Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: Gabriel Escobar do të përcjellë në Shqipëri mesazhin e Rozenbergëve

Besë me Atdheun dhe Amerikën!
Foltoret e Berishës si Pravda e Leninit.
Revolucioni paqësor, konservator i Berishës si revolucioni bolshevik.
Ka disa disa kohë që besa është kthyer lejtmotivi i fjalorit të politikës.
Ai që e ka artikuluar më së shumti këtë fjalë të rëndësishme është Sali Berisha, i cili gjatë jetës së tij e ka nëpërkëmbur e shkelur në mënyrë çnjerëzore këtë thesar shqiptar për utilitarizmin e tij përsonal.
Njeriu që ka bërë betimin e Hipokratit në mjekësi po verteton me sjelljen e tij çdo ditë betimin e hipokritit në politikë.
Me një hipokrizi të papërshkruar, për hallin e vet dhe të familjes së tij po përpiqet t’u miklojë demokratëve e shqiptarëve sedrën e t’i prekë në damarin patriotik e nacionalist me qëllimim e krijimit të një besëlidhje për një betejë “hyjnore” të “shpëtimit” të demokracisë shqiptare nga “pengmarrja”, por plani i tij ogurëzi synon rrëmbimin e opozitës dhe bunkerizimin e saj, për ta përdorur si mburojë në luftën kundër SHBA, për mbijetesën e vet e familjes së tij.
Berisha u drejtohet të gjithë atyre që nuk rreshtohen në një llogore me të kundër Amerikës me një gjuhë linçuese besëprerë, mëkatarë, tradhëtarë, antikombëtarë, pazarxhinjë, të marrur peng, më keni shitur, më keni ngulur thikën pas shpine, ndërsa të gjithë ata që janë në akord me të dhe e mbështesin në marrëzinë e tij quhen guximtarë, misionarë, heronj të demokracisë, të virtytshëm, të devotshëm, atdhetarë, patriotë, nacionalistë.
Në fakt për tre dekada kështu ka vepruar, sa herë ka qënë në hall.
Herë sillet me agresivitet, arrogancë propotencë, me një zhargon intimidues, kanosës, shantazhues duke deklamuar kataklizmën, herë sillet si mesia, i përkorë, paqësorë, sakrifikues deri në vetëmohim, përbashkues me çdo çmim.
Në ligjeratat e tij nëpër foltore spikat si gënjeshtar spektakolarë e mashtrues i paprinciptë.
Por kësaj radhe e ka humbur toruan.
Si dem i tërbuar sulmon në mënyrë të paskrupullt kryetarin legjitim të Partisë Demokratike dhe institucionet e saj.
Kulmin e fushatës së tij denigruese e arriti në Malësinë e Gjakovës nga ku i ekzaltuar deklaroj se do të shpërthej si ortek.
Ditët e fundit e ka shpallur pasuri të patundshme dhe e privatizoj edhe vetë Zotin.
Ai u vetëpagëzua si “Zoti i tokës”.
 “I gjithëpushtetshmi, i gjithëmëshirëshmi” ju drejtua armiqëve, atyre që kanë mëkatuar “blasfemuar” kundër tij: ”shkoni në xhami e lani mëkatet”!
Berisha në përpjekjet e tij sizifiane për të rrëmbyer opozitën po përdor Zotin dhe besën, institucionin e lashtë shqiptar.
Natyrshëm lind pyetja pse Berisha e përdor si armë kryesore në betejën e tij të fundit për mbijetesë besën??!!
Besa, burrëria, nderi janë trinia e shenjtë e të drejtës zakonore shqiptare.
Besa përbën një koncept kulturor që shtrihet prej kodit të fjalës së dhënë dhe në nivel historik me besimin fetar.
Në kulturën shqiptare besa vlerësohet si diçka e shenjtë.
Ajo është institucioni më i rëndësishëm shqiptar.
Besa është kulti i fjalës së dhënë, e cila lidhet në kuptimin mitik, biblik fjalën.
Para se të ishte shkrimi, kontrata ishte fjala e dhënë, besa.
Ajo është testament moral i shqiptarëve qysh prej periudhës mitologjike.
Dy baladat më të çmuara “Rozafati” që  ka motivin e murimit dhe ajo me motiv të ringjalljes “Besa e Konstandinit” deshmojnë motivin e mbajtjes së besës, e cila është trensmetuar brez pas brezi në mënyrë proverbiale:
”Besa e burrit pesha e gurit”,“shqiptarët vdesin dhe besën nuk e shkelin”, “fjalën e dhënë nuk e shkrin as dheu”.
“Konstandini” ynë Sali Berisha, siç ka deklaruar vetë do të ngrihesha edhe nga varri për “shpëtimin” e PD-së, megjithëse ai e pati shpallur largimin përfundimtar nga politika në vitin 2013-të është rikthyer, “ringjallur” për ta rrëmbyer PD dhe për të murosur atë sipas fjalës së dhënë në besëlidhjen e Kotovicës.
Amerika e ka shpallur Berishën familjarisht lucifer, satana, djall, 666.
“Konstandini” ynë i ringjallur për të “ shpëtuar” PD dhe demokracinë nga “pengu”  po lufton në mënyrë tinzare për të rrëmbyer besën shqiptare, privatizuar dhe tërhequr vetë Zotin në luftën me mikun e madh historik të Kombit Shqiptar Amerikën, e maskuar kjo si betejë parimesh për demokraci me Lulzim Bashën.
Edhe më naivët tani e kanë kuptuar se Berisha e ka luftën me Amerikën dhe jo me Lulzim Bashën.
Një shprehje e urtë popullore thotë:
“S’ka çfarë ti bëjë kalit e i bie samarit”.
E ripërsëris edhe njëherë se shqiptarët kanë të shenjtë besën, nderin, burrërinë dhe e çmojnë shumë mikun.
Në kanunin, kushtetutën e parë paneuropiane të rilindasit të parë të jurisprudencës europiane Lek Dukagjinit thuhet:
“Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Në çdo shtëpi shqiptare në dhomën e burrave qëndronin varur në mur pushka, lahuta dhe çiftelia.
Çiftelia është instrument muzikorë tradicional i shqiptarëve.
Ajo ka dy tela.
Prej një shekulli, qysh në Konferencën e Versajës në Paris pas Luftës se Parë Botërore shqiptarët e kanë akorduar çiftelinë me dy tela me Amerikën, e cila e shpëtoj Kombin Shqiptar pa u zhdukur nga harta e Europës, por edhe së fundmi kontriboj në mënyrë përcaktuese për çlirimin e Dardanisë Antike “Kosovës” nga regjimi gjakatar i Millosheviçit.
Prej një shekulli telat e çiftelisë shqiptare tingëllojnë në akord shqiptaro-amerikan.
Njeriu i damkosur nga Amerika si djallë po përpiqet ta prishë këtë akord, por sigurisht që nuk do t’ia arrijë qëllimit, të rrëmbejë besën e shqiptarëve e zemrën e tyre në luftë me Amerikën.
Shqiptarët e kanë parë me zë dhe figurë, audio dhe vidio përfundimin tragjikomik të antiamerikanëve Sadam Hyseni, Gedafi dhe Millosheviçi.
Sali Berisha që u kërkon shqiptarëve besëlidhje sot për të luftuar me Amerikën në rrugëtimin e të tij politik ka deshmuar se e ka shkelur vetë disa herë atë.
Metamorfoza e tij është e qartë e pa ekuivoke.
Pasi ishte betuar si komunist i zellshëm e i devotshëm dhe ishte besatuar me komunizmin si ideologji ëshë konvertuar në antikomunist i tërbuar e “misionar” i demokracisë.
Nga sherbëtor i diktaturës së Enver Hoxhës e Hysni Kapos është shndërruar si me letër lakmusi në “gardian” të lirisë e demokracisë shqiptare.
Ai preu në besë klasat e përmbysura nacionaliste e pronarët dhe me slloganin “bashkëvuajtës e bashkëfajtor” e ligjin 7501 vrau që në embrion demokracinë shqiptare.
Për hir të së vertetës ligjin 7501 e pati propozuar qeveria e Ylli Bufit dhe PD me kryetar Berishën e votoj për interesat e përfitimit të votave në vitin 1992.
Me gjithë kundërshtimin e fortë të Azem Hajdarit deputetët demokratë e votuan, edhe pse ishin koshient që po votonin ligjin famëkeq që i vinte kazmën pronës private, të cilën vetë PD-ja e kishte shpallur të shenjtë.
Jo vetëm kaq, por edhe kur PD erdhi në pushtet nuk e shfuqizoj.
Amnistimi politik e rehabilitimi moral i shërbëtorëve të diktaturës ua dha mundësinë atyre që të marrin peng demokracinë shqiptare prej tre dekadash.
Berisha e ka besëprerjen në gen.
Nëse i referohemi librit të ndjerit Hasan Berishës ai deshmon se Berishajt u përzunë nga trojet e veta në Iballë të Pukës nga Veziri i Shkodrës pas vrasjes në besë të një prifti.
Ata u mallkuan nga Veziri, i cili  kërkoj që familjet shqiptare mos të krijojnë miqësi familjare me ta, mos me u dhënë as mos me u marrë vajzë për nuse.
Pas shpërnguljes, të liçitur erdhën dhe u vendosën në fshatin Viçidol të Gashit në Malësinë e Gjakovës ku dhe u integruan e jetuan në harmoni me familjet vendase.
Vetë Berisha tha jam shumë i lumtur që linda dhe u rrita në Malësinë e Gjakovës dhe u edukova në dhomat e burrave me traditat e saj.
Sa komediane tingëllonin ato fjalë para malësorëve?!
Kur u kujtua Berisha se Tropoja e ka patur emrin Malësia e Gjakovës?!
Kur u kujtua Berisha për vyrtytet e malësorëve?!
Pse nuk reagoj Berisha për filmin “I love Tropoja” të disa matrapazëve që u përpoqën të denigronin vendlindjen tonë dhe të gjithë malësorët fisnikë.
Asnjë fjalë nuk tha ai që komenton për gjithshka.
Sigurisht tani që ka hallin e vet e vlerëson Malësinë e Gjakovës dhe malësorët.
Po, Malësia e Gjakovës për besë, nder, mikëpritje e burrëri është shquar historikisht.
Po cili ishte vlerësimi i besës nga Berisha?!!
Ata që e kanë përkrahur më shumë familjen e tij në Malësi u përpoq t’i fshinte nga faqja e dheut.
U stërmumdua për zhdukjen e një fisi të tërë (Haklajve) pavarësisht kontributit historik për liri, çlirim kombëtar, pavarësi, demokraci, mbrojtjen e institucioneve, ku ranë në fushën e nderit disa prej tyre, por duke i etiketuar të gjithë që kanë trashëguar këtë mbiemer bandë, pa dallim bindjesh politike, ndonëse disa prej tyre kanë qënë mbështetës të fuqishëm të PD.
Kështu  patën vepruar sulltanët e Turqisë që  zhdukën fshatin Sardë “Shurdhahun” në Vaun e Denjës.
Dekleratat e paradokohëshme televizive të z Berisha se Haklajt duheshin vrarë se nuk burgoseshin dot tregojnë formimin dhe brumosjen e tij me filozofinë bolshevike të ekzekutimeve pa gjygj dhe mentalitetin tribal të qeverisjes së shtetarit, ish president dhe ish kryeministër.
Me të njëjtën sjellje ka vepruar edhe ndaj Azem Hajdarit.
Shpesh herë e ka akuzuar si spiun të sigurimit të shtetit.
Hakmarrja ndaj tij nuk ka patur limit.
E ka përjashtuar nga partia dhe e ka përndjekur sistematikisht me agjentët e shikut të tij famëkeq .
Ka deklaruar se sa të vij në pushtet do ta hapi dosjen e Azem Hajdarit por nuk e hapi kurrë.
Tani që është në hall e ka shpallur president nderi duke e keqpërdorur edhe pas vdekjes.
Të gjithë i kemi degjuar deklaratat e tij UÇK- ja është terroriste.
E kemi degjuar thirrjen e tij për të mos firmosur Rambujenë.
E kemi parë teksa puthej  deri në jargavitje me Hashim Thaçin në Rrugën e Kombit, por kemi dëgjuar edhe fjalorin linçues ndaj tij kur ky përfundoj në Hagë.
Sali Berisha vite më parë i kishte thënë Bill Klintonit se Kosova e ka të mjaftueshëm statusin që ka, autonominë, por kohët e fundit e kemi degjuar në dekleratat e tij patetike se e shpëtova unë Kosovën nga ndarja dhe se kjo është arsyeja pse u shpall non grata.
E kemi dëgjuar të shprehet se unë vetëm fb kam e nuk kam qënë në pushtet, atëherë shtrojmë pyetjen me fb e shpëtove Kosovën!?
Ndërkohë shpall arkitektin e ndarjes se Kosovës Grenellin mik të madh të tij.
Kushtu ka vepruar me Xhorxh Sorosin, njëherë e pati shpallur mik të madh të shqiptarëve, kurse sot  armik të Kombit Shqiptar.
Pra shkurt Berisha për interesat e tij sillet si një kamelaon apo një klloun cirku.
Ishte shumë paradoksale deklerata e tij në foltoren e Malësisë së Gjakovës se po të doja  mund ta hiqja shpalljen non grata por vendosa ta çoj në gjygj.
Kjo dekleratë e pacipë i fyen në inteligjencë edhe mbeshtetësit e vet, por atë nuk e vret ndërgjegja aspak.
Nga ana tjetër thotë se unë ka tetë vite që nuk isha në pushtet e kështu shprehen edhe mbështetësit e tij e na kujtojnë kohën dhe e quajnë të pskuptimtë si u shpall tani duke trilluar lloj – lloj alibirash.
Berishës dhe atyre që mbrojnë këtë hipotezë po ju sjell në kujtesë njërin prej baballarëve themelues të SHBA-së.
Ai ishte autori kryesor i Dekleratës së Pavarësisë së SHBA-së dhe presidenti i tretë në vitet 1801-1809 Tomas Xhefersonin.
Para pak ditësh bashkia e New Yorkut e hoqi bustin e tij dhe e futi në kuti dhe e çoj në magazinat e muzeumit për shkak të problemit që i doli me skllevërit pas më shumë se dy shekujsh.
Kjo do të thotë se Amerika nuk i merr leje askujt për mënyrën e investigimit të institucioneve të saj.
Sali Berisha i tretë ka dalë edhe njëherë në treg si fallxhore me një shpikje të re, foltoren e cila është ekuivalente e gazetës Pravda  të Leninit.
“Anteu” ynë flet nëpër foltore si shpëtimtari i demokracisë dhe i kombit shqiptar, me riformatim të së djathtës dhe rithemelimin e PD- së konservatore me revolucion paqësor.
Revolucioni paqësor konservator berishist është imitim i shëmtuar i revolucinit bolshevik të Leninit.
Lejtmotivi i foltoreve është ndjesa për gabimet, premtimet përrallore, kërkesa e vazhdueshme për besim e besëlidhje.
Pyetja lind kush kërkon besë?!
Sigurisht ai që nuk e njeh atë dhe është i pabesë vetë!
Besëlypja është në karakterin e frikacakëve.
A jam në besën tënde janë lutur gjithmonë frikacakët.
Guximtarët kanë një besëlidhje me Atdheun dhe Amerikën aleatin tradicional të Kombit Shqiptar.
A do ti besojnë më shqiptarët Sali Berishës??!
Sigurisht që jo.
Shqiptarët tashmë janë të bindur se ai është konstruktori i regjimit autokrat si garanci e vazhdimit të sundimit të pinjollëve të familjeve që i kanë shërbyer me zell regjimit diktatorial.
Shumica e demokratëve e kanë bojkotuar e nuk do ta mbështesin në lojën e tij djallëzore të dhjetorit të dytë, “rilindjes” se PD-së konservatore për të rilindur Berishën e tretë, duke fetishizuar 11- të dhjetorin si ditën më të madhe në tërë historinë e Kombit Shqiptar.
Sali Berisha ka ftuar rreth vetes edhe disa sharlatanë politikë, drejtues të disa partive fantazma dum- dumesh që kanë mbi dy dekada që mbijetojnë duke merrë mandatin e deputetit në emër të PD-së, dhe shpresojnë e besojnë se kësaj radhe përfitojnë nga foltorja, por edhe këta parazitë po e mbyllin në mënyrë komediane karrierën e vet politike.
Nostalgjikëve e dumbabistëve që deklamojnë herë pas here mbështetjen  e Berishës në foltore dhe që nuk pranojnë vdekjen klinike politike të idolit të tyre do të ju sjell në kujtesë filmin amerikan:
“Rozenbergët s’duhet të vdesin”!.
Historia është krejt e thjeshtë.
Një çift amerikan patën shitur tek rusët sekretet e bombës atomike në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë gjykimit të tyre i gjithë opinioni publik amerikan u ngrit atë kohë në këmbë për tu falur jetën, por gjykatësi i shpalli fajtor dhe vendosi denim  me vdekje në karrikën elektrike.
E solla këtë shembull  për t’ua bërë të qartë mosbesuesëve se dielli i Berishës dhe i Berishizmit ka perënduar sepse motivi i shpalljes non grata të Sali Berishës është shumë i rëndë dhe i pakthyeshëm.
Pikërisht për të përcjellë në Shqipëri këtë mesazh po vjen Gabriel Escobar.
Ai po sjell mesazhin e Rozenbergëve.
Epilogu i Berishës është pa lavdi, i shpallur non grata nga kampioni i lirisë dhe demokracisë botërore dhe së fundmi i damkosur si enverist prandaj demokratët shqiptarë kanë një besë me Atdheun dhe Amerikën.
Nuk e shpëton dot fallxhorja, as çeta e fesbuksave që përpiqen të linçojnë demokratët, as foltorja Moska e Kastriot Myftarajt zëdhënëse e Lubjankës.
Epoka e tij dhe e Berishizmit ka marrë fund.
Absolutizmi po jep shpirt.
Epoka e re demokratike po lind.
Me dt 18-të dhjetor rilind demokracia shqiptare, rilind PD, partia misionare e kombit, gardiane
e lirisë dhe demokracisë.
Një parti- një kuvend.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …