Aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara, i shpallur më 16 shtator 2026, duhet lexuar si një zhvillim që shkon përtej fatit juridik të katër të akuzuarve. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Përderisa aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të jetë objekt i procedurave të mëtejshme, pesha e tij politike, diplomatike dhe memoriale ka filluar tashmë të prodhojë debat.
Do të ishte reduktuese që ky zhvillim të lexohej vetëm përmes formulës: “janë dënuar katër individë, jo UÇK-ja dhe as Lufta e Kosovës”. Juridikisht, kjo formulë ruan një parim themelor: përgjegjësia penale është individuale dhe një aktgjykim ndaj personave të caktuar nuk është aktgjykim penal ndaj një organizate, një populli apo një lufte. Por vendimet gjyqësore të kësaj peshe nuk mbeten brenda sallës së gjyqit. Ato hyjnë në diskursin politik, diplomatik, mediatik dhe historiografik dhe, me kalimin e kohës, mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si kujtohet ndërkombëtarisht një konflikt.
Prandaj, çështja qendrore për Kosovën pas 16 shtatorit është ruajtja e dallimit ndërmjet përgjegjësisë penale individuale dhe kontekstit historik të luftës. Krimi duhet të individualizohet, por historia nuk duhet të dekontekstualizohet. Boshti i këtij problemi mund të ndiqet si një zinxhir: aktgjykimi juridicizon një pjesë të historisë; juridicizimi mund të prodhojë asimetri të kujtesës; kjo asimetri mund të përdoret politikisht nga Serbia; ndërsa përdorimi politik i saj mund të prekë mënyrën se si perceptohet ndërkombëtarisht legjitimiteti historik dhe politik i shtetit të Kosovës.
Përgjegjësia individuale, prova dhe kufijtë e aktgjykimit
Historia e Kosovës nuk fillon më 1998 dhe as nuk mund të përfundojë me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026. Lufta e viteve 1998–1999 duhet të lexohet brenda historisë së saj politike dhe institucionale dhe, në mënyrë të veçantë, në kontekstin e represionit shtetëror që i parapriu konfliktit të armatosur. Në këtë perspektivë është domethënës edhe vlerësimi i historianit britanik James Pettifer, i cili, pavarësisht zgjerimit të ndjeshëm të dokumentacionit dhe literaturës për UÇK-në gjatë dy dekadave të fundit, pohon se nuk ka ndryshuar argumentin e tij themelor: në rrethanat historike të asaj kohe, shfaqja e një lëvizjeje të armatosur të rezistencës ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me krizën e Jugosllavisë dhe me kushtet politike që e prodhuan atë. Ky interpretim është i rëndësishëm jo si justifikim i çdo veprimi të kryer gjatë luftës, por si kërkesë metodologjike për ta vendosur përgjegjësinë penale individuale brenda kontekstit historik në të cilin kanë ndodhur veprimet e gjykuara. Ky kontekst historik përfshin edhe faktin se shfaqjes së rezistencës së armatosur i parapriu pothuajse një dekadë e organizimit politik, institucional dhe paqësor të shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht pas suprimimit të autonomisë më 1989. Për këtë arsye, çdo interpretim i lindjes dhe zhvillimit të UÇK-së që shkëputet nga përvoja e rezistencës paqësore dhe nga zhvillimet politike të viteve 1989–1997 rrezikon ta paraqesë kryengritjen e armatosur si një fenomen të izoluar, duke dobësuar kuptimin e rrethanave historike që i paraprinë asaj.
Një element qendror i arsyetimit të Dhomës Gjyqësore lidhet me mënyrën se si ajo e ndërtoi konstatimin mbi ekzistencën e një “qëllimi të përbashkët”. Në raportin ndërmjet kontekstit historik të rezistencës dhe interpretimit juridik të veprimtarisë së UÇK-së merr rëndësi një formulim i vetë Dhomës Gjyqësore. Në Përmbledhjen e Aktgjykimit thuhet se “UÇK-ja ishte organizatë politike dhe ushtarake” dhe se në synimet e saj “përfshihej pavarësia e Kosovës”. Megjithatë, Dhoma shton se, si strategji për arritjen e këtij qëllimi, UÇK-ja “zgjodhi të përdorte forcën ushtarake dhe dhunën ndaj atyre që e kundërshtonin”. Ky formulim është analitikisht i rëndësishëm, sepse e vendos në të njëjtën fjali synimin politik të pavarësisë dhe përdorimin e dhunës ndaj kundërshtarëve.
Mënyra se si ky përkufizim lidhet më pas me konstatimin e ekzistencës së një “qëllimi të përbashkët” kërkon një lexim të kujdesshëm të arsyetimit të Dhomës, në mënyrë që konstatimet që lidhen me veprime kriminale dhe përgjegjësi penale individuale të mos shndërrohen automatikisht në një karakterizim të përgjithshëm të vetë projektit politik dhe ushtarak të UÇK-së. Konstatimi i Dhomës nuk mbështetet në një provë të vetme, por në një vlerësim kumulativ të materialit provues: në modelet e shënjestrimit të personave të konsideruar “bashkëpunëtorë” para dhe gjatë luftës, në komunikata dhe deklarata politike që u referoheshin masave ndëshkuese, si dhe në organizimin dhe mënyrën e funksionimit të objekteve të ndalimit në zona të ndryshme nën kontrollin e UÇK-së. Ky karakter kumulativ i arsyetimit është thelbësor për të kuptuar jo vetëm peshën, por edhe kufijtë e konstatimeve të aktgjykimit: Dhoma nuk i trajtoi këto elemente si episode të izoluara, por i shqyrtoi së bashku si pjesë të një modeli më të gjerë sjelljeje. Megjithatë, pikërisht këtu bëhet e domosdoshme të ruhet dallimi analitik ndërmjet qëllimit të përgjithshëm politik të UÇK-së, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, dhe konstatimeve gjyqësore mbi ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar.
Ky dallim bëhet edhe më i rëndësishëm kur analizohet kuptimi që i jepet termit “kontroll”. Aktakuza e vitit 2020 e formulonte qëllimin e pretenduar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale si synim për “të fituar dhe ushtruar kontroll mbi tërë Kosovën”, ndërsa Përmbledhja e Aktgjykimit e vitit 2026 e lidh këtë me dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe kontrollin politik e institucional mbi një Kosovë që pritej të bëhej e pavarur. Këtu lind një çështje me rëndësi si juridike, ashtu edhe historiografike: çfarë nënkuptohet konkretisht me “kontroll” — autoritet shtetëror, pushtet politik e institucional, komandë ushtarake apo kontroll faktik mbi territorin?
Ky dallim bëhet veçanërisht i rëndësishëm kur formulimi i Dhomave vendoset në kontekstin historik të konfliktit. Vetë Përmbledhja e Aktgjykimit pranon se Serbia ia hoqi Kosovës autonominë më 1989, forcoi kontrollin mbi të dhe zbatoi politika diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Autoritetet e RFJ-së dhe të Serbisë, pra, nuk ishin një aktor që konkurronte për kontroll mbi një territor pa autoritet: ato dispononin struktura shtetërore, administrative, policore dhe ushtarake përmes të cilave ushtrohej pushteti. UÇK-ja, përkundrazi, ishte një lëvizje kryengritëse që sfidonte këtë autoritet dhe që gjatë konfliktit fitoi shkallë të ndryshme të kontrollit faktik mbi pjesë të territorit. Për këtë arsye, formulimi “të fitonte dhe ushtronte kontroll mbi tërë Kosovën”, nëse shkëputet nga ky kontekst, mund të krijojë përshtypjen sikur projekti politik i UÇK-së u shfaq në një vakum institucional.
Jurisprudenca e TPNJ-së e bën më të dukshëm këtë dallim. Në çështjen Limaj et al., Tribunali e vendosi shfaqjen dhe veprimtarinë e UÇK-së në kontekstin e heqjes së autonomisë, shpërbërjes së institucioneve krahinore dhe largimit të shqiptarëve nga institucionet, duke e përshkruar UÇK-në si një lëvizje që zhvillonte rezistencë të armatosur kundër regjimit ekzistues. Në çështjen Haradinaj, ndërkaq, pretendimi për një NPK që synonte konsolidimin e kontrollit të UÇK-së mbi Zonën Operative të Dukagjinit u trajtua si pohim që duhej provuar dhe Trupi Gjykues përfundoi se NPK-ja e pretenduar nuk ishte vërtetuar. Kjo nuk do të thotë se jurisprudenca e TPNJ-së dhe ajo e Dhomave mund të barazohen mekanikisht, por tregon rëndësinë e përcaktimit të saktë të natyrës, hapësirës dhe mjeteve të “kontrollit” që pretendohet.
Kontrasti bëhet edhe më i qartë në çështjen Milutinović et al.. TPNJ-ja dokumentoi strukturat kushtetuese, administrative dhe ushtarake përmes të cilave RFJ-ja dhe Serbia ushtronin autoritet mbi Kosovën, ndërsa njëkohësisht konstatoi se UÇK-ja kishte fituar kontroll faktik mbi pjesë të territorit gjatë vitit 1998. Më tej, ndërmarrja e përbashkët kriminale e konstatuar ndaj drejtuesve serbë lidhej me synimin për ruajtjen e kontrollit të RFJ-së dhe Serbisë mbi Kosovën përmes zhvendosjes së dhunshme të popullsisë shqiptare.⁵ Pikërisht këtu shfaqet një dallim historiografik thelbësor: “të fitosh kontrollin” dhe “ta ruash kontrollin” nuk përshkruajnë të njëjtën pozitë historike. Në njërin rast kemi një aparat shtetëror që synonte të ruante autoritetin që tashmë ushtronte; në tjetrin, një lëvizje kryengritëse që synonte ta zëvendësonte atë dhe të ndërtonte një rend të ri politik.
Ky dallim nuk relativizon dhe as justifikon krimet që mund të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. Ai kërkon vetëm ndarjen analitike ndërmjet objektivit politik, kontrollit territorial dhe mjeteve kriminale. Për këtë arsye, formulimi mbi “kontrollin mbi tërë Kosovën” mbetet historikisht i paplotë nëse nuk sqaron se çfarë lloj kontrolli kishte parasysh dhe, mbi të gjitha, kush e ushtronte autoritetin mbi Kosovën përpara dhe gjatë konfliktit. Pa këtë dallim, ekziston rreziku që një konflikt ndërmjet një aparati shtetëror ekzistues dhe një lëvizjeje që kërkonte ta përmbyste atë të reduktohet në një konkurrencë abstrakte për “kontroll”, duke dobësuar kontekstin historik brenda të cilit duhet të individualizohet përgjegjësia penale.
Në këtë pikë, aktgjykimi hap edhe një çështje tjetër me rëndësi juridike dhe historiografike: shtrirjen e konstruksionit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale përtej katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Studiuesja Nevenka Tromp ka tërhequr vëmendjen se Dhoma Gjyqësore përmendi edhe shtatë ish-pjesëtarë ose drejtues të UÇK-së, Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin, si persona që, sipas konstatimeve të saj, ndanin qëllimin e përbashkët kriminal. Përfshirja e tyre e zgjeron analizën përtej përgjegjësisë së katër të akuzuarve dhe e bën edhe më të rëndësishëm krahasimin e mësipërm me mënyrën se si TPNJ-ja kishte trajtuar më herët pretendimet për NPK në çështjet që lidhen me UÇK-në.
Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë edhe një element që lidhet me vetë përbërjen e Trupit Gjykues në çështjen Thaçi et al. Njëri prej gjyqtarëve të tij, juristi gjerman Christoph Barthe, është autor i monografisë Joint Criminal Enterprise (JCE): Ein (originär) völkerstrafrechtliches Haftungsmodell mit Zukunft?, botuar më 2009 dhe kushtuar posaçërisht doktrinës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Në këtë studim, Barthe analizon edhe çështjen Prosecutor v. Limaj et al., duke evidentuar se Dhoma Gjyqësore e TPNJ-së refuzoi përgjegjësinë e tre të akuzuarve mbi bazën e kategorisë së dytë të JCE-së. Në trajtimin e këtij rasti, ai ndalet te arsyetimi i TPNJ-së se provat nuk përjashtonin mundësinë që disa prej krimeve të kryera në kampin e Llapushnikut të ishin rezultat i veprimeve individuale, të motivuara, ndër të tjera, nga arsye personale, dhe jo domosdoshmërisht pasojë e një plani të përbashkët kriminal.
Kjo rrethanë ngre një çështje interesante për analizën krahasuese të jurisprudencës së TPNJ-së dhe asaj të Dhomave të Specializuara. Nëse në rastin Limaj provat nuk u konsideruan të mjaftueshme për të vërtetuar JCE-në e pretenduar në atë kontekst, në aktgjykimin e çështjes Thaçi et al. Fatmir Limaj përmendet ndër personat që, sipas konstatimeve të Dhomës, ndanin qëllimin e përbashkët kriminal. Fakti që Barthe, si studiues, kishte analizuar më herët jurisprudencën e rastit Limaj, ndërsa më vonë ishte anëtar i Trupit Gjykues që arriti në këtë konstatim, nuk dëshmon vetvetiu ndonjë kontradiktë juridike dhe as ndryshim të qëndrimit të tij. Ai, megjithatë, e bën të arsyeshme një pyetje më të ngushtë dhe të verifikueshme: në çfarë mase kriteret dhe standardet e JCE-së të analizuara prej Barthe-s në punën e tij akademike përputhen me mënyrën se si ky konstruksion juridik është zbatuar në çështjen Thaçi et al., dhe cilat dallime në faktet, provat dhe konfigurimin juridik të dy çështjeve mund të shpjegojnë rezultatet e ndryshme?
Krahasimi ndërmjet këtyre dy qasjeve shtrohet edhe në raport me procedurën e apelit dhe mundësinë e saj për të korrigjuar problemet që kritikët identifikojnë në aktgjykimin e shkallës së parë. Nevenka Tromp paralajmëron se “nuk duhet investuar shumë shpresë në apel”, pasi shkalla e dytë nuk e rihap procesin nga fillimi, por shqyrton nëse ligji është zbatuar drejt mbi materialin provues të administruar. Në këtë kontekst, kritikat ndaj strukturës institucionale të Dhomave të Specializuara, përfshirë raportet ndërmjet organeve të ndryshme të mekanizmit, mënyrën e emërimit dhe funksionimit të gjyqtarëve dhe kufijtë e mbikëqyrjes së jashtme, ngrenë pyetje që duhen trajtuar veçmas nga vlerësimi i provave dhe konstatimeve konkrete të aktgjykimit. Së pari, organet kryesore të këtij mekanizmi janë të vendosura brenda së njëjtës strukturë institucionale dhe funksionojnë në afërsi të vazhdueshme me njëra-tjetrën, çka ngre pyetje legjitime për ekzistencën dhe efektivitetin e mekanizmave të mbikëqyrjes së jashtme dhe të pavarur.
Së dyti, një çështje që meriton shqyrtim të veçantë lidhet me pozitën dhe kompetencat institucionale të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. Përqendrimi dhe kohëzgjatja e ushtrimit të funksioneve drejtuese, si dhe raporti institucional i Kryetares me gjyqtarët që veprojnë në nivele të ndryshme të këtij sistemi, në shkallën e parë, në apel, në Gjykatën Supreme dhe në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, shtrojnë një pyetje thelbësore: cilët janë mekanizmat konkretë që garantojnë, jo vetëm formalisht, por edhe institucionalisht, pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve?
Pavarësia dhe paanshmëria e një gjykate nuk provohen vetëm përmes deklarimeve se institucioni është i pavarur dhe profesional. Ato duhet të mbështeten në garanci institucionale, procedurale dhe mekanizma efektivë kontrolli, të aftë për të shmangur jo vetëm ndikimin real, por edhe perceptimin e arsyeshëm të ndikimit mbi vendimmarrjen gjyqësore.
Mbi të gjitha, statusi i Dhomave të Specializuara krijon një paradoks institucional që kërkon analizë më të thellë. Ato veprojnë në territorin e Bashkimit Evropian, financohen në masë të konsiderueshme nga BE-ja dhe mbështeten nga personel ndërkombëtar. Megjithatë, çështja e kontrollit të jashtëm gjyqësor nuk buron nga vendndodhja e tyre në Hagë, por nga statusi juridik i Kosovës: përderisa Kosova nuk është palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, individët nuk kanë një rrugë të drejtpërdrejtë ankimi në Strasburg kundër Kosovës si shtet palë. Pikërisht për këtë arsye duhet shqyrtuar me kujdes nëse arkitektura ekzistuese ofron garanci të mjaftueshme të kontrollit të jashtëm dhe të pavarur mbi respektimin e të drejtave themelore.
Nëse ky kontroll i jashtëm mungon ose është thelbësisht i kufizuar, krijohet një konfigurim juridik i pazakontë brenda hapësirës evropiane: një institucion i ngritur dhe i mbështetur fuqishëm nga aktorët evropianë, por që nuk përfshihet në të njëjtën mënyrë në arkitekturën e zakonshme evropiane të kontrollit gjyqësor. Në këtë kuptim metaforik, ai mund të përshkruhet si një lloj “Kaliningradi juridik” në Evropë — pjesë e hapësirës evropiane për nga vendndodhja dhe mbështetja institucionale, por me një regjim juridik të veçantë dhe me mekanizma të kufizuar të kontrollit të jashtëm.
Kështu, pyetja nuk është vetëm nëse aktgjykimi do të ndryshojë në shkallën e dytë, por edhe cilat prej kritikave të ngritura ndaj këtij mekanizmi janë juridikisht të korrigjueshme brenda vetë sistemit të Dhomave dhe cilat mbeten çështje të debatit politik, institucional dhe historiografik.
Nga kjo perspektivë, çështja kalon nga kufijtë e kontrollit juridik në apel te kufijtë e vetë aktgjykimit si burim për interpretimin e së kaluarës. Problemi lind kur një segment juridik i historisë fillon të funksionojë si zëvendësim i historisë në tërësi. Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi vepra dhe përgjegjësi penale të përcaktuara me mandatin e tyre, jo mbi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe të shekullit XX; po ashtu, aktgjykimi i tyre nuk mund të zhbëjë konstatimet dhe vendimet e gjykatave të tjera ndërkombëtare. Për këtë arsye, edhe nëse një aktgjykim bëhet pjesë e arkivit historik të luftës, ai nuk mund të shndërrohet vetvetiu në interpretimin përfundimtar të saj.
Domethënëse në këtë drejtim është nevoja e vetë Dhomës Gjyqësore për të përcaktuar shprehimisht kufijtë e leximit politik dhe historik të aktgjykimit. Gjatë shpalljes së tij u theksua se procesi nuk ishte gjykim mbi legjitimitetin e UÇK-së apo mbi përpjekjen e Kosovës për pavarësi dhe se ai nuk përcaktonte përgjegjësinë për krimet në shkallë të gjerë të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe njësitë paramilitare. Një rezervë e tillë është juridikisht e kuptueshme, sepse përcakton objektin dhe kufijtë e çështjes që kishte përpara Dhoma. Në planin historiografik dhe politik, megjithatë, vetë nevoja për ta artikuluar këtë dallim është domethënëse: ajo tregon se aktgjykimi mund të lexohet përtej përgjegjësisë penale individuale të katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe të projektohet mbi karakterin e UÇK-së, Luftën e Kosovës dhe procesin që çoi drejt pavarësisë.
Për këtë arsye, rëndësi analitike ka jo atribuimi i një synimi politik Gjykatës, por efekti publik i këtij sqarimi dhe mënyra se si kufiri ndërmjet konstatimit juridik dhe receptimit historik mund të bëhet i paqëndrueshëm në debatin publik. Një shembull që e bën veçanërisht të ndjeshëm këtë kufi është rasti i Behajdin Allaqit. Për shkak të historisë së këtij rasti dhe përdorimit të tij politik ndër vite në Kosovë, mënyra se si ai është trajtuar në proces meriton vëmendje të posaçme.
Debati mbi bazën provuese të këtij rasti është zgjeruar edhe pas shpalljes së aktgjykimit. Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, duke folur në TV Dukagjini, e cilësoi rastin e Behajdin Allaqit si një çështje të mbështetur në “thashetheme”. Ky është një vlerësim i mbrojtjes dhe, si i tillë, nuk e rrëzon vetvetiu konstatimin e Dhomës Gjyqësore; megjithatë, ai e bën edhe më të rëndësishme pyetjen mbi natyrën, burimin dhe fuqinë provuese të materialit mbi të cilin është mbështetur ky konstatim.
Në këtë rast duhet ruajtur dallimi ndërmjet kritikës së bazës provuese dhe atribuimit të një qëllimi politik procesit: në këtë fazë nuk mund të nxirret përfundimi se konfidencialiteti i provave kishte për qëllim prodhimin e një efekti të caktuar politik, pasi një pretendim i tillë do të kërkonte prova të drejtpërdrejta. Megjithatë, rasti ngre një problem më të gjerë për transparencën dhe receptimin publik të drejtësisë: kur një konstatim ka potencial të madh politik dhe historiografik, por një pjesë e provave mbi të cilat ai mbështetet nuk është e qasshme për publikun, krijohet një asimetri ndërmjet fuqisë publike të përfundimit gjyqësor dhe mundësisë publike për të verifikuar bazën e tij provuese. Në një shoqëri të polarizuar politikisht, kjo asimetri mund të ushqejë më tej polemikat dhe përdorimin partiak të aktgjykimit, pavarësisht nga synimi i vetë Gjykatës.
Rasti Allaqi ilustron kështu raportin e ndërlikuar ndërmjet pretendimit, provës dhe konstatimit juridik. Në një shkallë shumë më të gjerë institucionale, i njëjti problem shfaqet në trajektoren që çoi nga raporti i Dick Martyt te krijimi i Dhomave të Specializuara.
Një gjykatë për pretendimet e Marty-t apo për rishkrimin e historisë së luftës?
Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor 2026, përbën një zhvillim të rëndësishëm politik dhe juridik, por nuk duhet të krijojë iluzionin se me këtë veprim është zgjidhur problemi i Gjykatës Speciale. Përkundrazi, ky vendim hap një debat shumë më të gjerë: çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet Kosovë–BE, si do të pozicionohet Bashkimi Evropian dhe deri ku mund të shkojë Kosova në mbrojtjen e sovranitetit të saj juridik dhe të së vërtetës historike për luftën e viteve 1998–1999?
Gjykata Speciale u krijua në një kontekst të caktuar politik dhe ndërkombëtar, pas pretendimeve të ngritura në Raportin e Dick Marty-t dhe hetimeve të Task-Forcës Speciale Hetimore (SITF). Në deklaratën e saj të 3 gushtit 2015, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e lidhi miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara me trajtimin e pretendimeve serioze që buronin nga raporti i Këshillit të Evropës dhe me detyrimet e ndërmarra përmes Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014.
Mirëpo, juridiksioni i përcaktuar në Ligjin nr. 05/L-053 u shtri mbi një kategori më të gjerë veprash penale dhe mbi periudhën 1998–2000.
Një vështrim i vetë Ligjit nr. 05/L-053 zbulon burimin e debatit të sotëm mbi juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Neni 1 e lidh krijimin e këtij mekanizmi me pretendimet për krime të rënda që ndërlidhen me Raportin 12462 të Këshillit të Evropës dhe që kanë qenë objekt i hetimeve të Task-Forcës Hetimore Speciale (TFHS). Ndërkaq, neni 6 përcakton se Dhomat kanë juridiksion mbi krimet e parashikuara në nenet 12–16, të cilat kanë të bëjnë me këtë raport. Megjithatë, nenet pasuese i japin kësaj lidhjeje një shtrirje shumë më të gjerë materiale, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale sipas legjislacionit të Kosovës.
Pikërisht këtu shfaqet tensioni ndërmjet arsyes fillestare të krijimit të Gjykatës Speciale dhe juridiksionit të gjerë që iu përcaktua me ligj. Ndërsa Raporti Marty dhe hetimet e TFHS-së shërbyen si pikënisje për themelimin e mekanizmit, formulimi i ligjit krijoi hapësirë për gjykimin e një spektri më të gjerë krimesh të kryera gjatë viteve 1998–2000. Kjo krijoi pikërisht dilemën që qëndron në qendër të debatit të sotëm: sa e drejtpërdrejtë duhet të jetë lidhja ndërmjet veprës penale dhe pretendimeve të Raportit Marty që Dhomat të kenë juridiksion?
Pikërisht këtë dallim synon ta adresojë ligji i miratuar më 6 tetor 2026, duke kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara në pretendimet specifike të Raportit Marty.
Në këtë kuptim, ndryshimet e vitit 2026 nuk synojnë vetëm një ngushtim sasior të juridiksionit, por edhe ndryshimin e vetë testit juridik të lidhjes: nga formulimi relativisht i gjerë “që kanë të bëjnë me Raportin” drejt kërkesës që çdo vepër penale të ketë një lidhje konkrete dhe të drejtpërdrejtë me pretendimet specifike të Raportit Marty. Në këtë mënyrë, çështja nuk është vetëm se cilat kategori krimesh mund të gjykohen, por mbi çfarë baze juridike ato mund të konsiderohen brenda mandatit të Dhomave të Specializuara.
Ai nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale, por synon ta kufizojë juridiksionin e saj te pretendimet specifike të Raportit Marty, veçanërisht ato që lidhen me marrjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve dhe veprat e lidhura drejtpërdrejt me këto pretendime. Krimet e tjera nuk amnistohen, por parashikohet të trajtohen nga sistemi i rregullt gjyqësor i Republikës së Kosovës.
Në këtë kuptim, debati mbi juridiksionin nuk mund të ndahet nga pyetja themelore që qëndron në gjenezën e vetë Dhomave të Specializuara: cili është sot statusi juridik dhe politik i pretendimeve të Raportit Marty që shërbyen si pikënisje për krijimin e këtij mekanizmi?
Nga Dick Marty te Dhomat e Specializuara: një çështje ende e pambyllur
Një nga çështjet që Kosova duhet ta trajtojë në mënyrë institucionale është statusi i pretendimeve të raportit të Dick Martyt. Raporti i vitit 2011 prodhoi pasoja të mëdha politike dhe institucionale: mbi të u mbështet Rezoluta 1782 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa hetimi i pretendimeve të ngritura në të u institucionalizua përmes Task Forcës Hetimore Speciale dhe, më pas, u lidh me mekanizmin që çoi te Dhomat e Specializuara. Për këtë arsye, fakti se disa prej pretendimeve më të bujshme të raportit nuk u përfshinë në çështjen gjyqësore Thaçi et al. nuk e mbyll vetvetiu çështjen Marty.
Veçanërisht pretendimi për trafikim organesh, i cili pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe përfshiu edhe territorin e Shqipërisë, kërkon një epilog institucional të qartë. Nuk është juridikisht e saktë të thuhet se çdo pretendim që nuk u bë objekt i aktgjykimit është “rrëzuar”; por po aq problematike është që pretendime të paprovuara gjyqësisht të vazhdojnë të qarkullojnë në diskursin institucional sikur të ishin fakte të vërtetuara. Këtu duhet të bëhet dallimi i prerë ndërmjet pretendimit, hetimit, akuzës dhe faktit të provuar gjyqësisht.
Edhe kritika ndaj gjuhës dhe imagjinatës kulturore të raportit duhet ngritur nga niveli polemik në atë analitik. Ismail Kadare e ka cilësuar raportin si të ngarkuar me “ngjyra racizmi” dhe e ka krahasuar atmosferën e disa pretendimeve me motive të vjetra të psikozave raciste. Për një trajtim akademik, ky vlerësim duhet shoqëruar me analizë konkrete të gjuhës së raportit, mënyrës së përfaqësimit të veriut të Shqipërisë dhe motiveve të kriminalitetit, trupit dhe dhunës që ai ndërton. Vetëm kështu akuza për stereotipizim ose diskriminim mund të shndërrohet nga reagim politik në argument të verifikueshëm.
Në këtë kuadër, një mundësi institucionale do të ishte kërkesa për një ballafaqim formal nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ndërmjet pretendimeve fillestare, rezultateve të hetimeve dhe asaj që përfundimisht u përfshi e u provua në proceset gjyqësore. Pyetja drejtuar institucioneve të Këshillit të Evropës mund të formulohet në terma institucionalë dhe të verifikueshëm: cilat pretendime të raportit Marty konsiderohen sot të mbështetura nga rezultatet e hetimeve dhe proceseve gjyqësore, cilat nuk janë provuar dhe çfarë qëndrimi mban Këshilli i Evropës ndaj Rezolutës 1782 në dritën e zhvillimeve të mëvonshme? Pa një epilog të tillë, një dokument zyrtar vazhdon të prodhojë efekte politike edhe aty ku statusi provues i pretendimeve të tij mbetet i paqartë.
Për këtë arsye, çështja nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e kërkesës për sqarim institucional. Kosova duhet të ndërtojë një strategji shtetërore që nuk përfundon me deklarata apo votime në Kuvend. Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës një përgjigje zyrtare në këto pyetje themelore:
- A janë vërtetuar pretendimet specifike për marrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore të paraqitura në Raportin Marty?
- Nëse këto pretendime nuk janë provuar, çfarë statusi juridik dhe politik kanë sot?
- A ekziston bazë për rishikimin e Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës?
- A duhet të ndërmerren hapa institucionalë për korrigjimin e pasojave reputacionale që këto pretendime mund t’i kenë shkaktuar Kosovës dhe Shqipërisë?
Këto pyetje nuk do të përbënin ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave. Një kërkesë e tillë do të synonte sqarimin e përgjegjësisë së institucioneve politike ndërkombëtare dhe krijimin e një bilanci institucional që të përcaktojë qartë çfarë është hetuar, çfarë është provuar, çfarë nuk është provuar dhe cilat pretendime kanë mbetur pa mbështetje të mjaftueshme provuese. Kosovës, në këtë kuptim, i duhet një dokument institucional i qartë — një lloj “tapie” juridike dhe politike — që të pengojë qarkullimin e pakufizuar të pretendimeve të paprovuara si të ishin fakte të vërtetuara.
Përgjegjësia shtetërore, dokumentet dhe beteja për arkivin
Përvoja e proceseve ndërkombëtare për luftërat në ish-Jugosllavi tregon se beteja juridike është njëkohësisht edhe betejë për dokumentet. Në çështjen e gjenocidit Bosnjë-Hercegovinë kundër Serbisë dhe Malit të Zi u debatua për dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes dhe për qasjen në versionet e plota të tyre. Edhe procesi ndaj Slobodan Miloševićit mbeti juridikisht i papërfunduar për shkak të vdekjes së tij në vitin 2006. Këto raste tregojnë se ajo që hyn ose nuk hyn në dosjen gjyqësore ndikon jo vetëm në rezultatin procedural, por edhe në arkivin mbi të cilin brezat e ardhshëm ndërtojnë interpretimin e së kaluarës.
Këtu merr rëndësi vërejtja e Nevenka Tromp se arkivi i një procesi për krime masive nuk ka vetëm funksion juridik: ai ndikon në interpretimin e periudhës historike dhe në formësimin e kujtesës kolektive. Dokumentet e kërkuara, por të paprodhuara, krijojnë boshllëqe; dokumentet e pranuara dhe të cituara krijojnë autoritet. Prandaj, beteja për dokumentet është betejë për historinë, ndërsa beteja për historinë bëhet gradualisht betejë për kujtesën. Në këtë debat mbi raportin ndërmjet arkivit gjyqësor dhe historisë merr rëndësi edhe qëndrimi i historianit britanik James Pettifer, një prej studiuesve që është marrë prej kohësh me historinë e UÇK-së. Duke komentuar aktgjykimin e 16 shtatorit, Pettifer pranon se ai tashmë është “pjesë e historisë”, por paralajmëron kundër shndërrimit të tij automatik në interpretim historiografik të luftës. Sipas tij, një rivlerësim serioz i historisë së UÇK-së nuk mund të bëhet pa njohjen e materialit të plotë të procesit, përfshirë përmbajtjen e seancave të mbyllura dhe burimet mbi të cilat janë mbështetur konstatimet e Gjykatës. Ky qëndrim prek një problem themelor metodologjik: aktgjykimi përbën një burim të rëndësishëm për historianin, por nuk mund të funksionojë si zëvendësim i historisë së konfliktit. Si çdo burim tjetër, ai duhet të ballafaqohet me dokumentacionin tjetër të periudhës, me kontekstin politik dhe institucional të viteve 1990 dhe me tërësinë e burimeve mbi luftën.
Në këtë kuadër duhet studiuar në mënyrë krahasuese edhe qarkullimi i diskurseve për UÇK-në. Në leximin tim, në narrativat që kanë qarkulluar rreth procesit të Dhomave të Specializuara — dhe në disa formulime që meritojnë analizë tekstuale edhe në materialin gjyqësor — mund të identifikohen motive dhe kategori që kanë një histori më të hershme në diskursin shtetëror e mediatik serb. Një burim veçanërisht i rëndësishëm për krahasim është botimi i Beogradit i marsit 2000, “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija: Documents and Evidence, 1 January 1998–10 June 1999”. Vetë titulli dhe organizimi i materialit e vendosin UÇK-në brenda një kornize të paracaktuar “terrorizmi”. Çështja shkencore nuk është të pretendohet automatikisht se një gjykatë ka kopjuar propagandën serbe, por të verifikohet se cilat kategori, dokumente, përshkrime dhe lidhje kauzale kanë kaluar nga diskursi shtetëror e mediatik në dosje hetimore, aktakuza, prova dhe arsyetime gjyqësore, dhe përmes cilit mekanizëm provues kanë fituar autoritet juridik.
Ky problem nuk kufizohet te burimet serbe. Edhe brenda Kosovës, rivalitetet politike kanë prodhuar ndër vite shkrime dhe akuza në të cilat kundërshtari është paraqitur me gjuhë skajshmërisht armiqësore. Rasti i Idriz Rrecajt është ilustrues për nevojën e verifikimit institucional të burimeve. Për vite me radhë, në disa shkrime publike është hedhur pretendimi se ai ishte viktimë e strukturave të UÇK-së ose e rivalitetit të brendshëm shqiptar. Ndërkohë, mbetjet e tij mortore u identifikuan në vitin 2026 pas gjetjeve në lokacionet e varrezave masive të Zubin Potokut. Ky fakt nuk zgjidh vetvetiu çdo pyetje penale mbi autorësinë, por e bën të domosdoshme që pretendimet e mëhershme të ballafaqohen me provat e reja dhe me hetimin institucional, në vend që të vazhdojnë të riciklohen si të vërteta të gatshme.
Pikërisht këtu shteti ka një detyrë që shkon përtej reagimit politik: të evidentojë sistematikisht pretendimet publike për vrasje, zhdukje dhe përgjegjësi gjatë luftës; të përcaktojë origjinën e tyre dokumentare; t’i ballafaqojë me dosjet e personave të zhdukur, gjetjet forenzike, dëshmitë dhe vendimet gjyqësore; dhe, kur është e mundur, të sqarojë motivet dhe kontekstin në të cilin janë prodhuar. Qëllimi nuk duhet të jetë censurimi i shtypit apo i rivalitetit politik, por krijimi i një infrastrukture të verifikimit historik. Pa këtë punë, një akuzë e lindur nga polemika e ditës mund të hyjë në arkiv, të citohet si burim dhe, pas disa vitesh, të rikthehet me autoritet të ri juridik ose historiografik.
Për Kosovën, mësimi është i qartë: dokumentimi historik nuk mund t’u lihet vetëm gjykatave. Institucionet, arkivat, universitetet, studiuesit dhe diplomacia duhet të investojnë në botimin e burimeve, përkthimin e dokumenteve, digjitalizimin e arkivave dhe praninë në debatin akademik ndërkombëtar. Jo për të ndërtuar kundërpropagandë, por për të penguar që një segment juridik, një dosje propagandistike ose një polemikë e brendshme politike të zëvendësojë historinë e luftës në tërësi.
Nga aktgjykimi te kundër-narrativa serbe dhe “bota serbe”
Aktgjykimi i 16 shtatorit mund t’i ofrojë politikës dhe diplomacisë serbe material të ri për ta zhvendosur debatin nga përgjegjësia e aparatit shtetëror të viteve 1990 drejt krimeve për të cilat janë dënuar ish-drejtues të UÇK-së. Vetë aktgjykimi nuk përcakton se Serbia zhvilloi një luftë legjitime kundër një “ndërmarrjeje kriminale”, sikurse nuk rishkruan juridikisht ndërhyrjen e NATO-s. Rreziku qëndron te përdorimi politik i tij: dënimi i individëve mund të paraqitet propagandistikisht si provë për një tezë shumë më të gjerë mbi karakterin e luftës.
Ky mekanizëm i përgjithësimit gjeti shprehje edhe në diskursin zyrtar serb. Ivica Dačić e interpretoi aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së si dëshmi se UÇK-ja ishte një “organizatë terroriste”, duke e zhvendosur kështu kuptimin e vendimit nga përgjegjësia penale individuale drejt karakterizimit politik të organizatës në tërësi. Ky interpretim ilustron mënyrën se si një aktgjykim me objekt të kufizuar juridik mund të instrumentalizohet politikisht për të delegjitimuar jo vetëm drejtuesit e dënuar, por edhe karakterin historik të rezistencës së armatosur të Kosovës.
Për një shtet konsolidimi ndërkombëtar i të cilit mbetet i paintegruar në BE, OSBE dhe NATO, rreziku bëhet konkret: Serbia mund ta përdorë aktgjykimin për të ndikuar në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës, në përpjekjet për njohje të reja dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst merr rëndësi dëshmia publike e ish-ambasadorit të Serbisë në Zvicër, historianit dhe diplomatit Milan St. Protiq, mbi kontaktet me Dick Martyn. Protiq ka pohuar se një pjesë e konsiderueshme e materialit mbi të cilin u mbështet raporti Marty ishte përgatitur nga institucionet serbe dhe i ishte dorëzuar raportuesit zviceran me synimin që raporti të ndryshonte perceptimin ndërkombëtar për Kosovën dhe të krijonte në Serbi rrethana për kontestimin e pavarësisë së saj. Rëndësia e këtij episodi qëndron te fakti se tregon përpjekjen e institucioneve serbe që materialet dhe interpretimet e tyre të hynin në qarkullimin ndërkombëtar dhe të fitonin peshë politike e juridike. Kjo e bën të domosdoshme që pasojat e aktgjykimit të analizohen edhe në planin diplomatik dhe narrativ.
Këtë rrezik Nevenka Tromp e vendos edhe në një perspektivë krahasuese të drejtësisë ndërkombëtare. Ajo tërheq vëmendjen te kontrasti ndërmjet aktgjykimit të Dhomave të Specializuara dhe jurisprudencës së TPNJ-së për krimet në Kosovë. Në çështjen Shainović et al., TPNJ-ja konstatoi ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte zhvendosjen me forcë të popullsisë shqiptare të Kosovës. Në apel u konfirmuan dënimet me 22 vjet burgim për Nebojsha Pavkoviqin, 18 vjet për Nikola Shainoviqin, 20 vjet për Sreten Lukiqin dhe 14 vjet për Vladimir Lazarevićin. Dhoma e Apelit konfirmoi gjithashtu se forcat e RFJ-së dhe Serbisë kishin zhvendosur me forcë civilë shqiptarë në trembëdhjetë komuna dhe se gjatë kësaj fushate ishin kryer vrasje dhe krime të tjera.
Kontrasti bëhet edhe më kompleks nëse në këtë krahasim përfshihet rasti i Milan Milutinoviqit, president i Serbisë gjatë luftës së Kosovës. Në procesin Shainoviq et al., TPNJ-ja e liroi Milutinoviqin nga të gjitha akuzat, duke konstatuar se Prokuroria nuk kishte provuar se ai kishte dhënë kontribut domethënës në ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe as se kishte ushtruar kontroll faktik mbi Ushtrinë Jugosllave dhe forcat policore në Kosovë. Dhoma konstatoi se autoritetin faktik komandues mbi Ushtrinë Jugosllave gjatë fushatës së NATO-s e ushtronte Slobodan Milosheviq. Rasti Milutinoviq është domethënës pikërisht sepse tregon se pozita e lartë shtetërore, edhe brenda një aparati shtetëror forcat e të cilit kryen krime të dokumentuara në Kosovë, nuk mjaftoi vetvetiu për përgjegjësi penale.
Në këtë dritë, aktgjykimi i Dhomave të Specializuara hap një çështje të rëndësishme për analizë krahasuese: mbi çfarë standardesh provuese dhe mbi çfarë konceptimi të kontributit individual u arrit në përfundimin se katër ish-drejtuesit e UÇK-së morën pjesë në një qëllim të përbashkët kriminal, ndërkohë që UÇK-ja nuk kishte strukturën shtetërore dhe institucionale të RFJ-së dhe Serbisë? Kjo pyetje nuk mund të zgjidhet vetëm përmes krahasimit të rezultateve apo viteve të dënimit; ajo kërkon krahasim juridik të elementeve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, provave dhe mënyrës se si secila gjykatë ka individualizuar përgjegjësinë.
Tromp e sheh pikërisht këtu një kontrast me pasoja për perceptimin publik të drejtësisë ndërkombëtare: dënimet më të larta të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara ndaj Thaçit dhe Krasniqit janë nga 25 vjet, ndërsa në çështjen Shainoviq et al. dënimi më i lartë i konfirmuar në apel ishte 22 vjet. Ky krahasim nuk duhet lexuar mekanikisht si matje e proporcionalitetit ndërmjet numrit të viktimave dhe viteve të burgimit, sepse dënimi penal përcaktohet nga veprat konkrete, forma e përgjegjësisë, provat dhe rrethanat individuale të secilit të dënuar. Megjithatë, kontrasti ndërmjet rezultateve të këtyre proceseve shtron një pyetje më të gjerë mbi perceptimin e paanshmërisë së drejtësisë ndërkombëtare në rastin e Kosovës. Në planin e receptimit publik dhe historiografik, fakti që disa prej ish-drejtuesve të një lëvizjeje kryengritëse janë dënuar me dënime më të gjata se disa prej zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe policorë të RFJ-së dhe Serbisë, të dënuar për krime të kryera gjatë fushatës kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, mund të krijojë perceptimin e një mospërputhjeje ndërmjet peshës historike të krimeve dhe peshës simbolike të dënimeve. Kjo nuk provon vetvetiu ekzistencën e një standardi të dyfishtë juridik, por e bën të pashmangshme pyetjen se si rezultatet e drejtësisë ndërkombëtare perceptohen dhe çfarë kuptimi politik e historiografik marrin kur vendosen përballë shkallës, karakterit dhe kontekstit të krimeve të gjykuara.
Asimetria bëhet edhe më konkrete kur krahasohet intensiteti i ndjekjes penale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së me shkallën e ndjekjes penale në Serbi të mekanizmave shtetërorë të fshehjes së krimeve. Në Batajnicë, pranë Beogradit, u identifikuan trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës, të transportuar nga Kosova dhe të fshehur në varreza masive. Megjithëse për disa nga vrasjet janë zhvilluar procedime penale, sipas të dhënave të cituara nga Miloš Ćirić, në Serbi nuk është ndjekur penalisht askush për vetë operacionin e transportimit dhe fshehjes së trupave. Kjo e zhvendos analizën nga krahasimi abstrakt i numrit të të dënuarve te një pyetje më strukturore: deri në çfarë mase drejtësia ka arritur të hetojë jo vetëm autorët e krimeve, por edhe mekanizmat shtetërorë të organizuar për fshehjen e gjurmëve të tyre?
Në këtë kontekst, duhet bërë edhe një dallim thelbësor institucional: dënimet e drejtuesve të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë serbë për krimet e kryera në Kosovë erdhën kryesisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), dhe jo nga sistemi gjyqësor i Serbisë. Kjo rrethanë shtron një pyetje që shkon përtej rezultateve të drejtësisë ndërkombëtare: deri në çfarë mase Serbia e ka përvetësuar në sistemin e saj juridik përgjegjësinë për krimet e kryera nga aparati i saj shtetëror dhe sa ka arritur të hetojë e të ndjekë penalisht strukturat dhe mekanizmat institucionalë që mundësuan kryerjen dhe fshehjen e këtyre krimeve?
Prandaj, çështja nuk është nëse përgjegjësia penale duhet të zbatohet ndaj të gjitha palëve — kjo është e padiskutueshme — por çfarë raporti është krijuar ndërmjet drejtësisë penale, shkallës së krimeve dhe pasojave të tyre politike. Pikërisht në hendekun ndërmjet rezultatit juridik dhe përdorimit të tij politik, Tromp e vendos konceptin e lawfare — përdorimin e instrumenteve dhe rezultateve juridike në funksion të objektivave politike dhe strategjike. Në interpretimin e saj, Serbia mund ta përdorë rezultatin e procesit jo për të mohuar formalisht aktgjykimet e TPNJ-së, por për të ndryshuar raportin e peshës së tyre në kujtesën publike dhe në diskursin ndërkombëtar: nga Serbia si shtet, zyrtarë të lartë të së cilës u dënuan për krime kundër shqiptarëve të Kosovës, drejt një narrative ku drejtues të kundërshtarit të saj gjatë luftës paraqiten si të dënuar për pjesëmarrje në një qëllim të përbashkët kriminal. Në këtë kuptim, juridicizimi nuk e anulon historinë e mëparshme gjyqësore, por rezultatet e tij mund të përdoren politikisht për ta relativizuar atë dhe për të prodhuar një ekuilibër të ri narrativ ndërmjet dy palëve të konfliktit.
Në këtë pikë shtrohet edhe një pyetje më e gjerë mbi trashëgiminë e drejtësisë ndërkombëtare në hapësirën e ish-Jugosllavisë: cili është raporti ndërmjet drejtësisë penale ndaj individëve dhe rezultateve politike që mbijetuan pas luftërave? Përvoja e Bosnjë-Hercegovinës e bën këtë tension veçanërisht të dukshëm. Drejtues të lartë politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës, përfshirë Radovan Karadxhiain dhe Ratko Mladiqin, u dënuan për krime ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë; ndërkohë, marrëveshja e Dejtonit e institucionalizoi Republika Srpska si njërin prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo nuk do të thotë juridikisht se Dejtoni “shpërbleu gjenocidin”, pasi formalisht Bosnjë-Hercegovina vazhdoi ekzistencën e saj, por funksionaliteti i saj i brendshëm relativizohet nga Republika Srpska, udhëheqja politike e së cilës ka zhvilluar politika të afërta dhe të koordinuara me Beogradin. Mbijetesa institucionale e një konfigurimi të tillë territorial të krijuar gjatë luftës ngre një pyetje të pashmangshme për marrëdhënien ndërmjet dënimit penal të autorëve dhe qëndrueshmërisë së pasojave politike të konfliktit.
E parë nga ky këndvështrim, çështja nuk qëndron te ndjekja penale e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së: shkeljet e së drejtës humanitare duhet të hetohen dhe përgjegjësia duhet të individualizohet. Problemi lind kur përgjegjësia për krime konkrete shtrihet interpretativisht mbi vetë procesin e organizimit të rezistencës së armatosur. Nëse një strukturë kryengritëse, e formuar në kushtet e represionit shtetëror serb dhe pa aparatin institucional të një shteti, rindërtohet juridikisht kryesisht përmes strukturës së saj formale dhe një “qëllimi të përbashkët”, ndërsa konteksti që prodhoi kryengritjen zhvendoset në plan të dytë, mund të mjegullohet dallimi ndërmjet kriminalizimit të veprimeve konkrete dhe kriminalizimit retrospektiv të logjikës së rezistencës. Pikërisht ky dallim duhet ruajtur në leximin historik të aktgjykimit.
Ky dallim është thelbësor edhe për të kuptuar zhvillimet e viteve 1998–1999. Në këtë kuptim, debati prek një nga dilemat themelore të politikës perëndimore të viteve 1990: kufirin ndërmjet ruajtjes së status quo-së, menaxhimit diplomatik të krizave dhe ndërhyrjes përballë dhunës masive. Vendimi i vitit 1999 për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s shënoi pikërisht shkëputjen nga logjika e pritjes dhe e menaxhimit të krizës, e cila, në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, nuk kishte arritur të parandalonte gjenocidin në Srebrenicë. Në këtë perspektivë, ndërhyrja në Kosovë duhet parë edhe në kontekstin e mësimeve që politika perëndimore kishte nxjerrë nga dështimi për të parandaluar krimet masive në Bosnjë-Hercegovinë.
Mundësia e një përdorimi të tillë politik të rezultateve juridike duhet parë edhe në një perspektivë më të gjatë, përkatësisht në raport me asimetrinë institucionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas vitit 1999. Serbia doli nga lufta me një aparat shtetëror, diplomatik dhe administrativ funksional, i cili kishte kapacitet të prodhonte dokumentacion, të artikulonte qëndrime dhe të vepronte në forumet ndërkombëtare. Kosova, përkundrazi, hyri në periudhën e pasluftës nën administrim ndërkombëtar, fillimisht me kompetenca të gjera ekzekutive të UNMIK-ut dhe, më pas, me një rol të fuqishëm të EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit. Kjo krijoi një pabarazi strukturore edhe në mënyrën se si dy palët mund ta dokumentonin, institucionalizonin dhe ndërkombëtarizonin interpretimin e tyre për luftën dhe pasojat e saj. Dimensioni institucional i kësaj asimetrie është veçanërisht i rëndësishëm. Nga viti 1999 deri në fund të vitit 2008, sistemi i drejtësisë funksionoi nën një prani të fuqishme ekzekutive të UNMIK-ut, ndërsa më 9 dhjetor 2008 EULEX-i mori përgjegjësinë e plotë operative në fushën e sundimit të ligjit. EULEX-i ruajti kompetenca të caktuara ekzekutive në drejtësi deri në qershor 2018; me fillimin e mandatit të ri më 15 qershor 2018, gjyqtarët dhe prokurorët e tij pushuan funksionet ekzekutive në sistemin kosovar të drejtësisë. Kështu, për gati dy dekada pas përfundimit të luftës, një pjesë e rëndësishme e hetimit, ndjekjes penale dhe administrimit të çështjeve më të ndjeshme në Kosovë u zhvillua nën autoritet ose me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të strukturave ndërkombëtare.
Kjo pabarazi fillestare e kapaciteteve institucionale merr rëndësi të veçantë kur shihet në raport me mënyrën se si Serbia, në vitet e mëvonshme, ka artikuluar dhe institucionalizuar politika më të gjera rajonale dhe narrativa mbi Kosovën. Në këtë kontekst duhet vendosur edhe koncepti i “botës serbe” (srpski svet). Deklaratat publike të Aleksandar Vulinit në vitin 2020, në të cilat ai argumentonte se serbët duhet të përbënin “një popull politik” dhe se Beogradi duhej t’i mblidhte serbët “në dhe rreth vetes”, ofrojnë një bazë të drejtpërdrejtë dokumentare për konceptin e “botës serbe”. Ky diskurs mori edhe forma të institucionalizuara bashkëpunimi ndërkufitar, ndër të tjera përmes Kuvendit të Parë Gjithëserb “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Srpska”, të mbajtur në Beograd më 8 qershor 2024, ku qeveritë e Serbisë dhe Republikës Srpska miratuan Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb, si dhe një sërë memorandumesh bashkëpunimi.
Kujtesa si çështje e shtetësisë
Pasoja më afatgjatë e gjithë këtij procesi mund të mos matet vetëm me vitet e dënimit apo me fatin politik të individëve, por me atë që do të mbetet pas disa dekadash nga rrëfimi historik për luftën e Kosovës. Nëse konteksti në të cilin lindi rezistenca e armatosur dobësohet gradualisht, ndërsa në plan të parë mbeten vetëm krimet e kryera nga individë të lidhur me UÇK-në, atëherë dobësohet aftësia e Kosovës për ta shpjeguar historikisht procesin që çoi nga represioni shtetëror te lufta, nga lufta te ndërhyrja ndërkombëtare dhe, më pas, te shtetësia.
Përgjegjësia për këtë nuk mund t’u atribuohet vetëm faktorëve ndërkombëtarë. Edhe brenda shoqërisë shqiptare, dëshmi, rrëfime dhe akuza janë përdorur në konflikte partiake, në delegjitimimin e kundërshtarit dhe, në raste të caktuara, për interesa individuale. Problemi fillon kur materiali i prodhuar për një qëllim të momentit shkëputet nga konteksti dhe hyn në arkiva, raporte, procese gjyqësore dhe literaturë si burim për rindërtimin e historisë. Kështu, fragmentet e një konflikti mund të fillojnë gradualisht ta zëvendësojnë vetë konfliktin.
Një shoqëri demokratike duhet të kundërshtojë glorifikimin e krimeve dhe, njëkohësisht, të ruajë kontekstin historik. Kjo vlen edhe për tekstet shkollore, përkujtimet publike dhe diskursin institucional. Pajtimi nuk kërkon neutralizim historik. Arkitektura qytetare dhe shumetnike e Kosovës nuk e përjashton kujtesën historike të shumicës shqiptare, sikurse kjo kujtesë nuk mund të përdoret për të mohuar vuajtjet ose të drejtat e komuniteteve të tjera. Sfida është të ndërtohet një kulturë kujtese që pranon përgjegjësinë individuale pa prodhuar simetri artificiale ndërmjet strukturave dhe politikave që nuk kanë qenë simetrike.
Ky raport ndërmjet drejtësisë, kujtesës dhe identitetit nuk mbetet vetëm në nivelin e debatit historiografik. Efektet e aktgjykimit kanë filluar të shfaqen edhe në debatin dhe mobilizimin publik brenda Kosovës. John Duncan, ish-këshilltar i gjeneralit Wesley Clark gjatë luftës dhe dëshmitar i mbrojtjes në procesin para Dhomave të Specializuara, tërhoqi vëmendjen te protestat e zhvilluara në Prishtinë pas shpalljes së aktgjykimit dhe te rishfaqja, në këtë kontekst protestues, e thirrjeve për bashkimin e shqiptarëve. Sipas tij, këto zhvillime tregojnë se “pasojat e këtij rasti po bëhen gjithnjë e më serioze”. Vëzhgimi i Duncanit nuk provon vetvetiu një ndryshim të qëndrueshëm të orientimeve politike të shoqërisë kosovare, por evidenton një dimension që nuk duhet nënvlerësuar: një aktgjykim penal mund të prodhojë pasoja që tejkalojnë sallën e gjyqit dhe të ndikojë në debatet mbi kujtesën, identitetin dhe mënyrën se si perceptohet vetë procesi i shtetndërtimit të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, receptimi i aktgjykimit nuk mund të analizohet vetëm si çështje e debatit të brendshëm: ai duhet parë edhe në raport me mjedisin ndërkombëtar brenda të cilit Kosova vazhdon ta konsolidojë shtetësinë e saj.
Në marrëdhënien me Bashkimin Evropian, problemi më i rëndësishëm për këtë analizë nuk është të hapet një debat i gjerë mbi të gjithë procesin e integrimit, por të kuptohet se konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës mbetet i papërfunduar. Pesë shtete anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, ndërsa dialogu me Serbinë mbetet një nga kornizat kryesore të angazhimit ndërkombëtar. Në një situatë të tillë, ndryshimet në narrativën ndërkombëtare për luftën nuk janë vetëm çështje kujtese: ato mund të kenë pasoja në mënyrën se si argumentohet dhe perceptohet shtetësia e Kosovës. Megjithatë, lidhja ndërmjet aktgjykimit dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës nuk duhet trajtuar si automatike. Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe profesor në Universitetin Georgetown, argumenton se vendimi ndaj Thaçit nuk pritet të ndryshojë marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, të prodhojë tërheqje njohjesh apo të pengojë perspektivën e saj euroatlantike. Në leximin e tij, duhet bërë dallimi ndërmjet përgjegjësisë penale të Thaçit dhe rolit të tij historik në kalimin nga udhëheqës i kohës së luftës në udhëheqës civil dhe në procesin që çoi Kosovën drejt pavarësisë. Ky vlerësim, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që aktgjykimi të prodhojë efekte më afatgjata në planin narrativ, diplomatik dhe historiografik. Mungesa e një ndryshimi të menjëhershëm në njohjet, aleancat ose orientimin euroatlantik të Kosovës nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë ndikimi në mënyrën se si Lufta e Kosovës, UÇK-ja dhe procesi që çoi drejt pavarësisë interpretohen në diskursin ndërkombëtar. Prandaj, ndikimi mbi kujtesën historike dhe ndikimi mbi pozitën formale ndërkombëtare të Kosovës duhet të dallohen analitikisht: ato mund të zhvillohen me ritme të ndryshme dhe, në një perspektivë më të gjatë, mund edhe të ndërveprojnë.
Kosova ndërmjet drejtësisë speciale dhe integrimit evropian
Aktgjykimi i 16 shtatorit e vendos në një dritë të re edhe raportin politik e institucional të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë që ndikuan në krijimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara. Gjeneza e këtij mekanizmi – nga raporti i Dick Martyt, te Task Forca Hetimore Speciale, shkëmbimi i letrave me Bashkimin Evropian dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2015 – tregon se Dhomat nuk mund të analizohen të shkëputura nga konteksti më i gjerë i marrëdhënieve Kosovë–BE. Formalisht, ato janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por funksionojnë jashtë territorit të saj, me gjyqtarë dhe personel ndërkombëtar dhe me një shkallë të lartë autonomie institucionale nga autoritetet e Kosovës.
Pikërisht këtë konfigurim institucional Robert Muharremi e sheh si një paradoks të vetë modelit të Dhomave: një mekanizëm i integruar formalisht në rendin juridik të Kosovës ushtron funksionet e tij jashtë territorit të saj dhe përmes një strukture të ndërkombëtarizuar. Përtej vlerësimit politik të këtij modeli, kjo ngre një çështje më të gjerë mbi raportin ndërmjet sovranitetit formal të Kosovës, legjitimitetit demokratik dhe ushtrimit faktik të autoritetit gjyqësor.
Në këtë kontekst, Nevenka Tromp e vendos kritikën e saj edhe në vetë gjenezën politike të Dhomave të Specializuara. Ajo e cilëson si një lloj “mëkati fillestar” faktin që, sipas interpretimit të saj, mekanizmi u konceptua jo vetëm si instrument i përcaktimit të përgjegjësisë penale, por edhe si pjesë e një kompromisi më të gjerë politik që synonte të akomodonte kërkesat e Serbisë. Tromp argumenton se krijimi i Gjykatës më 2015 duhet parë në kontekstin e vazhdimit të mbështetjes perëndimore për Kosovën dhe të pritjes së atëhershme se lëshimet ndaj Beogradit, përfshirë ato në kuadër të dialogut, do të kontribuonin eventualisht në normalizimin e marrëdhënieve dhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Në këtë lexim, problemi nuk qëndron vetëm te mandati juridik i Dhomave, por te ndërthurja e drejtësisë penale me kalkulimet politike dhe diplomatike që shoqëruan procesin e normalizimit Kosovë–Serbi.
Këtu shfaqet një asimetri institucionale që meriton debat më sistematik. Kosova pranoi krijimin e një mekanizmi të jashtëzakonshëm gjyqësor dhe ndryshoi Kushtetutën për ta bërë të mundur funksionimin e tij, ndërkohë që konsolidimi i saj brenda arkitekturës juridike dhe politike evropiane mbetet i papërfunduar. Kjo nuk do të thotë se të akuzuarit janë jashtë standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, sepse korniza juridike e Dhomave i inkorporon ato; çështja është nëse arkitektura ekzistuese ofron të njëjtin nivel të kontrollit të jashtëm dhe të mjeteve juridike që do të ekzistonte sikur Kosova të ishte palë e plotë në sistemin e Këshillit të Evropës.
Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të analizohet jo vetëm në funksion të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj, por edhe të forcimit të arkitekturës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Përfshirja e Kosovës në sistemin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të hapte, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara nga Konventa, mundësinë që pretendimet për shkelje të të drejtave themelore t’i nënshtroheshin edhe kontrollit të jashtëm të sistemit të Strasburgut.
Një tension i ngjashëm shfaqet në marrëdhënien me Bashkimin Evropian. BE-ja ka pasur rol të rëndësishëm në proceset që çuan në krijimin e mekanizmit special dhe vazhdon të jetë ndërmjetësuesi kryesor i dialogut Kosovë–Serbi, ndërkohë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka prodhuar ende statusin e vendit kandidat. Për këtë arsye, pyetja që del pas 16 shtatorit nuk është nëse Kosova duhet të tërhiqet nga bashkëpunimi me institucionet evropiane, por çfarë implikimesh ka kjo asimetri për marrëdhënien e ardhshme Kosovë–BE dhe mbi çfarë parimesh duhet të ndërtohet ajo. Bashkëpunimi me BE-në dhe respektimi i drejtësisë ndërkombëtare nuk e përjashtojnë debatin për reciprocitet institucional, standarde të njëjta dhe përgjegjësi politike të ndërmjetësuesve. Pikërisht serioziteti me të cilin Kosova ka pranuar obligime të rënda ndërkombëtare e bën legjitime kërkesën që marrëdhënia me partnerët evropianë të diskutohet jo vetëm në termat e obligimeve të Kosovës, por edhe të përgjegjësive institucionale të partnerëve të saj.
Në këtë debat mbi raportin e ardhshëm të Kosovës me institucionet ndërkombëtare merr rëndësi edhe qëndrimi i historianit britanik James Pettifer, autor i The Kosova Liberation Army: Underground War to Balkan Insurgency. Ai argumenton se raporti me NATO-n duhet trajtuar veçmas nga polemikat rreth Dhomave të Specializuara, ndërsa Kosova, sipas tij, ka arsye të rishqyrtojë nevojën dhe funksionin aktual të mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht të EULEX-it. Në vlerësimin e Pettiferit, ky mision i ka krijuar Kosovës më shumë pengesa sesa ka kontribuar në forcimin e rendit dhe të sundimit të ligjit. Ky është një vlerësim i tij kritik dhe jo një konstatim i këtij studimi. Pettifer e interpreton aktgjykimin si pjesë të një procesi më të gjerë që, sipas tij, rrezikon të diskreditojë UÇK-në dhe të ndikojë në rishkrimin e historisë së luftës; në këtë kontekst, ai rikujton edhe refuzimin e tij për të marrë pjesë në proces dhe kritikën se nuk pati mundësi t’u përgjigjej në Gjykatë vlerësimeve ndaj librit të tij. Pavarësisht nëse pranohet ose jo ky përfundim, pikëpamja e tij e zhvendos debatin nga reagimi ndaj një aktgjykimi të vetëm drejt një pyetjeje më të gjerë institucionale: deri në çfarë mase arkitektura ndërkombëtare e krijuar gjatë periudhës së sovranitetit të kufizuar të Kosovës vazhdon t’u përgjigjet rrethanave dhe nevojave të një shteti që synon ushtrimin e plotë të përgjegjësive të veta institucionale?
Në këtë debat mbi përgjegjësinë institucionale të Kosovës pas aktgjykimit, një zhvillim i ri ndodhi më 28 shtator 2026, kur Kuvendi i Kosovës miratoi, me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, një deklaratë të përbashkët lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata, e harmonizuar ndërmjet grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Grupit Multietnik, përbën një reagim të gjerë institucional ndaj aktgjykimit. Kuvendi shprehu “shqetësimin e thellë” ndaj tij dhe e konsideroi “të papranueshëm” përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët. Njëkohësisht, ai kërkoi nga institucionet shtetërore ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore që të bashkërendojë veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.
Përballë vetë Dhomave të Specializuara, kërkesa e saj konkrete kufizohet në formulimin që ato duhet ta respektojnë mandatin “në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Deklarata nuk specifikon se cili element i mandatit konsiderohet problematik, çfarë veprimi konkret juridik kërkohet apo përmes cilit mekanizëm procedural duhet të adresohet kundërshtimi ndaj aktgjykimit. Edhe thirrja për një “strategji të përbashkët shtetërore” nuk përcakton afate, institucione përgjegjëse apo instrumente konkrete për realizimin e saj.
Pikërisht këtu shfaqet dallimi ndërmjet peshës politike të deklaratës dhe efektit të saj juridik. Konsensusi i 99 deputetëve është një fakt institucional me rëndësi, por deklarata parlamentare nuk është mjet procedural për ndryshimin e aktgjykimit. Kundërshtimi juridik i aktgjykimit zhvillohet përmes mjeteve procedurale të palëve, ndërsa roli i institucioneve shtetërore mund të shtrihet në rrafshin e dokumentimit, ekspertizës, diplomacisë dhe mbrojtjes së kontekstit historik, pa ndërhyrë në pavarësinë e procesit gjyqësor.
Për këtë arsye, hapi pasues do të ishte konkretizimi i vetë kërkesës së Kuvendit për një strategji shtetërore: përcaktimi i institucioneve përgjegjëse, objektivave, instrumenteve dhe afateve. Një plan i tillë mund të përfshinte analizën juridike dhe institucionale të pasojave të aktgjykimit; dokumentimin dhe arkivimin sistematik të burimeve për luftën; koordinimin diplomatik me partnerët ndërkombëtarë; si dhe mbështetjen e hulumtimit akademik dhe historiografik. Në këtë mënyrë, reagimi shtetëror nuk do të synonte t’i diktonte gjykatës rezultatin e një procedure konkrete, por të ndërtonte kapacitetin institucional të Kosovës për t’u përballur me pasojat juridike, politike dhe historiografike të procesit.
Një element që deklarata e 28 shtatorit nuk e adreson shprehimisht është trashëgimia e raportit të Dick Martyt. Kjo mungesë është veçanërisht relevante për argumentin e këtij studimi. Siç është trajtuar më sipër, raporti Marty prodhoi pasoja të konsiderueshme politike dhe institucionale, ndërsa statusi i disa prej pretendimeve të tij më të bujshme mbetet çështje që kërkon sqarim institucional. Për këtë arsye, një strategji shtetërore mund të përfshinte edhe kërkesën për një ballafaqim formal ndërmjet pretendimeve fillestare të raportit Marty, rezultateve të hetimeve të mëvonshme dhe asaj që përfundimisht u përfshi dhe u provua në proceset gjyqësore. Kjo është pikërisht çështja që ky studim ia shtron Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Në varësi të zhvillimeve të ardhshme, kjo çështje mund të shtrojë edhe një pyetje më të gjerë për politikën e jashtme të Kosovës. Nëse Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nuk ofrojnë një sqarim institucional mbi statusin e pretendimeve të raportit të Dick Martyt, duke i ballafaquar ato me rezultatet e hetimeve dhe proceseve të mëvonshme gjyqësore, mund të hapet debat mbi premisat politike dhe reciprocitetin institucional të arkitekturës së dialogut të ndërtuar gjatë dekadës së fundit. Një debat i tillë nuk nënkupton se aktgjykimi i 16 shtatorit prodhon ndonjë efekt automatik juridik mbi Marrëveshjen e Parë të 19 prillit 2013 apo mbi marrëveshjet e mëvonshme. Çdo shqyrtim i ndryshimit, rishikimit ose tërheqjes nga zbatimi i obligimeve të caktuara do të kërkonte analizë të posaçme juridike mbi natyrën e këtyre marrëveshjeve, raportin e tyre me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të vitit 2023 dhe Aneksin e Zbatimit të Ohrit, si dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës. Brenda këtij kufiri, si skenar analitik mund të shqyrtohet edhe rishikimi i qasjes së Kosovës ndaj fazave të ardhshme të dialogut, përfshirë çështjen nëse aranzhimet e reja institucionale duhet të mbeten brenda kornizës së Planit të Ahtisaarit dhe rendit kushtetues të Kosovës, duke ruajtur funksionalitetin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit. Nga kjo perspektivë, marrëveshjet e dialogut të Brukselit mund të rivlerësohen edhe nga këndvështrimi i reciprocitetit: nëse dhe në çfarë mase obligimet e marra dhe të zbatuara nga Kosova janë shoqëruar me zbatim të krahasueshëm të obligimeve të Serbisë dhe me rezultate proporcionale për konsolidimin ndërkombëtar dhe funksionalitetin institucional të Kosovës.
Kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme kur merret parasysh se, tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian — Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja — vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Ky fakt përbën një kufizim strukturor për formulimin e një politike plotësisht të unifikuar të BE-së ndaj statusit të Kosovës dhe ngre pyetje mbi koherencën e qasjes evropiane ndaj konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj. Një kontrast politik mund të vërehet edhe në raport me mbështetjen e BE-së për zgjidhjen me dy shtete, Izrael dhe Palestinë. Këto raste kanë histori, kontekste juridike dhe rrethana gjeopolitike të ndryshme dhe nuk mund të barazohen mekanikisht; megjithatë, krahasimi lejon të shtrohet një pyetje analitike mbi kriteret politike dhe juridike përmes të cilave Bashkimi Evropian i qaset çështjeve të shtetësisë, njohjes dhe vetëvendosjes, ndërkohë që ndaj statusit të Kosovës vazhdon të mungojë një qëndrim unik i të gjitha shteteve anëtare.
Ky debat merr një dimension shtesë për shkak se Serbia mund të përpiqet ta përdorë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për të forcuar pozicionin e saj narrativ dhe diplomatik. Prandaj, pyetja analitike për Kosovën nuk është thjesht ruajtja apo braktisja e një marrëveshjeje të caktuar, por nëse arkitektura ekzistuese e dialogut siguron reciprocitet politik dhe institucional ndërmjet palëve dhe nëse ndërmjetësimi evropian mbështetet në standarde të krahasueshme ndaj të dyja palëve.
Përfundim
Pas 16 shtatorit, sfida për Kosovën nuk është të mohojë përgjegjësinë penale individuale dhe as të ndërtojë një kundërpropagandë. Sfida është të pengojë që një aktgjykim penal, një raport politik, një dosje propagandistike ose një konflikt i brendshëm partiak të marrë funksionin e historisë së plotë. Kjo kërkon më shumë dokumentim, më shumë arkiv, më shumë kërkim shkencor dhe më shumë diplomaci të mbështetur në burime të shumëfishta dhe të verifikueshme. Njëkohësisht, Kosova duhet të investojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe, aty ku është e nevojshme, të angazhojë ekspertë dhe kompani të specializuara ndërkombëtare, duke marrë në konsideratë edhe përvojat e vendeve të tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë, përfshirë Kroacinë. Përvoja e proceseve të deritanishme tregon se mbrojtja juridike, dokumentimi historik dhe komunikimi ndërkombëtar kërkojnë ekspertizë të specializuar dhe koordinim institucional afatgjatë.
Pikërisht për këtë arsye, shteti duhet të krijojë kapacitet institucional për të ballafaquar pretendimet me dokumentet, dokumentet me provat forenzike dhe provat me kontekstin historik. Rasti i raportit Marty kërkon epilog institucional; qarkullimi i diskurseve serbe dhe i polemikave të brendshme shqiptare kërkon analizë të prejardhjes së burimeve; ndërsa aktgjykimi i Dhomave të Specializuara kërkon lexim juridik të saktë, por edhe vendosje në historinë më të gjerë të konfliktit.
Beteja për dokumentet është betejë për historinë; beteja për historinë është betejë për kujtesën; ndërsa, në rastin e Kosovës, beteja për kujtesën mund të bëhet edhe betejë për legjitimitetin e vetë shtetit. Problemi nuk është që historia të mbrohet nga kritika, por që kritika të mos shndërrohet në dekontekstualizim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
