leoni

Albert Z. ZHOLI: “Psherëtima dhe mall” një kontribut pretendues poetik i autorit, Bardhyl Gjonçaj

Albert Z. ZHOLI: “Psherëtima dhe mall” një kontribut pretendues poetik i autorit, Bardhyl Gjonçaj

Vëllimi poetik “Psherëtima dhe mall” që keni përpara, është  një kontribut pretendues poetik  i autorit Bardhyl Gjonçaj. Në fakt, jo gjithnjë këto ndërmarrje poetike modeste janë njëkohësisht edhe të suksesshme.  Por, në rastin e autorit tonë, si modestia edhe suksesi, janë puqur, janë bashkuar, mbajnë njëri-tjetrin në mënyrë mjaft mbresëlënëse. Kjo, sigurisht, është për t’u përshëndetur.

Poezitë e këtij libri, janë jo thjesht frymëzime, por sidomos ato janë edhe ngacmime të forta e të thella shpirtërore. Në to është jeta, e djeshmja dhe e sotmja, është kujtesa dhe malli, dashuria dhe morali; në to gjen meditim e filozofim, gjen revoltë e rebelim qytetar e njerëzor.

Një ngjyrim të bukur i japin vëllimit poezitë lirike, erotike, dhe ato romantike në përgjithësi. Ato, ngjajnë si një degë e kaltër lumi që derdhet në një lumë tjetër edhe më të madh, më të gjerë e më të zhurmshëm.

Në poezinë “Pa ty” thuhet mes të tjerash: “Ti më je si lot i valë/ Si një puthje që s’harrohet/ Je dëshirë por edhe mall/ Je si yll që përvëlohet…” Duke shëtitur nga poezia në poezi, nga vargu në varg, mund të veçojmë: “Ishin të bukura ato ëndrra pa faj/ Për ne mëkatarët, atëherë fëmijë…” Dhe të merr me vete vala e poezisë dashurore, ndjenjat e pastra, portretet vajzërore mjaft të bukura, me gjetje origjinale sipas shijes së autorit.

Në këtë lumë poetik, shpaloset bukur dhe me një përzgjedhje të goditur ndjeshmëria njerëzore, poezia e qytetit tim, poezia e atdheut, e strehëzës dhe e lagjes së vjetër, e shtëpisë së fëmijërisë e rinisë, që sot rri e kyçur, braktisur në këtë kohë emigracioni… Kjo lloj tematike nuk e lë të qetë autorin, asaj nuk i shmanget dot, madje, ai e ka si detyrim t’i prekë, ti trazojë këto tema që shpesh sot trajtohen si folklorizma…, t’i ringrejë në këmbë e të rimarrë prej tyre krenarinë dhe dinjitetin. Ndërgjegjja poetike, në fund të fundit është po aq edhe kombëtare!

Vështrimi poetik i autorit, zgjerohet bindshëm tek realiteti shoqëror, shpesh i dhimbshëm. Sepse, poezia vërtet që del nga vetvetja, por ajo nuk ka sesi të mbetet thjesht një rrëfim i vetvetes, kur jeta përreth thërret, qan ose qesh. Këtë e ndien sidomos te poezitë “Botë e mbarsur”, “A ka Zot”, “Kur të vdes”, “Përse”, etj. Jo vetëm në këto poezi autori është i drejtpërdrejtë me dhimbjen dhe padrejtësitë shoqërore, por edhe në ato me tematikë romantike, përshkruese-natyre, vërehet një lloj nervi, qëllimi dhe tendencioziteti… Kështu, këto lloj poezish nuk janë thjesht “natyrë e qetë”, por një natyrë që flet, që ngacmon, që provokon dhe lë një mesazh që del përtej  yllit apo hënës, përtej vjeshtës dhe gjetheve të zverdhura…Pra, aludimi me realitetin e përditshëm është më se i qartë.

Dhe këtë prezantim poetik mund ta mbyllim me disa vargje të poezisë “Vjeshtë”, ku autori konkludon: “Qeshu pakëz dhe ti moj vjeshtë/ Leri hapësirë diellit të ndrijë/ Pëlhurën e reve shpërndaje lehtë/ Pëllumbthit të shpresës/ Hapi rrugë të vijë…”

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …