Gani Bajrami: U nda nga jeta atdhetari i shquar Mehmet Sh. Kelmendi

Të dielën, më 21 maj 2017, në moshën 90 vjeçare, u nda nga jeta Mehmet (Shaban) Kelmendi, njëri prej veprimtarëve të palodhshëm të lëvizjes kombëtare në Fushë-Kosovë. I ndjeri ishte një nga pishtarët e parë të arsimit, të cilit iu ndalua kjo veprimtari që në start nga UDB-ja famëkeqe, e cila që në moshën 25 vjeçare, më 1952, ia hapi dosjen në mesin e 35 mësuesve shqiptarë të rrethit të Graçanicës (Prishtinës), duke e cilësuar të rrezikshëm për punën e mësuesit.

Si pjesëtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, inkuadrohet në grupin e Ismail Gollakut që ishte formuar në fillim të vitit 1962, sipas shkollës së organizimit të Grupit të Metush Krasniqit, i burgosur në vitin 1958. Mirëpo, në fund të vitit 1962 zbulohet grupi dhe Mehmet Kelmendi, më 8 mars të vitit 1963, u dënua nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vetë i shtati, ndërsa burgun e rëndë e vuajti në burgun famëkeq të Serbisë, në Nish.

Ismail Gollaku ishte pinjoll i një familje nga lagjja Qorraj e Keqekollës, e cila e kishte pësuar më 1921 nga e ashtuquajtura errfija dhe nga ploja serbe kishte shpëtuar vetëm babai i tij bashkë me një motër që kishin qëlluar te daja Halit Banulla në fshatin Topliçan të Lipjanit. Në Topliçan ku ishte rritur Ismail Gollaku e kishte formuar Grupin e Topliçanit me emrin “Nacionalistët drejt organizimit”, grup ky që sipas aktakuzës, kishte për qëllim shkëputjen me forcë të Kosovës nga Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Dokumente arkivore dëshmojnë se ndjekja nga pushteti e Mehmet Kelmendit fillon që nga viti 1952 kur UDB-ja famëkeqe ia hapi dosjen në mesin e 35 mësuesve shqiptarë të rrethit të Graçanicës (Prishtinës), ndërsa gjatë një pjese të shërbimit ushtarak në vitet ‘50 u dënua me burg në kohëzgjatje prej 10 muajsh nga Gjyqi Ushtarak në Shkup.

Pasi iu ndalua puna në arsim Mehmet Kelmendi u punësua në Organizatën Hekurudhore të Kosovës në Fushë-Kosovë, ku punoi deri në pensionim. Mirëpo, edhe si ish i burgosur politik mehmet Kelmendi nuk e ndali veprimtarinë atdhetare. Ai ishte model për brezin që i takoi se si duhet të ecet drejt, pavarësisht situatave e torturave, ishte model i konsekuencës, sakrificës dhe atdhedashurisë.

Edhe pse gjithnjë i përndjekur nga pushteti, kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare. Pa shkëputje nga puna mbaroi Shkollën e lartë për hekurudha në Beograd dhe bashkë me Mehdi Gojnovcin e Adem Sogojevën i vuri bazat e administratës shqipe në Hekurudhën e Kosovës, që ishte e dominuar nga kuadrot serbe e malazeze. Madje për një kohë të gjatë ishte instruktor i aftësimit profesional të kuadrove të reja për punë në hekurudhat e Kosovës.

Në Fushë-Kosovë, ku familja e tij ishte vendosur që para Luftës së Dytë Botërore, Mehmet Kelmendi u dallua si një veprimtar  që me ngulm po luftonte për prosperitetin e shqiptarëve në një mjedis që njihej i dominuar nga serbët. Ai ishte prijatar i shumë aktiviteteve shoqërore, arsimore e kulturore me të rinjtë shqiptarë, herë në skenë e herë në prapaskenë. Me emrin e tij lidhet formimi i shoqërisë kulturo-artistike “Lulëzimi” në Fushë-Kosovë në vitin 1972 dhe i teatrit “Qëndresa”, institucion ky i vetmi kulturor në Fushë-Kosovë nëpërmjet të të cilit për një kohë të gjatë artikulohej zëri i shqiptarëve.

Me veprimin e vet ai u jepte kurajo të rinjve shqiptarë se duhet të dëgjohet zëri i tyre në çdo fushë të jetës dhe punës, pavarësisht se përpjekjet e shovinistëve hegjemonistëve serbë ishin të mëdha për të shtypur çdo lëvizje të shqiptarëve në Fushë-Kosovë, të cilën donin ta mbanin vendbanim etnikisht të pastër me serbë.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …