Thaçi: Kosova e gatshme të mbështesë albanologjinë dhe kulturën arbëreshe

Thaçi: Kosova e gatshme të mbështesë albanologjinë dhe kulturën arbëreshe

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Universitetin e Kozencës në Itali, ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe. Ai gjatë takimit me rektorin e këtij universiteti, Gino Mirocle Crisci, është njoftuar nga ky i fundit me punën e institucionit, duke përfshirë në mënyrë të veçantë kontributin e departamentit të albanologjisë. “Në këtë universitet studiojnë edhe të rinj nga Kosova”, tha rektori Crisci. Ndërsa, profesori Françesko Altimari prezantoi të arriturat albanologjike, duke u ndalur me theks të veçantë te botimet e shumta të trashëgimisë letrare arbëreshe. Duke i përgëzuar për të arriturat e universitetit, kryetari Thaçi theksoi se ndjehet krenar për mënyrën se si studiohet, botohet dhe ruhet trashëgimia letrare dhe kulturore arbëreshe. “Për ta mbajtur të pashkëputur lidhjen tonë, Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe”, ka thënë Thaçi. Ai me profesorët e Universitetit të Kozencës ka diskutuar edhe për organizimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe albanologjike, si konferenca, seminare dhe kongrese në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Gjithashtu, kryetari ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës, të cilët kontribuojnë në ngritjen e kompanive prodhuese. Me këtë rast ai ka thënë se implementimi i marrëveshjes mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Kozencës i hap perspektivë talentëve të Kosovës në këtë fushë me perspektivë globale.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se deri tani janë vaksinuar mbi 55 mijë punëtorë të stafit arsimor

Arbërie Nagavci pranon se librat shkollorë kanë kushtuar më shumë këtë vit, por s’jep shifër konkrete

Deputetja dhe ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka pranuar se librat për këtë vit shkollor …