valamobile
akp deri me 23 janar
kek baner i ri
mbpzhr 2018
Fillimi / Dëshmorët / Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 – 14.12.1998)
Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 - 14.12.1998)

Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 – 14.12.1998)

Bashkimi lindi në fshatin Zllakuqan, në kompleksin pyjor të Blinajës. Ishte i biri i Azemit dhe i nënë Fatimes.

Mësimet e para i mori në fshatin Ilirian (ish-Ribar i Madh) të komunës së Lypjanit. Shkollën e mesme e mbaroi në një shtëpi-shkollë të fshatit Dobrajë, paralele e Qendrës Shkollore të Lypjanit Bashkimi qysh në fëmijëri shpreh dashuri të zjarrtë për armë.

Ishte vetëm 16-vjeçar, kur me një shok të tij të fshatit rregullon me kujdes një pushkë të vogël të gjuetisë, duke e pajisur me një mekanizëm të fortë dhe funksional.

Me pushkën e tij, të cilën e mbante fshehur nga babai dhe familja, kishte kryer edhe qit jen e parë dhe kishte goditur në shenjë. Prova e punës së tij ishte realizuar me sukses. Kishte realizuar ëndrrën e tij rinore për t’ u pajisur me pushkë, e vetmja pasuri e vlefshme në kohën e robërisë.

Mirëpo UDB-ja, e cila e kishte shtrirë kudo rrethin e denoncuesve, i kishte rënë në gjurmë edhe armës së Bashkim Krasniqit.

Duke treguar për ditën kur policia serbe, në pranverë të vitit 1993, kishte ndërhyrë në shtëpinë e tij, babai i Bashkimit, Azem Krasniqi, rrëfen: “Isha duke ndenjur në shtëpi kur më lajmëruan se policët serbë kanë hyrë në oborr. Në pyetjen time se çka kërkonin, ata më treguan se donin të takonin Bashkimin. Në fillim mendova mos i ka ndodhur djalit ndonjë e papritur, mirëpo ata ndërkohë më treguan qëllimin e intervenimit. Duke qenë se Bashkimi nuk ishte në shtëpi, ata u larguan. Ndërkohë njëri prej tyre më urdhëroi që të nesërmen së bashku me Bashkimin dhe pushkën e tij, të paraqiteshim në stacionin e policisë në Lypjan”. Në fillim Bashkimi nuk kishte pranuar se ka pushkë. Ai mohonte dhe nuk donte t’ia dinte për policët. Mirëpo, pasi babai i tregon se në rast të tillë, policët do ta merrnin dhe do ta torturonin babanë në vend të tij, meqë Bashkimi ishte i mitur. I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për situatën, më në fund, Bashkimi bindet dhe pranon.  -E rregulloj edhe tjetrën -, iu kishte thënë prindërve, duke shprehur urrejtje për policët, por edhe ngushëllim për vetveten, i bindur se pushkën sërish do ta rregullonte.

E mori pushkën, të cilën e kishte fshehur te një shok i tij, dhe të nesërmen së bashku me t’ atin e dorëzuan në stacionin e policisë. Edhe pse i kërcënuan dhe i përbuzen, nuk i maltretuan. Mirëpo pas tri ditësh policia sërish troket te dera e shtëpisë së Bashkim Krasniqit. Kësaj radhe kërkuan një pushkë tjetër dhe një revole. Familja ishte vënë në shënjestër, ndërsa babai i Bashkimit, Azem Krasniqi, i kishte sugjeruar të birit që të shkonte në Gjermani, ku ishte edhe vëllai i Bashkimit, Dalipi.

Gjatë rrugës së tij ilegale për të arritur në Gjermani Bashkimin e arrestojnë në Hungari, ku qëndron dy muaj në burg. Pasi ishte liruar, sërish bën përpjekje dhe arrin të shkojë te vëllai i tij në Gjermani.

-Në vjeshtë të vitit 1993 erdhi tek unë, thotë vëllai i Bashkimit, Dalipi. Nuk kishte punë dhe mërzitej pa masë. Një ditë më tha: – “Nuk rri më këtu! Po më duket vetja si në burg! Do të kthehem në Kosovë dhe le të bëhet çka të bëhet edhe me mua si me të gjithë të tjerët”.

Në fillim të vitit 1994 ik nga Gjermania dhe vendoset në vendlindjen e tij të dashur, në Zllakuqan të komunës së Lypjanit. Kontakti me familjen, me shokët dhe me bregoret e gjelbëruara të Blinajës, Bashkimit sërish ia nxisin dëshirën e pashuar për ta rregulluar pushkën tjetër. Kishte parandjenja se arma i duhej, ashtu sikurse edhe buka, meqë asokohe kryheshin ilegalisht aksione kundër policisë serbe. Kishte besim se ato sulme i kryenin vetë shqiptarët liridashës, e jo sikur flitej nëpër oda e kafene se këto vepra i kryente dora sekrete serbe. Pa vonuar kishte rregulluar armën tjetër, por kësaj radhe nuk i kishte treguar askujt. Pushkën e kishte përsosur me një mekanizëm klasik. E ruante me fanatizëm, për të mos ia diktuar askush. Ishte vetëdijësuar se për armën deri në kohën e duhur nuk duhej t’ i tregonte askujt.

Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, Bashkim Krasniqi merr frymë lirshëm. Ëndrra e tij e kahershme po bëhej realitet. Ai ishte burrëruar para kohe. E kishte armën dhe ishte i gatshëm t’ iu bashkohej radhëve çlirimtare.

Me rastin e zgjerimit të pikave të UÇK-së në Drenicën jugore, e cila përfshinte asokohe edhe disa fshatra të Lypjanit, Bashkim Krasniqi shkon në Krojmir dhe kontakton me Ramiz Qeriqin, i cili qysh në mars të vitit 1998 ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së. Fillimisht angazhohet në njësitin e Krojmirit së bashku me Ramadan Elshanin, Përparim Qeriqin e shumë të tjerë. Përveç detyrave me të cilat e ngarkonte Ramiz Qeriqi, Bashkimi merr pjesë edhe në punët rreth rregullimit të bunkerëve në Zborc e Carralevë.

Pas ofensivave të verës, të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, Bashkim Krasniqi sistemohet në batalionin “Ruzhdi Salihu” të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Asokohe ka operuar në fshatrat e Blinajës, si në Zborc, Carralevë, Pjetërshticë, Dukë, Krojmir e Karaçicë. Duke qenë se ishte shtathedhur dhe kishte kondicion të fortë fizik, Ramiz Qeriqi ia beson mitralozin e rëndë.

-Prej ditës kur u vesh vetëm dy herë ka ardhur në shtëpi, thotë nënë Fatimja dhe shton: ‘Herën e fundit i mori pesë palë çorapë të leshta, të cilat i kisha thurur për të dhe për shokët e tij.

Natën e fundit ka qenë së bashku me Ramadan Elshanin, thotë nëna e tij, duke evokuar kujtime për të birin dëshmor.

Në tetor të vitit 1998, Bashkimi së bashku me një grup vullnetarësh niset për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion. Gjatë vajtje-ardhjes nuk kishin pasur probleme dhe brenda javës ai kthehet në Kleçkë me armatim dhe uniformë të UÇK-së. Ai kishte sjellë tri palë uniforma, dy kallashnikov, disa predha dhe një mortajë dore.

Pasi ishte treguar i vëmendshëm dhe korrekt në rrugëtim, më 3 nëntor të vitit 1998, së bashku me Isë Ollurin, Ramadan Elshanin, Xhelë Xheladinin, Naser Kelmendin, Arben Hysenin, Hafir Bajramin e shumë të tjerë, niset sërish për në Shqipëri. Atje së bashku me shumë luftëtarë të tjerë të lirisë, Bashkimi kryen edhe stërvitjet ushtarake, sado që ishte aftësuar edhe në frontet e luftës çlirimtare.

Më 13 dhjetor ishte në mesin e 143 luftëtarëve të lirisë, të cilëve iu printe komandant Mujë Krasniqi.

Në mëngjesin e acartë dhe me dëborë të madhe të 14 dhjetorit, luftëtarët e lirisë bien në pritën e parapërgatitur të forcave ushtarake dhe policore serbe, në vendin e quajtur Te Likenet e Hasit, në rajonin e Gorozhupit të Prizrenit. Bashkim Krasniqi dhe Ramadan Elshani, Mentor Ibriqi e të tjerë ishin në radhët e para. I godet murtaja armike dhe ata bien duke luftuar trimërisht dhe heroikisht.

Atë ditë bien 36 dëshmorët të lirisë, në ballin e tyre edhe komandanti emblematik i UÇK-së, Mujë Krasniqi.

Trupin e pajetë të dëshmorit të kombit Bashkim Krasniqi, bashkëluftëtarët e varrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac, në Drenicë. Atje prehet në amshueshmëri në mesin e dëshmorëve të tjerë.

Ishte kurdoherë buzagaz, i çiltër, i pastër dhe i freskët, i dashuruar para së gjithash, në armën çlirimtare.

Babai Azemi, nëna Fatime dhe tërë familja ruajnë kujtimin për birin e tyre të dashur si dhe pushkën, të cilën e kishte punuar me mjeshtëri.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Murat Mujota (26.8.1939 – 15.1.1999)

Sadik Murat Mujota (26.8.1939 – 15.1.1999)

Reçaku, Mallapolci, Petrova e Belinci luftës për çlirimin e trojeve shqiptare  i kanë dhënë shumë ...