Shefqet Dibrani

Shefqet Dibrani: Poezi

LUFTËTARI – LUFTA dhe LIRIA

(Në ditën e veteranëve)

 

Derisa luftëtari shkonte në luftë

Qentë poshtë lagjes lehnin

 

Mercenarë të tjerë zgërdhiheshin në televizion

Duke kërkuar paratë e mërgatës

 

Kur luftëtari qëndronte në istikam

Sojzitë në pijetore hanin kryet e vet dhe tridhnin qen

 

Me tu kthyer nga Beteja

Luftëtari shkoi për t’i përqafuar fëmijët

Atyre në pjatë për tua sjellë Lirinë?!

Dhe për t’iu treguar se gjymtyrët 

kanë mbetur ndër beteja 

 

Sojzitë qençe u kthyen për ta gllabëruar lirinë

Ngrënë pa bukë kanë, mish e suxhuk përzjer me raki

Dhe kanë bërë gallatë me Veteranët

 

Gurmazi i tyre s’na la gjumë rehat me bërë

As për ta shijuar aromën e lirisë

 

Ne çuditërisht ma shumë iu besuam lehjeve 

Edhe në çastin kur sytë na plasnin para plagës së luftëtarit

 

Kur dhembja dilte nga shpirti i Veteranit

Dikush zgërdhihej edhe në ceremoni mortore

Luftëtaret një nga një i kthyem ndër varre 

 

Edhe veteranët dhe idealin e tyre e varrosëm 

Bile bashkë me luftën që e fituan

Kurse futen e zezë ia qitëm Lirisë  

 

Tash nuk dihet kush lehu e kush luftoi

Kush shtiu e kush tradhtoi

Por u mor vesh se Luftëtari jeton në asistencë

 

Ndërsa NE përditë pështyhemi në fytyrë

Nëpër sallone luksoze të atyre që tradhtuan luftën

Dhe pa pra po i fyejmë Veteranët

 

Tashmë zia ka mbuluar Atdheun e Lirë

Mëngjeset me kanata të hapura

Zbardhin ditët e reja me dhembje të moçme

 

Pastaj ne persëri me kokë ulur

Ia themi lamtumirën edhe një Luftëtari

Dhe vazhdimisht i shajmë Veteranet

 

Kur të kthehemi në pijetore

I gjejmë Veteranët e çmendur 

                       në ditën e tyre

 

Skamje për barna e ilaçe ka Veterani

Ata s’kan as bukë për fëmijë e tyre

Se dashurinë për gruan e jetën i lanë në luftë

Bashkë me gjymtyrët e trupit

 

Thonë se jetojnë të privilegjuar Veteranet

Por banojnë në shtëpi me qira ku pika 

Nga çatia bie si llomotitja për luftën 

 

Sidomos kur rrëfejnë rrejshëm

Sehirxhinjtë e paqes së vrame?!…

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …