Adem Lushaj: Vështrim për romanin “LUFTA” të autores, Leonora N. Lokaj

Adem Lushaj: Vështrim për romanin “LUFTA” të autores, Leonora N. Lokaj

Në karvanin e krijuesve të shquar në krijimtarinë letrare, tashmë veç është, edhe poetja e talentuar, Leonora (Nezir) Lokaj, pena e së cilës nuk ka të ndalur. Nora, pas disa përmbledhjeve poetike, në Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë -2023″, të organizuar nga Shoqata “Martin Dreshaj” dhe Komuna e Pejës, para lexuesve paraqitet me një vepër ndryshe, për dallim nga ajo që jemi mësuar ta kemi. Me romanin “LUFTA”, i del përballë një teme jo fort të zakonshme, e cila deri më tani nuk kishte trajtim të merituar. Me gjasë, tema e përzgjedhur është solidarizim dhe përkrahje për gjitha ato femra që kishin pësuar gjatë viteve 1998/99, nga krimi më i rëndë kundër njerëzimit.

E rritur në një mjedis, ku rezistenca dhe dëshira e flaktë për shtigjet e lirisë, ka bërë që tematika e rrëfimit në romanin “Lufta”, të shtjellohet që nga fillet e jetës. Në këtë roman, pikënisje e rrëfimit janë protestat studentore të dy dekadave të fundit të mijëvjeçarit që lamë pas. Mobilizimi i të rinjve për të rezistuar dhe flakur thundrën e rëndë të pushtuesve të deridjeshëm, si dhe lufta të cilën autorja e ka përjetuar, sado e re të ketë qenë, janë në mbamendjen e saj. Këtë e kupton menjëherë, qysh në faqet e para të këtij romani.

       Tema e luftës këtu, paraqitet si një tezë e cila ndërtohet përmes shpalimit shpirtëror të personazhit kryesor të romanit, luftës së shumëfishtë të saj. E gjithë lufta është te Era, një vajzë e dashuruar, përplot ëndrra. Lufta ia prishë gjitha ëndërrimet. Atë e përdhunojnë barbarët serbo-sllav. Bëhet viktimë e luftës, si mijëra viktima të tjera.

Pos kësaj, në vend që ta përkrahin dhe ta ndihmojnë që ta shuajë zjarrin i cili ia ka kapluar trupin, në vend që ta ndihmojnë që t’i mbyllën vrragët që ia gërryejnë shpirtin, atë e lënë të digjet në vuajtjet e saj. Zhgënjim i plotë.

Por, dëshira dhe vullneti i saj për të jetuar, për ta ndërtuar jetën pas divorcit, janë një mesazh i fortë përballë një bote përplot thashetheme. Era shndërrohet në një luftëtare të  fuqishme për ta sfiduar të djeshmen e hidhur.

Romani “LUFTA”, i autores Leonora Lokaj, vjen si mision për ta përqafuar jetën. Vjen si udhëtare që ec nëpër shtegun që qon tek e ardhmja, ku domosdorisht udha e arsyes është më e duhura. Lexuesi i kohës sonë (i ndodhur edhe në pozitën e dëshmitarit), domosdo se do t’i vërtetojë të thënat e rrëfimit si dëshmi, të cilat do barten tek lexuesi i gjeneratave të ardhshme. Romani në fjalë ngjall emocion, të vë në dilema të ndryshme, krenarie a dhembjeje..

Në romanin “LUFTA” është përdorur një gjuhë e rrjedhshme, me një sintaksë të pasur, me një stil të veçantë ndërlidhshmërie e koherente. Leonora Lokaj, ashtu si në gjininë e poezisë, po ashtu edhe në gjininë e prozës, tregon se është shumë premtuese, gjë që dita ditës po e dëshmon me botime të reja. Origjinaliteti rrëfyes dhe elokuenca letrare, na bën të besojmë se autorja, vjen për lexuesin me temën e luftës si dëshmi për ta vulosur një kohë dhe për të mbetur një emër meritor në spektrin e asaj kohe. Në “LUFTA” e ka trajtuar një temë të dhimbshme të shoqërisë, një temë që me dhembshuri i përcjellin bashkëshortet, nënat, vajzat dhe motrat tona, të cilat me përgjegjësi e themi se janë “heroina të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Kontrolloni gjithashtu

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Urojmë suksese të gjithë nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2025/2026! Në …