Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është aq i rëndësishëm për Bashkimin Evropian sa që liderët e tij, të mbështetur edhe nga diplomatët amerikanë në kohën kur Donald Trump po dëmton raportet trans-atlantike, tashmë po përgatiten që të viktimizojnë Kosovën përmes legalizimit të kontrollin të veriut të vendit nga Serbia bashkë me krerët vendorë (Hashim Thaçi & Co) të shantazhuar me gjykatën speciale, me shpresën e pabazë se Serbia do të heqë dorë nga kërcënimet e saj me Rusinë për destabilizim të rajonit.
Rusia përmes Serbisë e serbëve në Kosovë dhe atyre në Bosnjë tashmë ka instaluar një virus permanent të provokimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor për të shantazhuar dhe frikësuar vazhdueshëm Bashkimin Evropian për qëllime gjeostrategjike që kanë të bëjnë me burimet energjetike.
Këto qëllime ndërlidhen me planet afatgjate të BE-së për të zvogëluar pavarësinë e furnizimit të Evropës me gazin rus.
Rusia do të mbetej e dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga zvogëlimi drastik i eksporteve të saj të gazit në Evropë nëse BE do të zëvendësonte gazin rus me burime nga vendet e tjera, dhe sidomos me ato prej vendeve të Lindjeve të Mesme e të rajonit përreth.
Arsyet e lidhjeve jashtëzakonisht të forcuara tash viteve të fundit midis Rusisë dhe Serbisë (Vladimir Putinit me Aleksandar Vuçiçin e Milorad Dodikun), pra autoriteteve ruse dhe krerëve të serbëve në rajon, kanë të bëjnë pikërisht me planet e BE-së që të heq qafe varësinë nga gazi rus në planin afatgjatë.
Planet e evropianëve për alternativa tjera të burimeve energjetike, janë jashtëzakonisht larg të që shndërrohen në realitet, edhe pse që nga viti 2020, do të fillojnë që të marrin gazin nga Azerbajgjani i cili është shumë i vogël për nga sasia (16 miliardë metër kubik në vit).
Bashkimi Evropian i frikësuar nga Rusia dhe Serbia drejton presionin ndaj Kosovës
Kërcënimet e Rusisë ndaj BE-së kanë këtë porosi : « Do të shpërthejë Ballkani Perëndimor përmes serbëve (në këtë rast Kosova dhe Bosnja) njëjtë si në Ukrainë nëse nuk do gazin tonë më”.
E frikësuar nga këto kërcënime ruse, BE tash i ka shtuar tej mase përpjekjet për të kthyer Serbinë drejt vetes me shpresën për të shmangur kërcënimet e Moskës për destabilizim të Ballkanit përmes pikërisht aleatëve të saj tradicional: Serbisë dhe serbëve.
Ka përplot politikë-bërës evropianë të cilët mendojnë se ky mision është gati i pamundur, por të njëjtit nuk do të heqin dorë për shkak të rëndësisë së stabilitetit të rajonit, e me këtë pra edhe të vet BE-së e cila po bëhet gati të sjellë gazin e ri nga Azerbaijgjani dhe Lindja e Mesme përmes tokës dhe ujërave nëpër Ballkan (TAP dhe më vonë edhe East Mediterranean Pipeline).
E më shpresën se do të stabilizohet Ballkani e zvogëluar varësinë nga gazi rus, BE po tenton që të kënaq Serbinë me një model të Bosnjës përbrenda Kosovës, pra me projektin e emëruar Asociacioni i Komunave Serbe (AKS), me të cilin serbët dhe Serbia do të krijonin një kontroll të legalizuar të së sa paku 18 për qind të territorit të Kosovës.
Krerët e Kosovës në fushatë jo korrekte për AKS-në
Pushtetarët e deritashëm dhe ata të tashëm të Kosovës e kanë gëlltitur këtë projekt të kahershëm të Serbisë (që nga koha e ish-kryetarit Boris Tadiç). Ata tash së bashku me BE-në janë në aksion të shitjes së këtij projekti të rrezikshëm për Kosovën publikut kosovar në shkëmbim të shpresës për anëtarësim në OKB.
Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi është zënë ngushtë nga perëndimorët, BE dhe SHBA, me kërcënimet përmes gjykatës speciale.
Hashim Thaçi dhe përkrahësit e tij po iu thonë qytetarëve të Kosovës se me pranimin e AKS-së Kosova do të mund të pranohej në OKB ?!
Kjo është një joshje e dëmshme ndaj qytetarëve të Kosovës për të kënaqur apetitet e Serbisë përbrenda Kosovës në shkëmbim të evitimit të akuzave për krime lufte nga gjykata e re e krijuar në Hagë vetëm për krimet e pretenduara të individëve të U ÇK-së dhe e cila me dorën e klasës politike kosovare e ka amnistuar Serbinë nga krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.
Kjo fushatë e Thaçit dhe e rrethit të tij për legalizim të AKS-së me premtimet dhe shpresën për ulëse në OKB, e mbështetur heshturazi edhe nga zyrtarët dhe diplomatët e BE dhe SHBA, nuk qëndron, sepse pranimi në OKB do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës nga pikërisht Serbia dhe Rusia, pastaj Kina…etj.
Mirëpo fushata mashtruese po vazhdon edhe pse krerët e Serbisë dhe të Rusisë e thonë përditë se Beogradi dhe Moska nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës e as nuk do ta lejojnë atë të anëtarësohet në OKB.
Zbutja e BE-së e rrit kërcënimin ruso-serb në Kosovë dhe Bosnjë
Ndërkohë, edhe nëse jetësohet AKS e premtuar Serbisë dhe serbëve në Kosovë, përsëri strategjia e Rusisë së Putinit dhe aleatëve të saj në Serbi për të shantazhuar BE-në me shpërthim problemesh në rajon do të vazhdojë, sepse BE është e vendosur të mos varet siç varet tash nga gazi rus.
AKS-ja e legalizuar është virus i rrezikshëm përbrenda Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen, pikërisht siç është dhe po aq sa është Republika Serbe në Bosnjë.
Rusia do ta kishte të pamundur destabilizimin e rajonit, pra në këtë rast në Kosovë, sikur Serbia do të pranonte pavarësinë e Kosovës. Prandaj Putin dhe krerët e Serbisë janë të harmonizuar dhe koordinuar krejtësisht për të vazhduar shantazhet e tyre në të gjitha format e mundshme, tash dhe në të ardhmen, me shpresën se BE do të heqë dorë nga zvogëlimi i varësisë së furnizimit me gazin rus.
Edhe nëse legalizohet AKS-ja dhe ajo merr jetë asgjë nuk ka përfunduar për të mirë, as për Kosovën e as për BE-në e frikësuar.
Serbia e mbështetur nga Rusia do të vazhdojë që të shantazhojë BE-në dhe t’i thotë asaj tërthorazi se nëse nuk e lejon atë që të hyjë në BE për shkak të Kosovës atëherë do shpërthejë veriu i Kosovës.
Përballë këtyre shantazheve ruso-serbe BE tash ndodhet në pozitë inferiore dhe ajo presionin e ka drejtuar drejt liderëve të Kosovës, pikërisht më së shumti ndaj Thaçit e Kadri Veselit përmes Gjykatës Speciale, me shpresë se Serbia do të bëhet e padëgjueshme ndaj Rusisë dhe kërcënimeve të Moskës do t’iu ndërpritet rruga me Serbinë e kënaqur me AKS ?!
BE dhe diplomatët e SHBA mashtrohen keq se me AKS-në Serbia dhe vazalët e saj të Rusisë në Beograd do të moderohen dhe heqin dorë nga aleanca me Moskën.
Inferioriteti i BE-së ndaj shantazheve ruso-serbe në Kosovë dhe drejtimi i presionit ndaj Kosovës do t’i kushtojë se pari vet Kosovës me mundësinë e rebelimit e serbëve në AKS-në e legalizuar në llojin e Milorad Dodikut i cili për çdo ditë kërcënon për shkëputje të RS-së nga Bosnja.
Rusia do luhatje permanente të stabilitetit në Ballkan
Me apo AKS-në, Serbia po përfiton nga kjo situatë shantazhi duke hapur kapituj të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Kjo nuk është tjetër veç dorëzim i BE-së ndaj këtyre shantazheve, e kulmi i kësaj, përkatësisht dhëmbët e vërtetë të Rusisë dhe Serbisë ndaj BE-së, pritet që të shihen kur Serbia të ketë hapur e mbyllur 34 kapitujt e t’i ketë mbetur vetëm ai nr. 35 (Kosova).
Këto kërcënime tingëllojnë kështu : « Po nuk më pranove në BE pa e njohur Kosovën, merru tash me zjarrin në veri të Kosovës dhe Republikën Serbe në Bosnjë ».
Përçarjet e reja që Donald Trump po shkakton në raportet BE-SHBA vetëm sa e ndihmojnë skenarin e Moskës dhe Beogradit ndaj BE-së në Ballkan dhe kjo në të ardhmen mund të shkaktojë dorëzim të BE-së dhe pranim të aneksimit të veriut të Kosovës (pra territorit të AKS-së në veri) dhe RS-së në Bosnjë nga Serbia, njëjtë siç Rusia aneksoi Krimenë.
Me liderë si Thaçi që nuk ka guxim t’iu thotë JO këtyre presioneve për shkak të Gjykatës Speciale, edhe ky skenar përsëri do të tentohej t’i shitej opinionit të brendshëm në Kosovë me fjalët : « Në shkëmbim të humbjes përfundimtare të kontrollit të 18 për qind të territorit Kosova ka gjasa që të hyjë në BE dhe NATO ; se me këtë krijohen mundësitë për njohje nga pesë shtetet e BE-së ; dhe katër të NATO-s ; e ndoshta edhe nga Serbia… ?! ».
Ky është çmimi që Thaçi & Co po ua thonë qytetarëve të Kosovës tërthorazi tash për AKS-në.
Po Spanjës, Rusisë, Kinës… vallë kush do t’ia ndërronte mendjen për ta njohur Kosovën tash me këtë territor apo në të ardhmen me territor të copëtuar dhe të rrudhur ? Edhe kësaj pyetjeje dikush nga të shantazhuarit me Gjykatën Speciale dhe hartuesit e saj, dikur do të fillojnë t’ia gjejnë vargjet e këngës.
Ky është çmimi i rëndë që po i përgatitet Kosovës me premtimet që ajo ndoshta një ditë të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s në shkëmbim të stabilitetit në Ballkan. E njëjta vlen edhe për Bosnjën.
« Stabilitet mbi të gjitha, viktimat territoriale nëpër Ballkan nuk janë të rëndësishme » do të ishte kënga tjetër për të arsyetuar këso lloj ndryshimesh kufijsh në rajon.
Por ky disponim në përgatitje i perëndimit nuk ka asnjë garanci nga Rusia e Putinit për stabilitet permanent në Ballkan. Putini nuk do që virusët e tij të instaluar në Kosovë dhe Bosnjë të zhduken.
Pikërisht këtu qëndron gabimi tjetër i madh i perëndimit në insistimin për formimin e AKS-së për të kënaqur Serbinë në kurriz të Kosovës dhe integritetit territorial e sovranitetit të saj.
Në fund të fundit, dorëzimi i një pjese të territorit të Kosovës në duart e Serbisë nuk guxon që të bëhet as me hapjen e dyerve të BE-së, NATO-s, OKB-së…
Shqiptarëve iu janë marrë territore përgjatë historisë me dhunë, pa i pyetur kush ata. Tash radhën e fjalës duhet që ta kenë qytetarët e Kosovës me referendum popullor dhe jo liderët e tyre të shantazhuar e të korruptuar tej mase.