqiptare të kuptonin përgjegjësinë e tyre ndaj luftës dhe ndaj gjakut që po derdhej. Pyetja e tij: “A duhet UÇK-ja të jetë Ushtri e shtetit apo forcë e ndonjë subjekti politik?”, tregonte se ai e shihte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një forcë që duhej t’i përkiste interesit të përgjithshëm dhe jo interesave të ngushta partiake. Në fund të letrës, ai u drejtohej subjekteve politike me një gjuhë të drejtpërdrejtë: “Mos luani me nderin e popullit dhe gjakun e bijve dhe bijave të cilët për çdo ditë e derdhin për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës!” Këto fjalë e bëjnë të qartë se për Shefqetin lufta tashmë ishte bërë çështje e përgjegjësisë kombëtare dhe morale. Prandaj, kur e shohim rrugën e tij nga Medreseja “Alauddin” deri te radhët e UÇK-së, nuk kemi të bëjmë me dy periudha të shkëputura. Formimi shpirtëror i dha atij një botëkuptim moral; koha dhe rrethanat e Kosovës i dhanë këtij botëkuptimi një dimension kombëtar; ndërsa beteja në Likoshan me 28 shkurt e vuri përballë një vendimi konkret të mos mbetej vetëm dëshmitar i ngjarjeve.
Mëngjesi i 2 shtatorit 1998 – nisja drejt frontit
Mëngjesi i 2 shtatorit 1998 do të mbetej përgjithmonë i gdhendur në kujtesën e familjes së Shefqetit. Nëna e tij kujton se atë mëngjes Shefqeti u zgjua herët, u vesh dhe doli shpejt nga shtëpia. Ai i tha familjes se po dilte për punë, për të vazhduar përpjekjet e tij për t’i siguruar familjes nevojat e përditshme, ndërsa, në të vërtetë, ajo ditë do të shënonte një kthesë të pakthyeshme në jetën e tij. Nëna, ndoshta e shtyrë nga një parandjenjë, sikur e kishte ndier se ajo mund të ishte hera e fundit që do ta shihte djalin e saj, e përcolli deri te dera. Shefqeti, i cili prej kohësh kishte folur me familjarët për luftën dhe për ditën kur mund të thirrej për t’u nisur në frontin e Drenicës, e kuptonte shqetësimin e saj. Para se të largohej, ktheu edhe një herë kokën, e pa nënën dhe, në përpjekje për ta qetësuar, i tha: “Hajt, nanë, se shihemi në mbrëmje.” Ishte një fjali e zakonshme, e thënë në një çast të zakonshëm të një mëngjesi që, për familjen e tij, do të bëhej gjithçka tjetër përveçse i zakonshëm. Nëna nuk mund ta dinte se pas atyre fjalëve nuk do të vinte mbrëmja që ajo priste. Shefqeti po largohej nga shtëpia për herë të fundit, ndërsa rruga e tij po e çonte drejt asaj sakrifice që kishte kohë që e kishte pranuar në ndërgjegjen e tij.
Ai nuk po nisej drejt luftës si një njeri që nuk e dinte se çfarë e priste. Përkundrazi, muajt e mëparshëm e kishin bindur se përballja ishte bërë e pashmangshme. Ngjarjet e Likoshanit e të Qirezit, dhuna mbi popullsinë civile, represioni policor e ushtarak dhe përshkallëzimi i luftës në Drenicë kishin ndikuar thellë në ndërgjegjen e tij. Ajo që më parë e kishte përjetuar si shqetësim kombëtar tashmë ishte shndërruar në një detyrim moral për t’u bashkuar me ata që po mbronin vendin. Prandaj, mëngjesi i 2 shtatorit nuk ishte thjesht nisja e një të riu nga shtëpia. Ishte çasti kur fjala e dhënë vetes dhe bindja për detyrën ndaj atdheut morën formën e një vendimi përfundimtar. Shefqeti po largohej duke lënë pas nënën, familjen dhe jetën e përditshme, por me bindjen se vendi i tij ishte atje ku po vendosej fati i Kosovës. Pas atij mëngjesi, rruga e tij do të vazhdonte drejt frontit dhe drejt Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Aty, disa javë më vonë, më 22 shtator 1998, Shefqet Zeka do ta vuloste me jetën e tij atë që kishte shprehur me fjalë, me veprim dhe me bindje.
22 shtator 1998 – në vijën e parë të zjarrit
Shefqeti kishte ardhur nga Prishtina në Drenicë me një bindje të formuar tashmë. Ai e kishte parë se çfarë po ndodhte në Kosovë, kishte përjetuar tronditjen e ngjarjeve të Likoshanit, Qirezit dhe fshatrave përreth, kishte marrë pjesë në jetën studentore dhe kishte shprehur hapur bindjen e tij për nevojën e unitetit dhe të luftës për lirinë e Kosovës. Vetëm pak javë para rënies, në letrën e tij të 26 gushtit 1998, ai kishte shkruar: “Liria është më e shtrenjt se jeta!” Më 22 shtator, këto fjalë morën kuptimin e tyre më të plotë. Ai nuk ishte më vetëm duke shkruar për lirinë. Nuk ishte më vetëm duke kërkuar nga të tjerët të merrnin përgjegjësi. Ai vetë kishte marrë vendimin dhe kishte ardhur aty ku po zhvillohej lufta. Në vijën e parë të zjarrit, përballë tankeve, autoblindave dhe artilerisë së armikut, Shefqet Zeka e vuri në provë bindjen e tij. Në mëngjesin e 22 shtatorit 1998, në pikën “Shkaba 1”, te Trafoja, Shefqet Zeka ishte bërë pjesë e grupit të luftëtarëve që, nën komandën e Fehmi Lladrovcit, e dinin se përballë tyre po vinte një forcë shumë më e madhe dhe më e armatosur. Në mesin e tyre ishte edhe Haxhi Gjeli, i cili, në dëshminë e tij, e përshkruan atë përballje si “luftë frontale, përballje të fuqishme të moralit dhe idealit, në njërën anë, dhe të teknikës luftarake moderne të armikut, në anën tjetër”. Pika “Shkaba 1”, e njohur edhe si pika te “Trafoja”, ishte ndër pozicionet më të goditura nga forcat serbe në mëngjesin e 22 shtatorit. Qysh në orët e para të ditës, mbi istikamet e UÇK-së filloi të binte një breshëri e rëndë granatimesh, ndërsa forcat serbe po afroheshin me tërë arsenalin e tyre ushtarak. Përballë kësaj fuqie, luftëtarët e UÇK-së kishin avantazhin e përgatitjes së terrenit dhe të istikameve të hapura më herët, me urdhrin dhe këmbënguljen e komandantit Fehmi Lladrovci. Një nga porositë e tij, e ruajtur në dëshmitë e pjesëmarrësve, ishte: “Të derdhim sa më shumë djersë, që të derdhim sa më pak gjak!” Në fillim, kjo porosi mund t’u ishte dukur disa luftëtarëve dhe banorëve që hapnin kanalet si një masë e tepruar, por, kur beteja filloi, të gjithë e kuptuan rëndësinë e përgatitjes që kishte kërkuar komandanti. Në këtë vijë të parë ndodhej edhe Haxhi Gjeli nga Likoshani, i cili do ta përjetonte nga afër një prej betejave më të ashpra të asaj ofensive. Dëshmia e tij është veçanërisht e rëndësishme për historinë e Shefqet Zekës, sepse Haxhiu nuk e rrëfen këtë betejë nga larg, por nga pozicioni i një luftëtari që ishte aty, në mesin e zjarrit. Në atë istikam, pranë bashkëluftëtarëve të tij, ndodhej edhe Shefqet Zeka.
Djali nga Prishtina, i cili vetëm pak ditë më parë kishte marrë armën dhe kishte ardhur në Drenicë, tani ishte aty ku vendosej fati i luftëtarit – në vijën e parë, krah për krah me djemtë e Drenicës. Mes tyre ishte edhe Haxhi Gjeli, i cili do të mbetej një nga dëshmitarët më të afërt të orëve të fundit të jetës së Shefqetit. Kjo dëshmi është veçanërisht domethënëse për ta kuptuar vendin e Shefqetit në atë betejë. Ai nuk kishte ardhur në Drenicë për një përvojë simbolike apo për të qëndruar larg rrezikut, por ishte rreshtuar aty ku lufta ishte reale, aty ku tanket, autoblindat, artileria dhe minahedhësit e armikut përballeshin me armët e pakta të UÇK-së. Në atë vijë fronti, komandanti Fehmi Lladrovci, sipas dëshmisë së Haxhi Gjelit, kohë pas kohe qëndronte pranë luftëtarëve, lëvizte nëpër istikame, kërkonte disiplinë dhe ngrinte moralin e ushtarëve. Kërkesa e tij që armiku të mos goditej nga larg, por të pritej në afërsi dhe të sulmohej në befasi, Haxhi Gjeli nuk e kishte dëgjuar për herë të parë. Ky urdhër i sillte ndër mend rrëfimet për Luftën e Drenicës, kur bashkëluftëtarët e Rexhep Gjelit, Mehmet Gradicës dhe Shaban Polluzhës tregonin se si Rexhep Gjeli dhe Mehmet Gradica i urdhëronin luftëtarët e tyre të mos qëllonin në largësi, por armikun ta sulmonin nga afër, me qëllim që ta befasonin, të ruanin municionin dhe të arrinin sukses më të madh. Të njëjtën mënyrë luftimi në afërsi, Haxhiu e kishte parë disa muaj më herët edhe në Betejën e Likoshanit, te Skender Gjeli, Muhamed e Naser Gjeli, Rexhep e Beqir Rexhepi, Rasim Kiqina, Beqir Meha, Sabit Lladrovci dhe luftëtarët e tjerë, të cilët, duke luftuar nga afër, e kishin vënë armikun në vështirësi të mëdha, duke i shkaktuar humbje në teknikë dhe në njerëz. Pikërisht këtë mënyrë luftimi e kërkonte edhe komandanti Fehmi Lladrovci. Në këtë mjedis ndodhej edhe Shefqeti, një nga ata të rinj që kishin ardhur nga jashtë Drenicës, por që në orët e betejës u bënë pjesë e pandashme e saj. Përballë një makinerie ushtarake shumë më të fuqishme, ai dhe shokët e tij nuk kishin epërsi në armë e në teknikë, por kishin bindjen se po mbronin një ideal që për ta ishte më i madh se rreziku i jetës. Vetëm pak ditë pasi kishte veshur uniformën e UÇK-së, Shefqet Zeka do ta përballonte këtë provë deri në fund, në të njëjtën vijë zjarri ku qëndronin Fehmi Lladrovci dhe luftëtarët trima.
Dëshmia e Haxhi Gjelit – çastet e fundit
Dëshmia e Haxhi Gjelit e bën këtë rrugëtim edhe më të prekshëm. Haxhiu e kujton Shefqetin si një dëshmor të rënë në betejë, si shokun që ishte pranë tij në çastet e fundit, në një nga përballjet më të ashpra të asaj dite. Haxhiu, i cili në afërsi po qëllonte me mortajë dore, pa dy tanke të armikut që u afruan, ndërsa ai ishte duke shkëmbyer zjarr me armikun. Shefqet Zeka ndodhej në mes të dy luftëtarëve, Haxhiut dhe Afrim Gjelit, dhe pranë luftëtarëve të tjerë. Përballë tyre po avanconin autoblindat e armikut. Haxhiu, me armen antitank, arriti t’i godiste dhe t’i nxirrte jashtë përdorimit dy autoblinda që ndodheshin përballë tyre. Në të njëjtën kohë, komandanti Asllan Fazliu, me pushkë snajperi, po godiste tankistët e armikut. Ndërsa përreth tyre zhvillohej kjo përballje e ashpër, Shefqet Zeka, me shokët e luftës, vazhdonte të shkëmbente zjarr me armikun. Në atë çast ndodhi goditja që do t’ia ndërpriste jetën. Një predhë e granatahedhësit nga ana e armikut e goditi Shefqetin mu në pushkën e tij. Pushka dhe vetë Shefqeti u bënë copë-copë. Në atë çast, ai u shndërrua në Mic Sokolin e kohës së tij, duke dhënë jetën drejtpërdrejt në vijën e zjarrit. Rënia e tij nuk ishte një largim nga beteja, por ndodhi në vetë zemrën e përballjes. Ai ra aty ku kishte zgjedhur të ishte: pranë bashkëluftëtarëve, me armën në dorë dhe përballë forcave që po sulmonin pozicionet e UÇK-së. Me luftën e tij dhe së bashku me bashkëluftëtarët, ai arriti për një kohë t’ua ndalte hovin kolonave të armikut me artileri të rëndë, duke e paguar qëndresën me jetën e tij. Kjo dëshmi ruan një pjesë të kujtesës së përbashkët të atyre që luftuan në atë vijë zjarri dhe që panë nga afër se si një i ri shqiptar e vuri jetën në shërbim të idealit të lirisë.
Shefqet Zeka nuk ra rastësisht në luftë. Ai kishte zgjedhur të ishte aty ku luftohej. Kishte ardhur në Drenicë për të luftuar dhe aty, në vijën e parë të zjarrit, e dha dëshminë më të lartë të besnikërisë ndaj idealit të tij. Rënia e tij më 22 shtator 1998 ishte përmbyllja e një rruge që kishte nisur shumë më herët. Ishte rruga e një të riu nga Prishtina, i cili kishte parë luftën në Likoshan, kishte kuptuar se koha e qëndrimit mënjanë kishte marrë fund, kishte kërkuar të bëhej pjesë e UÇK-së, kishte pritur armën, kishte ndihmuar luftëtarët dhe popullsinë e goditur nga lufta, kishte shkruar e folur për përgjegjësinë kombëtare dhe, më në fund, kishte ardhur në Drenicë. Ajo që kishte shkruar më 26 gusht – “Liria është më e shtrenjt se jeta!” – më 22 shtator u bë realiteti i jetës së tij. Dhe, siç e kujton bashkëluftëtari i tij, Haxhi Gjeli, ai ra në fushën e nderit, mes shokëve të armëve, përballë armikut dhe nën zjarrin e artilerisë. Kështu, rrugëtimi i Shefqet Zekës nga Prishtina në Drenicë nuk përfundoi thjesht me rënien e një luftëtari. Ai u mbyll me aktin e fundit të një vendimi që ai e kishte marrë prej kohësh: të mos mbetej vetëm dëshmitar i historisë, por të bëhej pjesë e saj. Më 22 shtator 1998, në vijën e parë të zjarrit të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, në kuadër të Zonës Operative të Drenicës, ai e dha jetën për atë bindje që e kishte shprehur me fjalë dhe e kishte dëshmuar me veprime. Shefqet Zeka ra aty ku kishte zgjedhur të ishte – në front, në mesin e bashkëluftëtarëve dhe në mbrojtje të lirisë së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
