Brickos

Ahmet Qeriqi: Ngjarje të përditshmërisë në rrethana të luftës. E hënë 15 mars, 1999

Ahmet Qeriqi: Ngjarje të përditshmërisë në rrethana të luftës. E hënë 15 mars, 1999

Herët në mëngjes me Fatmir Dugollin dhe Ali Mullinin nisemi në rrugën tënë të përditshme dhe të mundimshme. Te Spitali e kam takuar Reshat Gashin dhe kushëririn e tij Nexhmedinin. Ai ka ardhur nga Shtmja  për të na parë dhe ka shfaqur gatishmëri që të inkuadrohet në frontin e luftimeve. Dini, më bën me dije se është i gatshëm të luftojë, meqë di ta përdor mitralozin dhe ka dëshirë të madhe të luftojë kundër shkive. Ai ka qenë i dënuar për pjesëmarrje  në demonstrata në fillim të viteve të nëntëdhjeta dhe qysh atëherë është i mbushur mllef kundër policisë okupatore.

Së bashku me Fatmirin dhe Ali Mullinin kemi shkuar për ngushëllime te Rrahman Dugolli, një kushëri i Fatmirit të cilit i ka vdekur bija e re, e pamartuar.

Prej aty jemi nisur për në Berishë.

Meqë sot nuk vjen Neziri më duhet të angazhohem më shumë  në sajimin dhe redaktimin e informacioneve në Radio. Për shkak të rrethanave mos duruese, Berati lajmet  e Agjencisë i redakton vetë, ndërsa po të njëjta unë i redaktoj duke ia përshtatur natyrës së punës për transmetim në Radio. Emisionin e kemi përgatitur me kohë.

Në mbrëmje ka ardhur Hilmie Plakiqi, motra e Fehmi Plakiqit nga Nekoci, ish i burgosur politik. Ajo ka ardhur sipas porosisë së Shaban Shalës dhe të Martin Çunit, të cilët qysh herët më kanë propozuar që mundësisht ta inkuadrojmë në radhët tona në Radio apo në Agjenci.

Hilmie Plakiqit, të cilën e njoh qysh prej fillimit të luftës, i bëje me dije se mund të angazhohet në Radio, mirëpo ajo nuk tregon ndonjë gatishmëri të veçantë për punë, meqë konsideron se ka shumë punë të tjera në Batalionin Imer Alushani, ku aktualisht është e sistemuar.

Në mbrëmje ka ardhur Naim Bujupi i Arllatit, mik i Azem Sylës dhe Hysni Sylës. Edhe Naimi ka qenë i burgosur politik. Aktualisht është i inkuadruar në radhët e logjistikës në Batalionin Imer Alushani. Ai, në mënyrë paksa diskrete dhe imponuese ka kërkuar nga unë, që sa më parë të jetë e mundshme ta marr përsipër çështjen sikur e quan ai, të pajtimit të familjes së Jetë Hasanit me familjen e Shemsi Ollurit, i cili e ka vrarë Jetë Hasanin.

E kuptoj se Naimi nuk ka aspak informacione, ndërsa më vjen keq nga mënyra e qëndrimit të tij imponues dhe jashtë taktit normal të bisedimit. Si duket Naimi jeton me një botë krejt tjetër dhe mendon se tani duket të merremi me pajtime gjaqesh. Ai, pa ditur as një rrethanë të vetme të motivit të vrasjes, thjesht kërkon që unë madje qysh nesër këtë çështje, sikur e quan ta kryej pa vonesë.  Duke e parë se toni i tij ishte paksa urdhërues nuk u përmbajta pa ia kthyer me cinizëm, duke i treguar se kam punë të tjera të rëndësishme, se jemi në luftë dhe jo në pajtimin e gjaqeve të kohës së Anton Çettës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …