Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vijuar organizimin e ciklit të trajnimeve katërmodulare mbi “Menaxhimin e Ciklit të Projekteve (MCP)”, në kuadër të projektit “Forcimi i demokracisë pjesëmarrëse”, i cili zbatohet nga Asociacioni me mbështetjen e UNDP-së dhe financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Në kuadër të aktivitetit trajnues të radhës, që përfshiu dy modulet hyrëse (Moduli 1 dhe 2), u angazhuan përfaqësues nga grupi i dytë i 14 komunave partnere: Shtërpcë, Graçanicë, Junik, Pejë, Prizren, Deçan, Klinë, Dragash, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Mamushë, Suharekë, Skenderaj dhe Prishtinë. Duke ndjekur të njëjtën qasje si në ciklin e parë (Moduli 1), aktiviteti u fokusua në identifikimin e problemeve dhe përcaktimin e objektivave që adresojnë nevojat reale të banorëve, ndërsa Moduli 2 u përqendrua në zhvillimin e projekt-propozimeve, hartimin e aktiviteteve dhe planifikimin e buxhetit përmes përdorimit të Matricës së Kornizës Logjike.
Së bashku po vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet komunave dhe organizatave të shoqërisë civile, duke kontribuar në një zhvillim komunal më gjithëpërfshirës dhe në avancimin e demokracisë pjesëmarrëse.
Programi Rajonal mbi Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD3) financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga UNDP-ja në Kosovë.