Dr. Zymer Ujkan Neziri: Kontributi i studiuesit Jusuf S. Vatoci për historinë e dijes shqiptare

Përurimi i librit të Prof. Dr. Jusuf S. Vatocit, Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij (1430-2000), shtëpia botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2015, recension, më 29.10.2015, Fakulteti i Filologjisë, Salla e Kuqe, Prishtinë

Hyrje

     Autori, prof. dr. Jusuf S. Vatoci, intelektual i dalluar dhe emër i njohur në fushën e dijes e të arsimit të mesëm e universitar, për veprën që po e përurojmë sot, Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij (1430-2000), dëshmon për përkushtimin e tij 40 vjet të gjatë në realizimin e këtij projekti të madh, më i madhi i këtij lloji i realizuar në Prishtinë e Tiranë.

      Interesimi i tij, nga vitet 70, për të hartuar historikun e dijes shqiptare në 6 shekujt e fundit të mijëvjeçarit të kaluar, ishte rast i rrallë, ndër të rrallët në rajon, dhe i pari i këtij lloji ndër ne, krahas projekteve të ngjashme të asaj kohe në Slloveni, Kroaci, apo Bosnjë e Hercegovinë, por për periudha kohore afatshkurtra.

      Koha e përfshirë në Leksikon është periudha 1430-2000, që fillon me doktorimin e Gjin Gazullit, nga Raguza, më 1430, në Universitetin e Padovës. Dhe, ai ishte i doktoruar madje dy herë, në fushën e artit dhe në fushën e astronomisë. Ishte vëlla me Gjon Gazullin, Pal Gazullin e Andrea Gazullin, familje shumë e njohur dhe përkrahëse e Skënderbeut. Pastaj, Martin Segoni, nga Artana (Novobërda), doktor  shkence në fushën e drejtësisë kanonike, më 1475, po ashtu në Universitetin e Padovës. Martini konsiderohet intelektuali i parë i rrethinës së Prishtinës dhe biografi i parë i Gjergj Kastriotit, i cili erdhi në këto vise më 1448. Radha në Leksikon është e gjatë, shumë e gjatë, 570 vjet përpjekje dhe suksese në mbrojtje të magjistraturave dhe të disertacioneve të doktoratave. Dijetarja e fundit në Leksikon, e renditur sipas abc-së, është Suzana Zhuta-Aliu, nga Struga, e doktoruar në kimi, më 2004, në Universitetin e Prishtinës. Përkundër përpjekjes, autori thotë se nuk e ka pasur ndihmën institucionale të Tiranës, prandaj, fatkeqësisht, këtu mungojnë të dhënat edhe për 450 magjistra e doktorë të shkencave të Republikës së Shqipërisë.

      Vepra e Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij (1430-2000), me recensues akad. prof. dr. Pajazit Nushi dhe prof. dr. Isuf Dedushaj, e ndarë në 6 kapituj, me 1322 faqe, konsideroj se është hyrje në historinë e dijes shqiptare. Fushat e përfshira në Leksikon janë: shkencat shoqërore, filologjike, ekonomike, matematike-natyrore, mjekësore, teknike, teknologjike, bujqësore dhe artet.

       Pika nisëse e autorit është shekulli i 15-të në Shqipëri dhe dija shqiptare e vlerësuar në shkallë doktorate kryesisht në universitetet e Italisë, ku pastaj ata të doktoruar bëhen edhe profesorë dhe ligjërojnë aty dhe në universitete të tjera të Evropës, duke krijuar edhe figura të shquara të dijes evropiane e botërore, e ndër ta edhe Nikolla Kopernikun. Ishte i asaj kohe edhe Universiteti i Durrësit, që u shkatërrua më 1501 nga pushteti osman. Autori shkruan edhe për qendrat e hershme universitare në Iliri: Ohri, Apollonia, Butrinti (f.43). Ai sjell të dhëna se Evropa filloi me dhënien e gradave doktor shkence tek në shekullin XII, ose rreth 15 shekuj pas traditës kineze të dhënies së gradave doktor shkence ( juristi Jio Cong, viti 268 para epokës së re, f. 28).

       Studiuesi Jusuf Vatoci, pra, fillimisht ka përballë periudhën e ndritur të Humanizmit e të Renesancës në kulturën shqiptare, ku roli i saj në Evropë ishte shumë i rëndësishëm, e që përfaqësohej nga dijetarët e mëdhenj: profesori i matematikës Gjon Gazulli, historiani Leonik Tomeo, teologu, juristi e historiani Marin Barleti, juristi Martin Segoni, shkrimtari Dhimitër Frëngu, profesori i retotikës Marin Beçikemi, teologu Pal Engjëlli, shkrimtari Maksim Arioti, historiani Gjergj Merula, shkrimtari Gjon Muzaka, etj. Në librin e tij, Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij (1430-2000), këto personalitete të shquara të shkencës dhe të artit janë edhe brez i shqiptarëve-mbrojtës të civilizimit evropian, në krye me Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, bashkuesin e pricipatave shqiptare dhe prijësin e tyre. Ata ishin edhe shkrues të asaj historie plot lavd e fitore, veprat e tyre u bënë pjesë e dijes evropiane, sidomos për prijësin e tyre të madh, njërin ndër gjeneralët më të shquar të kohës.

       Në Leksikon pasojnë breza dijetarësh të shekujve në vijim: Pjetër Bogdani (1656), dy herë doktor shkencash, në teologji e në filozofi, Elena Peshkopia (1678), e doktoruar në Padovë, në filozofi, pastaj Gjon Nikollë Kazazi (1743), dy herë i doktoruar, në filozofi e në teologji, Karl Gega (1820), i doktoruar në matematikë, në moshën 18-vjeçare. Disa sish qenë të shquar jo vetëm në fushën e dijes e të artit, por edhe të veprimtarisë atdhetare, e disa vepruan madje deri në flijim, si Pjetër Bogdani. Pastaj, aty ka breza dijetarësh nga periudha e Ali pashë Tepelenës dhe e Mahmut pashë Bushatit, nga Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare të Prizrenit dhe deri në shekullin XX, me kulmimin e dijes shqiptare nga Ferid Xhabir Murati, me prejardhje nga Llokofci i Gostivarit, i lindur më 1936 në Indiana, SHBA, i doktoruar në shkencat e mjekësisë dhe fitues i çmimit Nobel, më 1998.

Përfundimi

       Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij (1430-2000), është vepër jetësore e autorit prof. dr. Jusuf S. Vatoci, punë individuale e barabartë me punën e një instituti, bazë për enciklopedi, ndihmesë për leksikone të fushave të veçanta dhe kontribut i rëndësishëm për historinë e dijes shqiptare. Me këtë rast i dëshiroj shëndet dhe suksese të reja në punën e tij kërkimore shkencore, kurse juve, të nderuar të pranishëm, ju falënderoj për vëmendjen! Prishtinë, më 29.10.2015

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …