Bahri Ferat Kuçi ( 5. 4.1971 – 11. 3.1999)

Bahri Ferat Kuçi ( 5. 4.1971 – 11. 3.1999)

Bahri Kuçi u lind më 5 prill të vitit 1971, në fshatin Lugmir (Dalak) të komunës së Vushtrrisë. Rrjedh nga një familje bujare, punëtore e mikpritëse, me tradita patriotike. Babai i dëshmorit,baca Ferat, ishte një burrë i urtë, e gojëmbël, i nderuar e respektuar në çdo mes. Ishte punëtor dhe shumë i respektuar në kolektivin e hekurudhave të Kosovës, ku punonte. Nënë Nuria, ishte grua fisnike e punëtore, ajo rriti djem e vajza të sjellshëm e të edukuar mirë. Ishte me prejardhje nga familja atdhetare Mehana e Akrashticës. Bahriu u rrit, u edukua, e u arsimua në rrethana të jashtëzakonshme për Kosovën.

Sepse vitet 80-ta e 90-ta ishin përplot me demonstrata, greva e protesta, në të cilat rinia dhe populli i Kosovës po kërkonin liri, barazi, arsim, punë e zhvillim, si gjithë republikat tjera Jugosllave.

Këto kërkesa shumë të drejta, u shtypën me dhunë, me hekur, me gjak, e me burgje të rënda për rininë dhe për popullin e tonë. Për më keq në vitin 1989 Kosovës ia hoqën dhe atë autonomi që e kishte fituar përplot me sakrifica. Gjatë tërë kësaj kohe Bahriu ishte nxënës i shkollës fillore dhe të mesme në shkollat e Vushtrrisë, dhe nuk kishte se si të mos mbushej me urrejtje nga veprimet kriminale të okupatorit serbo-sllav, i cili nuk lente mjet e metodë pa përdorur për të nënshtruar rininë dhe popullin Shqiptar. Bahriu e përjetonte tepër rënd këtë padrejtësi e racizëm antishqiptar i cili shkoi deri te helmimet e mijëra nxënësve dhe mbylljen e shkollave tona amtare.

Bahriu nuk kishte se si të mos frymëzohej dhe nga shembulli heroik i rinisë dhe punëtorëve tonë, në këto demonstrata,greva e protesta popullore. Ishte  i etshëm të dëgjonte dhe të lexonte për historinë tonë kombëtare, për luftërat e të parëve tanë për Liri e pavarësi Kombëtare. E pëlqente muzikën popullore e patriotike, heroizmat e atdhetarëve e dëshmorëve tanë, të përjetësuar në libra,në filma e drama të cilat i dëgjonte,i lexonte ose i shihte kur e kur në radio e televizione.

Bahriu kishte një trup prej atleti, i pashëm e syshqiponjë, i butë e i ëmbël për mikun, por i ashpër e i pa kompromis me armikun.Duke e ndjerë erën e luftës së pashmangshme, ai së bashku me disa shokë, që heret kishin filluar përgatitjet fizike e ushtarake në Qyqavicë e në Shalë të Bajgorës.

Epopeja e Jasharëve në Prekaz, Bahriun e gjen në detyrën e vëzhguesit. Me këtë rast, ai me shokë, angazhohet për strehimin dhe kujdesin për familjet e zhvendosura nga flaka e luftës në Drenicë.  Në mars të vitit 1998, Bahriu bie në kontakt me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj më 05.04.1998,inkuadrohet në radhët e UÇK-së,prej kur dhe e ka mbajtur nofkën “Luani”. Bahriu, fillimisht u aktivizua në Njësitin Special të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, e cila atëherë ndodhej në fshatin Trimor (Zhilivodë).

Bahri Kuqi, në qershor të vitit 1998,ka marr pjesë në Betejën e Hamidisë, në të cilën forcat policore-ushtarake serbe pësuan humbje të mëdha, si në njerëz ashtu dhe në teknikë luftarake.

Më 2 korrik 1998, së bashku me dhjetë ushtarë të këtij njësiti, kaluan kufirin Shqiptaro-Shqiptar për t’u furnizuar me armatim. Në të kthyer, te Rrasa e Zogut (Junik),ata bien në pritë, me ç’rast bie dëshmori ynë Ramadan Fazliu, ndërsa u plagosen: Isa Istrefi, Sadri dhe Hazir Kuçi.

Bahriu me shokë sërish nisen për në Shqipëri, mirëpo në Junik, hasin në shokë të vrarë e të plagosur, prandaj detyrohen të kthehen.

Pas riorganizimit të UÇK-ës,në ZOSH-ës,në vjeshtë të vitit 1998 emërohet Komandant Skuadre, pastaj Komandant i Togut të III të Kompanisë së II-të, të Batalionit II të Brigadës 142, detyrë, të cilën e kreu me sukses të plotë.

Unë ruaj një kujtim të paharruar, i cili dëshmon se Bahriu, prioritet e kishte luftën për Liri e jo gradat. Prandaj ai para se të emërohej komandant, u konsultua me mua, duke më thënë:” Profesor, unë nuk bëhem komandant para teje ”!

Ti meriton të jesh Komandant, i thash, por për ta bindur, improvizova   se unë isha ngarkuar me një detyrë të re pranë Shtabit të ZOSH-ës.

Megjithatë, dhe pavarësisht detyrave të ndara,ne nuk jemi ndarë asnjëherë, nga fronti i luftës. Ne jemi strehuar, jemi ushqyer, kemi fjetur e kemi luftuar së bashku dhe deri në fund.

Luftimet ishin të përditshme,e të ashpra, armiku, kundër UÇK-ës, po përdorte taktikën e egër të “patkoit” dhe armët më moderne të kohës.

Më 22 shkurt 1999, Bahriu, mori pjesë aktive në betejën e lavdishme në mes të Kompanisë së II-të, të Batalionit të II-të,të Brigadës 142,të ZOSH-ës,të pozicionuar në Kurriznin e fshatrave : Shtruerë, Lugmir, Akrashticë, Bukosh dhe Liqenjë, të sulmuara nga forcat serbe të cilat po vinin nga Vushtrria. Ndërsa luftëtarët e Njësisë Speciale të ZOSH,  ishin pozicionuar në Pantinë, prej ku po përballeshin me forcat armike të cilat po vinin në prapashpinë nga Mitrovica dhe Frashëri. Kjo ishte beteja e parë frontale, ku forcat serboçetnike, patën pësuar humbjen më të rëndë dhe të papritur.

Në këtë betejë, ne kemi pasur tre luftëtarë të plagosur lehtë (Sheshivar Shala, Mirvete Hasani dhe Qazim Shala), dhe një civil (Hasim Pllana) të cilit, ndihmën e parë, ia ka dhënë Bahri Kuçi. Nga ana tjetër, autoambulanca armike ka lëvizur pa u ndalur, armiku u detyrua të tërhiqej me humbje, në ushtarë dhe teknikë luftarake. Pas tërheqjes së forcave serbe, unë personalisht kam shkuar, në pozicionet e tyre, dhe kam gjetur shumë fasha të përgjakura.

Pas kësaj beteje shumë të suksesshme për ne,armiku solli përforcime të mëdha teknike e ushtarake, prandaj, edhe luftimet u intensifikuan shumë, ato ishin më të ashpra dhe të përditshme, prandaj forcat tona u vendosën kryesisht në mbrojtje të Ashlanit (Shtabi i ZOSH-ës), Balincit, Gurakuqit, Pirqit etj. Kompania e II-të,ku ishim të sistemuar sidomos ne luftëtarët e fshatërave,Pantinë, Shtitaricë, Dalak, Bukosh, Liqenjë dhe Akrashticë, ishim pozicionuar në krahun e djathtë të Sukut të Ashlanit, nga ana e Balincit. Meqë Ashlani ishte djegur i tëri, që në ofensivën e Shtatorit 1998,ne e kishim shumë problem edhe strehimin dhe gjumin e natës. Prandaj ne luftëtarët e kësaj Kompanie,natën e bënim në lagjen Pllana,të Balincit,e cila ishte shumë afër pozicioneve të forcave serbe. Sepse ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Ne ishim të sigurt se forcat serbe, natën nuk lëviznin dot nga vendi, mirëpo rreziku ishte se ato, gjuanin edhe natën,bile dhe me armë të kalibrave të rëndë. Vetëm fati na ka shpëtuar, sepse predhat nuk patën qëlluar asnjëherë në shtëpitë (pa pllaka) ku flinim dhe pushonim ne. Gjatë kësaj kohe,unë, Bedri Pllana dhe Bahri Kuqi kemi fjetur në të njëjtën dhomë. Mbase në momente para flijimit, dëshmorët e ndjejnë orën e lavdisë,prandaj dhe flasin,lënë ndonjë fjalë a porosi që të ngulitet dhe nuk të hiqet dot. Kështu,ka ndodhur dhe në natën mes 10 e 11 Marsit,kur Bahri Kuqi,në prezencën time dhe të Bedri Pllanës ka thënë : “Për të gjallë timin, këmbë shkau, nuk do të shkelë në Sukën e Ashlanit”. Dhe vërtetë ashtu dhe ndodhi.

Më 11 Mars 1999,po zhvillohej një luftë frontale tepër e ashpër, pozicionet tona po mbuloheshin me tym e flakë, armiku po përdorte armët më të rënda, sidomos minahedhësit, të cilët po qëllonin pa ndërprerë, përgjatë pozicioneve tona,sepse ata,sigurisht po merrnin dhe koordinatat e sakta nga aeroplanët e tyre vëzhgues.  Po këtë ditë, pozicioni i Bahriut me shokë u godit nga një detonim i rëndë, predhat e të cilit e goditën trupin e “Luanit”,të Bashkim Shalës dhe të Lulëzim Zeqës. Mirëpo plaga e Bahriut ishte më e rëndë, ai pati fatin të bie heroikisht dhe në vijën e parë të frontit.

Emri i Bahriut, atë ditë  iu shtua listës së lavdishme të dëshmorëve të kombit, duke u futur përjetësisht në altarin e Lirisë dhe të historisë tonë më të re, të një lufte e cila si rrallë herë në historinë tonë kombëtare u kurorëzua me fitore, dhe me dëbimin e okupatorit serb nga Kosova.

Në orët e pas drekës së 11 marsit 1999, trupi i Bahriut të rënë, dhe luftëtarët e plagosur, u tërhoqën nga vendi i luftimeve, nën breshërinë e gjuajtjeve dhe granatimeve serbe.

Gjatë tërheqjes së tyre kemi qenë: Unë, Enver Oruqi, Met Shyti Bedri Pllana dhe Njësiti për Evakuim. Në mbrëmjen e po kësaj dite,të plagosurit u vendosën në spitalin tonë ushtarak,ndërsa trupi i pa jetë i dëshmorit Bahri Kuçi u varros me nderime të larta në varrezat e Ashlanit.

Nuk mund të mos e përmend dhe një moment tjetër, të veçantë dhe emocional për mua. Ne kishim shkuar për t’i tërhequr shokët, ndërsa luftëtari, Bashkim Shala, edhe pse i plagosur dhe në momente të rënda për jetën e tij, kur më pa mua, arriti të fliste dhe m’u drejtua me këto fjalë: “Prof.,të lutem ik ti, mos të zënë bile ty”. Kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi, i thash dhe, se as ju e as ne, nuk do të biem në duart e armikut.

Prandaj ishte një ndjenjë e veçantë, dhe motivuese, kur një bashkëluftëtar i ri, i plagosur rëndë, donte t’ më kursente mua, sepse e dinte se unë me familjarë ishim të përndjekur dhe se kishim përjetuar burgjet e rënda serbe. I veçova disa detaje të cilat besoj se sadopak e kompletojnë personalitetin e dëshmorit, Bahri Kuçi me shokët tanë. Prandaj unë i lus bashkëluftëtarët tanë, që ruajnë kujtime a detaje për shokët e luftës, e sidomos për dëshmorët, t’i evokojnë ato,ose t’i shkruajnë në kujtimet e tyre. Veçmas, duhet të jemi të kujdesshëm, kur punohet ndonjë dokumentar televiziv,ne duhet t’i intervistojmë bashkëluftëtarët më të afërm (sa janë gjallë), përndryshe edhe dokumentarët, edhe botimet eventuale mund të na dalin të mangët,e të pa kompletuar, për dëshmorët dhe për luftën tone të lavdishme çlirimtare. Sepse lufta jonë ishte vërtetë heroike dhe e lavdishme.

Ne kemi ç’ka të flasim,të shkruajmë e të dëshmojmë për luftën e për dëshmorët, sepse kemi qenë këtu, së bashku me popullin. Ne krahas luftimeve tepër të ashpra, jemi angazhuar dhe në çështje civile. Kemi strehuar e kemi ushqyer, me mijëra qytetarë, gra e fëmijë,pleq e plaka, të lodhur e të sfilitur, të lagur e të mërdhirë, të cilët armiku i kishe maltretuar,duke ecur këmbë deri në kufirin shqiptaro-shqiptar, e pastaj i kishte kthyer prapa.

Ne, krahas luftës tepër të ashpër dhe të pabarabartë, kemi arritur të rrëmbejmë, me tonelata miell, mu para hundëve të armikut, kemi arritur që të aktivizojmë dhe mullinj elektrikë, në Shtruerë, në Dalak e në Ashlan, kemi bluar e kemi furnizuar me miell, me mijëra banorë,sepse këtu në fshatin tonë (Shtruerë) edhe oborret ishin të mbushura me të zhvendosur. Nuk ka qenë e lehtë që në ato rrethana,të gjeje mulli elektrik,e të bluaje drith këtu në Shtruerë e në Dalak,dy km larg forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, të siguroje shtyllat dhe me kilometra tel, nga Shtruera e deri te lagjja e Baralive në Lugmir (Dalak).

Asnjë familje, a individ nuk e kemi lënë të vuajë për bukën e gojës. Ka qenë tepër prekëse kur vinte familjari,e të kërkonte dy grushta miell, për fëmijët. Gjithashtu ishte ndjenjë e veçantë, kur ne arrinim të siguronim miell dhe patate për të gjithë pa dallim, duke mos i kthyer duarthatë.

Shumica e këtyre djemve, luftëtarëve trima të Lirisë i kemi këtu,i shohim dhe mbase dhe nuk i vlerësojmë sa e si duhet. Bedri, Jeton, Lavdim, Feim Pllanën, Bedri, Enver, Islam,Avdi, Akil,  Sejdi, Arben, Nazmi, Fitim Osmanin, Shukri, Fahri e Kadri Mehollin, Mirvete e Fadil Hasanin, Sadri e Hazir Kuqin, Faton Lahun, Shefki Dushin,Adnan Hajrizin, Meriton Ramën etj.

Më 1 shtator 1999,me nderimet më të larta u bë rivarrimi i të gjithë dëshmorëve të komunës së Vushtrrisë, në fshatin Bletajë.

Pesë muaj pas rënies së dëshmorit, Bahri Kuqi, më 2 gusht 1999, së bashku me Lirinë e Kosovës lindi dhe Liria, vajza e dëshmorit,e cila tashmë është rritur dhe është në fund të studimeve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.  Tani emrin e dëshmorit, e mban me krenari, shkolla fillore “Bahri Kuçi” në Shtruerë.   Ndërsa në oborrin e shkollës shkëlqen madhështor busti i dëshmorit.

Me emrin e Bahriut janë emërtuar rrugë në qytet e në fshatra. Ndërkaq, portreti i Bahriut është i skalitur dhe në lapidarin e qytetit të Vushtrrisë, së bashku me të gjithë dëshmorët tjerë të komunës së Vushtrrisë.

Familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, si dhe nga KK i Vushtrrisë.  Është shumë mirë që emrat e dëshmorëve i kemi skalitur në emërtime të rrugëve, shesheve, objekteve shkollore, kulturore etj. Për fund, unë kisha dhe një kërkesë ose sugjerim, për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve,për kolektivin e Shkollës Fillore “Bahri Kuqi”, që të angazhohen për gjetjen e mjeteve financiare, qoftë nga Kuvendi Komunal, qoftë përmes donacioneve të ndryshme, për ndërtimin e bustit të dëshmorit Ramadan Fazliu, sepse edhe qëllimi,edhe rënia e tyre ka qenë për të njëjtin ideal-Lirinë,Pavarësinë dhe Bashkimin Kombëtar. Prandaj dhe duhet të jenë pranë e pranë. Do të ishte mirë që të mendohet, që edhe përvjetorët ose jubiletë e tyre të organizohen për të dy së bashku ose për secilin veç e veç,dhe sipas datës së rënies së tyre.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit: Bahri Kuçi e Ramadan Fazliu.

Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit!

(Xhemail Pllana)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …