Bedri Islami: A do ta mbarojë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mandatin e tretë?

Qeveria Rama, pas më shumë se 10 viteve në pushtet, për shumë kënd është para dy rrugëve: ose të bjerë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme të kërkuara nga vetë Rama, ose të reformohet tërësisht, jo vetëm si përbërje, por edhe si vizion racional politik, për t’iu përshtatur, më në fund, asaj çfarë përfaqëson e majta progresive.

Rruga e parë të çon në dilemën nëse numri do të vendosë mbi mendjen. Qeveria e tanishme i ka të gjithë numrat e nevojshëm parlamentarë për të qeverisur, për të vazhduar mandatin e saj, dhe, përtej kësaj, përballë vetes gjendet një opozitë e telendisur, e ndarë në shumë pjesë, ku, të gjitha pretendojnë se janë opozita e vërtetë. Në fakt, nuk është asnjëra prej tyre.

Disa nga ngjarjet më të rënda, të lidhura me qeverisjen dhe mos arritjet e pritura të saj, janë mbledhur ortek kohët e fundit. Hetimet e hapura ndaj djegësve, arrestimet e disa zyrtarëve të mesëm, të lartë dhe shumë të lartë, largimi nga Shqipëria i numrit 2 të qeverisë Rama, njeriut që ka pasur në duart e tij portofolat e disa dikastereve më të rëndësishëm, hetimet për koncesionet në fushën e shëndetësisë, arrestimet e disa biznesmenëve të njohur, të lidhur me figura të ndryshme të së majtës, të fshehtat që ende janë në përgjimet e ardhura nga institucione ndërkombëtare, përfolja e të tjerëve, ritmet që nuk janë të duhurat, të gjitha këto, së bashku apo veç e veç, kanë sjellë një mjedis të rënduar.

Shumë mendojnë se kalimi në zgjedhje të reja të parakohshme është një zgjidhje. Rama vetë, por edhe detashmenti pranë tij, jam i bindur se nuk duan zgjedhje të reja politike.

Në më të shumtën e rasteve vazhdon të jetë versioni shvejkian se faji është individual dhe jo kolektiv. Vetë shefi i qeverisë, disa herë, ka bërë të qartë se e majta në pushtet nuk është kapota mbrojtëse e atyre që shkelin ligjet, që bëhen pjesë e korrupsionit, apo, edhe më tej, kthehen në oligarkë politikë e financiarë në të njëjtën kohë.

Ngjarjet e ndodhura ndërkohë kanë dëshmuar dy gjëra të rëndësishme:

E majta nuk është mbrojtëse e asnjë delikti apo të atyre që qëndrojnë pas tyre. Megjithëse duket akt seleksionues i SPAK-ut rendja pas figurave të qeverisjes, vetë qeveria apo shumica parlamentare nuk i ka penguar organet e drejtësisë për të vepruar.

Ka reaguar përmes deklaratave politike, por pa ushtruar trysni. Në asnjë rast nuk ka pasur ndërhyrje, kanosje, thirrje për linçim të strukturave të sistemit të drejtësisë. Nëse vetëm njëra prej tyre do të kishte ndodhur disa vite më parë, sidomos në mandatin e dytë të qeverisjes Berisha, ku skandalet politikë dhe financiarë ishin të përbindshme dhe askush nuk u dënua, do të kishim përsëritje të asaj që ka ndodhur: linçim politik, krijim dosjesh, kërcënime të strukturave të drejtësisë, duke i bërë disa nga prokurorët e rasteve të veçanta të merrnin arratinë.

Ose, më tej se kaq, duke marrë haptas në mbrojtjen e të parit të qeverisë simbole të korrupsionit dhe shkeljes së shtetit figura të rëndësishme, si ishte dikur numri 2 i qeverisë Berisha, Ilir Meta.

Së dyti, megjithëse është dukur se e gjithë opozita është rreptësisht kundër reformimit të sistemit të drejtësisë, ende, edhe sot e kësaj dite, një pjesë e rëndësishme e këtij sistemi, edhe brenda SPAK, duket mbështetëse e opozitës. Tashmë ky teatër është i qartë për cilindo,  gjithçka është kaq e hapur.

Ndryshe nga të tjerë unë mendoj se Edi Rama nuk i do zgjedhjet e parakohshme politike, kjo është e qartë. Dy vitet që ka para vetes i duken të mjaftueshme për të ndryshuar shumë çka në politikën e tij.

E çuditshme është që edhe vetë opozita nuk i do zgjedhjet e reja dhe as rënien e tanishme të qeverisë Rama. Nuk i do ndoshta edhe më shumë nga vetë qeveria. Opozita kërkon të ndezë gjakrat, të nxitë dhunën, të mobilizojë çfarë i ka mbetur, të protestojë, të përleshet, të ketë viktima, por jo të kalojë në zgjedhje të reja. Është gjëja e fundit që mendon.

Megjithëse ka në sloganin e saj rrëzimin e qeverisë, asaj i duhet që kjo qeveri të mbahet në këmbë, të mos bjerë, të vazhdojë të gërryhet nga brenda, deri sa pushteti të bjerë, gjithnjë në mendimin e saj, si një fik i pjekur në prehrin e opozitës. Askush më mirë se sa vetë opozita nuk e di se zgjedhjet e reja në këtë moment do të ishin dita e kobit të opozitës. E ndarë dhe e rindarë, e copëzuar dhe e ri copëzuar, ajo nuk mund të fitojë në zgjedhje, as të ndarë, dhe, as nëse bëhet një mrekulli dhe bashkohen në frontin e tyre për marrjen e pushtetit.

Edi Rama është para zgjedhjes së jetës së tij: të ndryshojë formatin e qeverisë, vizionin qeverisës, përparësitë qeverisëse, të marrë përgjegjësitë ndaj çdo veprimi të kabinetit qeveritar, të ushtrojë kontrollin dhe të dëshmojë se mandati i tij i tretë do të jetë ai i njerëzve të ndershëm dhe të aftë.

Ai ndodhet para një konflikti të dyfishtë: me njerëzit e tij, të cilët i ka mundur që në krye të herës, i ka shtruar dhe do të vazhdojë të jetë numri një i pa kontestuar. Por, ai është i tillë sa herë që fiton, në rastin e parë të rrëshqitjes së pushtetit, e majta do të bjerë, do të ketë shkërmoqje dhe e gjithë e keqja do të ketë emrin e tij. Për të cilën as nuk i bëhet vonë.

Ai është njeriu i të majtës sa kohë është në pushtet. Pas tij nuk i intereson dhe kjo është konflikti i së ardhmes. Por që fillon që tani, dhe kjo duhet të shqetësojë PS-në, nëse brenda saj ka ende njerëz që mendojnë.

Konflikti i dytë është me opozitën. Me një opozitë normale kjo do të ishte gjëja më e arsyeshme në botë. Me një opozitë anormale kjo i kalon kufijtë e egërsisë dhe të kërcënimit.

Edi Rama, vetëm në ditët e fundit është kërcënuar publikisht disa herë rradhazi. Është kërcënuar deri me varje në litar, kokëposhtë, pas pushkatimit, si ka ndodhur me liderin fashist Duçe. Është kërcënuar se do të përfundojë në ujërat e lumit Lana.

Nga ish shefi i qeverisë dhe kryetari de fakto i opozitës, Berisha është kërcënuar se do të tërhiqet zvarrë deri në fundin e tij. Nga gazetarë –analistë, shumë afër dhe të mirë paguar nga opozita është kërcënuar se askush nuk do e dijë fundin e tij.

Në fund, edhe nga gazetarë të afërt me ish-aleatin e tij në pushtet u kërcënua se, nëse nuk e lëshon drejtimin e qeverisë, do të rrijë, jo vetëm pa dhëmbë, por edhe pa b..thë.

Në të vërtetë Rama, është ndër ato shefa qeveritarë që është rrahur shtazërisht kur ishte gazetar, pikërisht nga këto që e kërcënojnë sot brutalisht; është kërcënuar me vdekje dhe me fjalimin më të bukur mortor kur ishte lideri i opozitës, pikërisht nga Berisha; janë nxitur turma njerëzish për të bërë linçimin e tij, jo thjeshtë politik, por edhe fizik.

Në diskurset parlamentare, kërkesa ultimatice për largimin e tij shoqërohet me thirrjet halucionante të Berishës për zhdukjen e shefit të qeverisë, me kërcënime rrugaçe dhe delirante, të cilat, edhe pse bëhen nga një njeri që e njeh frikën më shumë se kushdo tjetër në politikën shqiptare, nxitin pikërisht atë që kërkojnë “shqupasit patriotë”: krijimin e ndjenjës së ankthit, të frikës dhe të tërheqjes së shefit të qeverisë dhe liderit të partisë politike, historikisht dhe realisht më të madhe në vend, PS-së.

Jam i bindur se asnjëherë më parë dhe asnjëherë më pas nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë një krisje e tillë në radhët e një partie politike, e cila synonte të ishte thellësisht evropiane dhe moderne.

Në vend të saj, një turmë linçuesish politikë e jo vetëm politikë, tashmë e kanë hapur krahun e goditjes, duke nxjerrë në fushë të hapur një parti metingashësh, ku arsyeja është zëvendësuar me dhunën, ku mendimi i ka lënë vendin harbutërisë, dhe, mjerisht, përmes së cilës përçohen sot thirrjet kobzeza për shkatërrimin e vendit.

A duhet të largohet Edi Rama dhe të hapë rrugën e një qeverie teknike, gjithë përfshirëse, me të mundur , veçanërisht të ndëshkuar, me asnjanës, me ato që qëndrojnë në dy karrige njëherësh, me teknicienë, e ndoshta edhe me ndonjë përfaqësues të zgjedhur nga shumica qeverisëse.

A do të mund të qetësohet vendi pas kësaj lëvizje, nëse Edi Rama bie dakord për këtë rokadë politike?

Shqipëria e ka një shembull domethënës me krijimin e qeverive të tilla hibrid dhe ndodhitë e pas rënies së saj. Pas kërcënimeve të këtij lloji , por jo të këtyre përmasave, qeveria e pas marsit të vitit 1991, e një shumice të majtë, lejoi krijimin e një qeverie të përbashkët, e quajtur qeveria e Stabilitetit. Me një mandat të caktuar deri në zgjedhjet e vitit 1992.

Kërcënimet dhe bubullimat për krijimin e saj erdhën pikërisht nga ata që kërcënojnë sot me vdekje shefin e qeverisë, Edi Rama. Mbi të gjitha nga ulërimat politike dhe keq ndjellëse të Berishës.

Pak muaj më pas, pikërisht kjo qeveri, përsëri nën kërcënimin e Berishës, u shkatërrua. Ishte një natë tragjike, në të cilën, një ministër i devotshëm, i deleguar nga demokratikasit, profetizoi se, pas prishjes së qeverisë, ai sheh gjak.

Qeveria u prish, Shqipëria hyri në rrugën e mjerimit pas pluralist, i vetmi njeri që qeshi, fërkoi duart dhe “fitoi”, ishte Berisha. Dhe ustallarët e tij në Serbi që, përmes të deleguarve të tyre, i dërguan fjalë të prishë një qeveri që po stabilizonte vendin dhe që mund të dëshmonte se mund të kishte jetesë të përbashkët.

Edi Rama edhe mund të ketë idenë e një qeverie teknike, pavarësisht nga ajo që deklaron. Në fund të fundit trysnia mbi të mund të ketë ndikim. Megjithëse , nuk e besoj se do të ndodhë. Trysnia nuk po bëhet vetëm nga opozita, por edhe brenda llojit, dhe kjo e fundit është edhe më e ndjeshme..

Si shef i qeverisë ai mund të tërhiqet, por nuk mund të tërheqë pas vetes edhe tërheqjen e së majtës, sepse nuk është as e drejta e tij dhe as forca e tij për të bërë këtë.

Nëse ai lë vendin e tij si shefi i qeverisë, atëherë duhet të lërë edhe vendin si lider i socialistëve, të cilët, në këtë moment, mbijetojnë edhe pa të, por ai nuk bën dot pa to.

Në bilancin e qeverisjes së tij të deri tashme, Edi Rama, veç asaj që ka bërë mirë, ka lënë edhe shenja që nuk duheshin lënë, sidomos ndaj premtimit të tij kryesor: ndëshkimin e krimit dhe të zullumeve berishiane. Ndoshta për këtë ai do të gjykohet rreptësishtë në një ditë të ardhshme.

Dhe e majta duhet të gjykohet për pavendosmërinë e saj në ndëshkimin e krimit! Të majtës i duhet reformimi urgjent i qeverisjes, vizioni bashkëkohor i drejtimit të shtetit, ku përgjegjësia, aq sa është vetjake, aq është edhe strukturës kontrolluese, ku e drejta për të qeverisur është e njëjtë me të drejtën e ndëshkimit.

E rëndësishme është që drejtpeshimi të jetë në kahun e Kushtetutës, ashtu si ka ndodhur deri tani e ashtu si do të ndodhë edhe në të ardhmen. (Botuar në DITA)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …