Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Në 87-vjetorin e lindjes së Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Bacë Adem Demaçi, kësaj radhe do të rrëfej  për një segment të angazhimeve të tij, në vitet e fundit të jetës, aktivitet   jo shumë i njohur për opinionin, por që jo aksidentalisht, ideja e tij më kishte rënë hise më shumë mua, se sa të tjerëve.

 

E kam njohur Adem Demaçin në moshën time 14- 15-vjeçare.

…Një ditë,  duke lozur në një kthinë pas  Xhamisë së Medresesë, në Prishtinë, topthi na  kishte rënë në oborrin e tij. Me ndihmën e dy shokëve të mi, kisha kaluar murin me qerpiçë, të cilin e kishim dëmtuar bukur shumë dhe papritmas  pasi kisha kërcyer poshtë,  pashë “studentin” sikur i thoshim asokohe, Bacës Adem.

Ishte ulur dhe po lexonte nën hijen e Pjeshkës. Duke qenë se topthi kishte ndalur te këmbët e tij, isha shtangur dhe nuk dija si të veproja, të ikja apo të prisja ndëshkimin. Për habinë time ai m’ u drejtua krejt qetas me fjalët:

-Eja këtu, merre topin dhe herëve të tjera, mos kalo mbi druvar, sepse mund të thyesh dorën apo këmbën. Eja te dera, nëse është hapur futu  dhe merre topin, nëse është mbyllur, trokit.

E kisha falënderuar me kokën ulur, e kisha marrë topin dhe kisha dalë nga dera duke e mbyllur me kujdes.

E kisha vështirë t i bindja shokët se jo vetëm që nuk më kishte rrahur, “Studenti”, por edhe më kishte thënë  sa herë të binte topthi të shkonim lirshëm e ta merrnim atë  nga dera dhe jo ta kalonim murin. Kishim përvojë të hidhur me fqinjët e tjerë, kur rastiste të topi të binte në oborret e tyre.

Në vitet e pas luftës, Bacë Adem Demaçi, kishte intensifikuar vizitat në Radion-Kosova e Lirë dhe kishte marrë pjesë në të gjitha takimet e manifestimet që i kishim organizuar.

Për dy vjet ka qenë edhe i ftuar i një emisioni mujor në valët e Radios.

Në vitin 2015 më kishte thirrur dhe më kishte njoftuar lidhur me projektin e tij për një televizion kombëtar, projekt të cilin e kisha përkrahur ashtu sikur do të kisha përkrahur çdo nismë të tij. Më kishte shpjeguar se kishte përkrahjen edhe të shumë ish të burgosurve, që i kishin premtuar se ta mbështesnin dhe do ta bashkë financonin projektin.

Fati, nuk e deshi që Baca ta fillonte punën në projektin e tij shumë të dëshiruar, ndërsa mua më mbeti barra e rëndë, bashkë me dilemën se si do t’ ia bëja.

Më e lehta ishte të tërhiqesha, por duke qenë vazhdimisht në kontakt me të dhe duke ditur sa shumë iu kishte përkushtuar projektit, ngarkova mbi supe barrën e rëndë, të dyfishtë, mungesën e mjeteve financiare për riblerjen e pajisjeve teknike dhe vazhdimin me këmbëngulje të projektit me qëllim që mos dështonte amaneti i tij, pavarësisht injorimit  dhe thashethemeve ndër më të ulëtat, sidomos nga disa prej atyre,  që i kishin premtuar se do ta përkrahnin materialisht, duke qenë se nuk kishin besuar kurrë në nismat e Bacës, por ia kishin rrahur shpinën me premtime boshe. Nga 22 veta sa i kishin premtuar Bacës, kishim mbetur, vetëm unë me Martin Çunin. Meqë Baca ishte sëmurë, po me shpresë se do ta merrte veten, isha angazhuar t’i blija pajisjet e tjera, pasi familja e tij i kishte tërhequr ato. Për të mos lejuar dështimin e projektit të Bacës dhe neve që e kishim mbështetur, pajisjet i kishte blerë ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, të cilin e falënderoj shumë, me këtë rast meqë ai ndodhet i pranguar padrejtësisht në Hagë, ku disa qarqe evropiane, të cilat po bëjnë përpjekje ta devalvojnë dhe ta kriminalizojnë  luftën e  UÇK-së.

Në nëntor të vitit 2016 TV-dielli filloi transmetimin.

Gjatë më shumë se një vit bisedash, shqyrtimesh, vërejtjesh, analizash, paraprake ishim pajtuar që programi të ishte në shërbim të publikut po se po, por kryesisht i dedikuar për familjet e dëshmorëve të kombit, të martirëve, ish të burgosurve politikë, veteranëve e invalidëve, punëtorëve e fshatarëve,  një program  serioz mbi bazë të trashëgimisë historike, kulturore kombëtare.

Me qëllim të realizimit të amanetit të Bacës, TV-Dielli në programin e vet ditor transmeton nga një film dokumentar në ditë për dëshmorët, heronjtë e martirët e kombit, një emision tjetër ditor mbi jetën dhe veprat e personaliteteve të njohura të historisë, kulturës, arsimit e shkencës shqiptare, kryesisht me karakter edukativ e arsimor.

Emisionin  ditor “Kalendari kombëtar”,  ku përfshihen katër deri gjashtë ngjarje të rëndësishme, ditore,  të së kaluarës, ngjarje historike, nga jeta dhe vepra e personaliteteve  të njohura të kombit, veprimtarë, shkrimtarë, artistë e të tjerë.

Një emision javor,  titulluar: “T’ i njohim popujt e shtetet e botës”, që po ashtu ka karakter arsimor, pastaj reportazhe, emisione informative, muzikë burimore shqiptare, pa tallava, pa lakuriqësi e perversitete.

Po kështu me lejen dhe nënshkrimin e Adem Demaçit kishim blerë 50 filma nga Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar, në Tiranë, me të drejtë të transmetimit legal, por më vonë na u mor kjo e drejtë nga shoqata e regjisorëve, në Shqipëri.

Një emision javor,  bisedë në studio, të cilin e realizojmë jo pa vështirësi meqë TV-Dielli nuk ka të hyra financiare për një staf gazetarësh, por të gjitha këto i mbulon stafi aktual i Radios-Kosova e Lirë.

Më këtë rast, sot,  në 85-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, Simbolit të Rezistencës Kombëtare, i cili do të mbetet i paharruar përgjithmonë, dua të shpalos para jush një të veçantë të projektit të tij, për një televizion në shërbim të kombit e atdheut, pa rënë pre e politikave dhe mujsharëve,  të cilët qëndrojnë prapa medieve të vetëquajtura të pavarura, por të varura deri në fyt nga bosët mëkatarë e matrapazët e pamëshirshëm.

Ashtu sikur Leon Tolstoi, në kohën e tij edhe Demaçi kishte synim të linte një trashëgimi në shërbim të publikut, pa përfitime, por një dhuratë për brezat, me paratë që kishte marrë për kohën e kaluar në burgje, ashtu sikur edhe unë, Jakup Krasniqi e Martin Çuni.

Shkrimtari dhe humanisti i madh Leon Tolstoi, në vitet e fundit të jetës, i rrethuar nga dashamirës e përkrahës, kishte përkrahur idenë, që nga veprat e shitura, të  themelonte një fond me të cilin do të botoheshin dhe do të shpërndaheshin falas, veprat e tij,  në mënyrë që idetë  humaniste të përhapeshin në Rusi dhe kudo në botë. Sëmundja dhe vdekja e tij gjatë largimit nga shtëpia e ndalen në gjysmë projektin, por pavarësisht nga ajo përkrahësit dhe simpatizantët e tij e kishin vazhduar idenë e Tolstoit të madh,   veprat e të cilit janë lexuar e lexohen kudo në botë dhe kanë ushtruar e ushtrojnë një ndikim të jashtëzakonshëm.

Demaçi, me ne që e përkrahëm, jo vetëm verbalisht dhe duke ia rrahur shpinën, sikur bënë shumë të tjerë,   kishim themeluar  një Televizion ne emrin “Dielli”, me qëllim të rrezatimit të ideve humaniste, kombëtare e demokratike, pa censurë, pa ndikime partiake  dhe pa përfitime, meqë kishte planifikuar të mbështetej nga  idealistët, që i kishin premtuar një sasi të hollash, nga ato që kishin marrë si zhdëmtim për vitet e burgut, disa të tjerë i kishin premtuar se do   të punonin falas, por sëmurja e më pas vdekja e tij,  bënë që premtuesit të mos e mbanin fjalën, sepse tekefundit ata fjalën ia kishin dhënë Demaçit, dhe jo atyre që kishin mbetur për ta vazhduar rrugën e tij, në TV-Dielli.

Ashtu si vepra e Tolstoit dhe trashëgimia  e tij letrare, që rrezaton kudo në botë, janë bërë katër vjet, që nën qiellin  e kufizuar dhe të varfër shqiptar, një staf idealistësh, trashëgimtarë të ideve të Demaçit,  po bën përpjekje ta mbajë gjallë amanetin dhe përkushtimin e  tij për unitet dhe unifikim kombëtar, për ruajtjen dhe restaurimin e vlerave kombëtare, kudo në trojet shqiptare, ende të shkapërderdhura e të katandisura…

Për koincidencë si Tolstoi ashtu edhe Demaçi kanë jetuar nga  82 vjet.

Për ditë e fundit të jetës së Leon Tolstoit është  xhiruar filmi amerikan “Stacioni i fundit i Tolstoit”…

https://mojtv.net/film/14280/tolstojeva-posljednja-stanica.aspx

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …