Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej mbi 161 milionë eurosh. Propozim-buxheti mori 31 vota për dhe 12 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Kryetari Përparim Rama ka thënë se nga shuma totale, 58 milionë euro janë për investime kapitale e 22 milionë euro janë nga Ligji për Kryeqytetin.
“Mjetet e qytetarëve do t’i kthejmë në çerdhe, shkolla, sport, shëndetësi e kulturë dhe përgatitjet për Prishtina 2030. Për buxhetin mund të ketë debat, por duhet të ketë vendim. Të mos mbetemi peng i dallimeve politike. Nuk votojmë për pushtetin, po për qytetarin. Kërkoj votën tuaj që të vazhdojmë punën. Kemi përgjegjësinë ndaj atyre që na kanë zgjedhur. Të bëhemi bashkë për një Prishtinë më të mirë”, ka thënë Rama në fjalimin e tij.
Ndërkaq LDK-ja dhe PDK-ja e mbështetën buxhetin.
Asamblisti i LDK-së, Egzon Pacolli, ka thënë se me këtë buxhet “ndihmohen punët që ndikojnë në një jetë më të mirë”. Ai ka veçuar projektet për memorialët “Ibrahim Rugova” e “Adem Jashari”.
Gjatë seancës, ndaj dokumentit financiar janë shprehur kundërshtime nga grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryesuesi i grupit të LVV-së në Kuvendin Komunal, Gëzim Sveçla, tha se grupi i tij nuk e ka mbështetur buxhetin, duke pretenduar se në dokument ka shkelje ligjore.
Sveçla gjatë diskutimit ka ngritur shqetësime edhe lidhur me planifikimin e një projekti në zonën e sheshit “Xhorxh Bush”, për të cilin tha se vlera tejkalon shtatë milionë euro.
Ai ka kritikuar edhe grupin e PDK-së, duke pretenduar se gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ishte premtuar hapja e rrugës që, sipas tij, në planifikimin aktual parashihet të shtrihet nga sheshi “Xhorxh Bush” deri te rrethi me Flamur.
Me miratimin në Kuvendin Komunal, buxheti prej 161 milionë eurosh hyn në kuadër të planifikimit financiar të Komunës së Prishtinës për vitin 2027.